Institucioneve shtetërore në Kosovë nuk iu ka bërë fort përshtypje performanca e bendit nacionalist serb “Riblja Čorba” e as vokalisti i tij antishqiptar, Bora Gjorgjeviq. Bendi nga Beogradi ka performuar të enjten në kuadër të “Rok Fest”, eveniment i financuar nga Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi, por organizatorët nuk duket të jenë brengosur fort për leje. E gjithë kjo në rrethanat e masave për restriktimin e lëvizjeve dhe tubimeve publike të marra ditë më parë nga Qeveria e Kosovës. Muzikanti 68-vjeçar, Bora Gjorgjeviq, në vitet ’80 i quante shqiptarët “lepuj” dhe “shiptari” me të cilët nuk bëhet dot paqe, ashtu sikurse që retorikën kundër Kosovës së pavarur e ka shpeshtuar edhe pas dekorimit me “Urdhrin e Yllit të Karagjorgjeviqit” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Jo të paktë kanë qenë ata që, pos kundërshtimit të performimit të Gjorgjeviqit, kanë tërhequr vërejtjen se Serbia po e polarizon publikun në Kosovë dhe po kontribuon në stërkeqjen e raporteve ndëretnike
Një trashëgimi e konsiderueshme me këngë nacionaliste serbe e tekste antishqiptare nuk i kanë sprapsur anëtarët e rock-grupit nga Beogradi “Riblja Čorba” që të mësyjnë Kosovën. Të prirë nga frontmeni i tyre, Bora Gjorgjeviq, mbrëmjen e së enjtes, ata kanë mbajtur të papenguar një koncert në qendrën për kulturë “Sava Dečanac” në Leposaviq.
Ky koncert, në kuadër të “Rok Fest-it” në komunën më veriore të vendit, ishte paralajmëruar edhe ditë më parë nëpërmjet një adresimi të muzikantit kontrovers serb, Bora Gjorgjeviq.
“Nuk e kemi parë njëri-tjetrin prej kohësh, por do të shihemi në Leposaviq më 19 gusht, ‘Riblja Čorba’ po vjen, Bora ju do”, dëgjohet duke thënë vokalisti 68-vjeçar serb.
Si eveniment tashmë tradicional, edicioni i sivjetmë i “Rok Fest Leposaviq” është mbajtur nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës dhe Informacionit të Serbisë, kurse si organizatore kanë qenë Komuna e Leposaviqit dhe qendra për kulturë “Sava Dečanac”.
E pos mysafirit namkeq në “Rok Fest”, në ambient të hapur – midis Qendrës për Kulturë dhe ndërtesës së Komunës – kanë performuar edhe bendet “De Sade” dhe “Flood” nga Rashka, bendi lokal nga Leposaviqi “Choo Choo Xtana”, “Lazy” nga Mitrovica dhe bendi holandezo-serb “The Unfuckable”.
Të pranishëm në koncert kanë qenë edhe eksponentë nga Beogradi, si drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, si dhe përfaqësues nga subjekti politik serb në Kosovë, Lista Serbe.
E kjo nuk rezulton të jetë hera e parë që ky bend ka performuar në Kosovë: në gusht të vitit 2013 kishte mbajtur një koncert në Graçanicë.
Heshtje institucionale
KOHA ka provuar gjatë ditës të kontaktojë Zyrën e Informimit të Policisë së Kosovës, por ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve nëse organizatorët kanë marrë leje për një aktivitet të tillë dhe nëse janë përfillur protokollet e sigurisë. Përgjigje nuk kanë dhënë as nga Drejtoria Rajonale e Veriut, e cila është përgjegjëse për Komunën e Leposaviqit.
Performanca e artistit kundërthënës serb në “Rok Fest” nuk është komentuar nga asnjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës. I vetmi veprim nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë një aksion simbolik i qendrës së saj në Shqipëri e cila, të enjten gjatë ditës, ka vendosur një banderolë me fjalët “Bregoviç dajre gjenocidi” në bulevardin “Republika” në Korçë.
Derisa dy javët e fundit janë përshkuar me përplasje e kritika ndaj ftesës që Bashkia e Korçës ia bëri muzikantit të lindur në Bosnjë, Goran Bregoviq, për të performuar në Festivalin e Birrës, jo shumë vëmendje i është kushtuar kolegut të tij, dikur rival, Borislav Gjorgjeviq-Bora (i njohur edhe si Bora Çorba).
Në shkurt të këtij viti ata ishin në mesin e atyre që u nderuan me “Urdhrin e Yllit të Karagjorgjeviqit” nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Por cila, në të vërtetë, është ana obskure e vokalistit që ishte pjesë e bendit të njohur në Jugosllavinë e viteve ’80?
“U zhyt në ujërat nacionaliste”
Sipas njohësve të skenës muzikore jugosllave të kohës, vdirrja e ideologjisë jugosllave po reflektohej edhe te një numër i bendeve, sidomos atyre që bën emër në rock’n’roll.
Ishte kjo koha kur nisi të përvijëzohej një ndarje mes audiencave të namatisura pas muzikës etno-pop me prirje nacionaliste – e ashtuquajtura “narodnjaci” – dhe një grushti muzikantësh që ruajtën një qëndrim më kozpomolitan.
Sipas Petar Janjatoviqit, disa rockerë serbë, e veçanërisht Bora Gjorgjeviq nga “Riblja Čorba”, “u zhyt kryekreje në ujërat nacionaliste”.
Akademikja dhe gazetarja amerikane, Sabrina Petra Ramet, në librin e saj “Balkan Babel: Politics, Culture, And Religion In Yugoslavia”, të botuar më 1992, ka veçuar disa raste se si Gjorgjeviqi tekstet e këngëve, nga aludimet, po i bënte gjithnjë e më eksplicite me përmbajtjen e tyre antishqiptare.
Poemat antishqiptare të “Bora Çorbës”
Në jo pak raste atij i ishin hapur “probleme politike” mu për shkak të natyrës nxitëse të këngëve. E tillë ishte edhe lirika e tij e parë për Kosovën që, duke shfrytëzuar një këngë të njohur sllave për fëmijë, përshkohej me mesazhe tacite antishqiptare:
“Eci peci pec/ ia sam malji zec/ jedem malji dec/ Veljiki mi trb/ jedem malji Srb” (Përkthimi: Eci peci pec/ Jam nji lepurosh/ e ha nji pulë të vogël/ Bark të madh kam/ e ha nji serb të vogël).
Sipas studiueses amerikane Ramet, kjo poemë u kushtohej shqiptarëve. Ashtu sikurse e alarmonte edhe politika e asokohshme nacionaliste e Beogradit, lirika brenda saj i jepte zë shqetësimit jugosllav për rritjen demografike të popullatës shqiptare në Kosovë e Maqedoni: kështu rockeri serb e krahasonte shqiptarin me “lepur” (malji zec), e që ka edhe karakteristika njeringrënëse kundrejt serbit të vogël (malji srb).
“Nuk do të ketë paqe me shqiptarin”
Por kantautori serb nuk ishte ndalur me kaq. Aludime e referenca antishqiptare, si shprehja pezhorative “Shiptari” do të buthtonin edhe në vargjet e një tjetër lirike: “I nikad neće biti mira/ izmedu mene i ‘llira’/ zar srpsku krunu i skiptar/ da uzme neki Šiptar” (Përkthimi: Kurrë nuk do ketë paqe/ mes meje dhe 'Ilirit’/ A është e mundur që një shqiptar/ të zaptojë kurorën e skeptrin serb).
Gjithnjë sipas Ramet, “këto poema, që ishin jashtë favorit në ditët e Stambolliqit, u bënë goxha të dëshiruara për autoritetet politike sapo Milosheviqi e mori pushtetin në Serbi”.
“Lufta për Kosovën”
Duke ia mbajtur ison qëndrimit negacionist të Beogradit ndaj pavarësisë së Kosovës, vokalisti i “Riblja Čorba” nuk ka ngurruar të tejçojë vazhdimisht provokime.
Në prill të vitit 2019, ky bend mori pjesë në mitingun e quajtur “Budućnost Srbije” (E ardhmja e Serbisë), ku ishte manifestuar përkrahje për Vuçiqin e qeverinë serbe në “luftën për Kosovën”.
Dy vjet më parë, kur njëri nga shtetet afrikane kishte tërhequr njohjen e Kosovës, Gjorgjeviqi kishte përgëzuar Ivica Daçiqin, duke paralajmëruar se atij do t’ia kushtonte një këngë.
Sheki Hoxha: “Gjorgjeviq, ky shovinist”
Muzikanti Shefqet Hoxha-Sheki ka thënë se një profili të tillë, si Bora Gjorgjeviq, nuk do të duhej t’i lejohej askund pjesëmarrja jashtë Serbisë.
Në një prononcim për KOHËN, ai ka thënë se dikur ka pasur miqësi me të, porse më vonë e kishte njohur të vërtetën e tij.
“Ka 30 vjet që nuk e kam parë dhe kurrë nuk do të doja ta shihja më”, ka thënë kitaristi Hoxha.
Ai, me këtë rast, ka treguar se bendi “Riblja Čorba” dikur kishte tekste të bukura, ishte i popullarizuar në vendet e ish-Jugosllavisë, porse, sipas tij, “gjërat ndryshuan”.
“Për atë dhe disa të tjerë që i njoha nga skena muzikore e asaj kohe, me keqardhje them se njeriu di të jetë edhe qenie idioteske. Unë asnjëherë nuk i kam dashur fashizmin dhe shovinizmin”, ka thënë Hoxha, i cili në vitet ‘80 kishte qenë instrumentist dhe orkestrues në Orkestrën e Radio-Prishtinës.
“Persona non grata”
Duke folur për krijimtarinë e Gjorgjeviqit, ai ka thënë se në tekstet e tij nuk ka pasur shprehje eksplicite, por kur u përfshi në politikë, si këshilltar në Ministrinë e Kulturës, “nisi ta tregonte fytyrën e vet të vërtetë”.
“Mund të ketë pasur mbase mesazhe të tilla në formë parodie, por për mua, në shtëpinë time, ai është person non grata”.
Në lidhje me koncertin e mbajtur mbrëmjen e së enjtes, muzikanti Hoxha ka vlerësuar se nuk është edhe aq problematik performimi i Gjorgjeviqit para serbëve të Leposaviqit, por ka shtuar se “ky duhet të jetë rasti i fundit që lejohet një gjë e tillë”.
“Kjo çështje i takon Qeverisë, sepse derisa i pamundësohet vizita Sheshelit e Vulinit, një gjë e tillë duhet të ndiqet edhe ndaj artistëve shovinistë”, ka shtuar ai.
Abdullahu: “Nevojë për debate që shqyrtojnë të kaluarën”
Profesori i antropologjisë dhe historisë në Universitetin e Prishtinës, Durim Abdullahu, ka thënë se raste të tilla, në rrafshin social, vënë në pah nevojën kruciale të shoqërisë për të hapur debate pavarësisht nëse ato nisen nga shkaqe krejt banale.
Sipas tij, këto debate janë një lloj shqyrtimi i së kaluarës nga prizma të ndryshme identitare.
“Ta zëmë, në Kosovë është fare pak e trajtuar trashëgimia kulturore e kohës së ish-Jugosllavisë, qoftë ajo materiale, qoftë ajo e kujtimeve kolektive”, ka thënë Abdullahu. “Shoqëria kosovare duhet të gjejë një rrugë autentike për t’i bërë vend historisë së saj nën Jugosllavi, duke e sistemuar trashëgiminë e saj në muze, arkiva, libra e filma, pa lejuar që të bjerë në grackën e trajtimeve të pasosura të mbetjeve të tejkaluara jugosllave”.
“Serbia po polarizon publikun”
Tutje Abdullahu është shprehur se koncerte të tilla mund të impaktojnë zbehjen e lojalitetit të popullatës serbe ndaj shtetit të Kosovës, por edhe ashpërsimin e raporteve me shqiptarët.
Ai me këtë rast ka përkujtuar se në të gjitha studimet dhe raportet e sigurisë rezulton se Serbia e cenon sigurinë e Kosovës edhe duke përdorur mjete në dukje krejt spontane, “por përmes të cilave synohet polarizimi i publikut dhe veçmas ai i grupeve politike”.
“Mos të harrojmë se teksa po mbahen krejt këto koncerte, në sfond qeveria serbe po përpiqet të shtyjë përpara idenë e vjetër të Serbisë së madhe, por të ripaketuar si bota serbe, nëpërmjet nismash rajonale si ‘Open Balkan’. Aq më tepër, që ka gjetur një gjuhë përafrimi me Tiranën zyrtare, të pashembullt në historinë e këtyre dy vendeve”, ka thënë Abdullahu.
Më tej, profesori i historisë ka vlerësuar se përpjekjet e Beogradit nuk dallojnë fort nga ato të Turqisë, e cila mirëmban ndikimin e saj kulturor duke nxitur debate për trashëgiminë osmane në ish-vendet e Perandorisë Osmane.
“Edhe Serbia synon të luajë rolin e një fuqie rajonale tek ato vende më pak të konsoliduara të ish-Jugosllavisë, sikur Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova”, ka përfunduar Abdullahu.