Kulturë

Roberto Cavalli – revolucionari i modës, ikonë e luksit

Roberto Cavalli (15 nëntor 1940 – 12 prill 2024)

Roberto Cavalli (15 nëntor 1940 – 12 prill 2024) në sfilatën e tij në Budvë të Malit të Zi, më 10 qershor të vitit 2013 (Foto: Savo Preleviq/AFP)

“Moda është pjesë e jetës sonë. Kur zgjohesh në mëngjes thua: ‘Çfarë rrobash do të vesh që të dukem bukur, fantastike, seksi dhe speciale’. Kjo është arsyeja pse më pëlqen të jem disenjator, sepse mund ta përdor punën time për të kontrolluar disponimin dhe jetën e njerëzve”, do të thoshte disenjatori i modës, Roberto Cavalli, i cili vdiq të premten. Dhe për më shumë se pesë dekada ai “kontrolloi” modën botërore së cilës i dha luks e shkëlqim

Roberto Cavalli la gjurmë në botën e modës me përdorimin e materialeve unike dhe magjepsëse në printe me dizajn kafshësh. Disenjatori i njohur italian vdiq të premten në Firence. Ishte 83-vjeçar.

“Trashëgimia e Roberto Cavallit do të jetojë me kreacionet të tij, dashurisë që kishte për natyrën dhe nëpërmjet familjes të cilën e çmonte shumë”, shkruhet në mesazhin e postuar nga brendi i tij i famshëm në rrjetet sociale. 

Cavalli u lind në Firence në vitin 1940. Gjyshi i tij, Giuseppe Rossi, ishte një piktor i shquar. Cavalli ndoqi hapat e tij duke u regjistruar në Akademinë e Arteve në Firence, ku filloi të eksperimentonte me pikturën dhe tekstilet.

Me kalimin e kohës zhvilloi një teknikë inovative të printimit të lëkurës që i siguroi bashkëpunim me shtëpi të mëdha të modës si: “Hermè” dhe “Pierre Cardin”, si dhe e çoi atë në një rrugë krijuese të ndërtuar mbi stil estetik dhe të shkëlqyer.

Stili i Cavallit mbeti në thelb i pandryshuar gjatë gjithë karrierës së tij

“Moda është pjesë e jetës sonë. Kur zgjohesh në mëngjes thua: ‘Çfarë rrobash do të vesh që të dukem bukur, fantastike, seksi dhe speciale’. Kjo është arsyeja pse më pëlqen të jem disenjator, sepse mund ta përdor punën time për të kontrolluar disponimin dhe jetën e njerëzve”, deklaroi Cavalli për CNN-in, në një intervistë të realizuar në vitin 2008.

Koleksionin e parë me emrin e tij e prezantoi në Paris në vitin 1970, para se të debutonte në pasarelat e modës në Firence dhe Milano në vitin 1972. Po atë vit Cavalli e hapi butikun e parë në Saint-Tropez, qytetin bregdetar të Francës, i cili u bë njëri prej dyqaneve simbolike të glamurit dhe luksit në vend.

Në vitin 1980, Cavalli u martua me modelen austriake dhe mbretëreshën e bukurisë, Eva Maria Düringer, e cila iu bashkua biznesit të tij si drejtoreshë kreative. Çifti i ka tre fëmijë së bashku – Cavalli i kishte edhe dy fëmijë të tjerë nga martesa e parë – dhe martesa e tyre zgjati për tri dekada. Fëmijën e gjashtë disenjatori e priti në jetë në vitin 2003, me partneren Sandra Nilsson.

Nga mesi i viteve ‘90, Cavalli revolucionarizoi botën e xhinseve me një sërë risish, mes tyre xhinse streçe, të cilat ai i shpiku duke shtuar liker në pëlhurë. Krahas materialeve me printim të kafshëve dhe lëkurës, veshjet prej xhinsi u bënë një element thelbësor i stilit të tij, duke çuar në krijimin e një brendi më rinor të titulluar “Just Cavalli”, në vitin 1998.

Gjatë një fjalimi në Universitetin “Oxford” në vitin 2013, Cavalli e shpjegoi pasionin e tij për materialet me lëkurë të kafshëve të egra, të cilat ai i përdori në çdo gjë, nga xhinset deri te fustanet e veshura nga yjet mbi tapet të kuq: “Unë e dua natyrën. Kafshët kanë lëkurën më të bukur. Zoti i ka krijuar shumë të bukura. Gratë i pëlqejnë këto materiale, sepse i bëjnë të ndihen natyrale në to", deklaroi Cavalli.

Gjatë viteve 2000, disenjatori italian e hapi edhe kafenenë e tij të parë në Firence, si dhe klubin e natës “Just Cavalli” në Milano, i cili u shndërrua në destinacionin më të famshëm të adhuruesve të jetës së natës në këtë qytet. Ai ishte ndër disenjatorët e parë që lansoi koleksion të veshjeve në bashkëpunim me kompaninë H&M, në vitin 2007. Po ashtu biznesin e tij e zgjeroi edhe duke dizajnuar pajisje shtëpiake. Cavalli nuk ndaloi me kaq pasi në vitin 2005 e lansoi një brend të vodkës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me kalimin e kohës Cavallizhvilloi një teknikë inovative të printimit të lëkurës që i siguroi bashkëpunim me shtëpi të mëdha të modës
 

Cavalli u pensionua nga puna aktive në kompaninë e tij të modës në vitin 2015, duke e përzgjedhur disenjatorin Peter Dundas për ta zëvendësuar si drejtor kreativ. Vetëm tre vjet në vonë, Dundas hoqi dorë nga kjo detyrë dhe vendin e tij e zuri Paul Surridge, i cili shërbeu në krye të kompanisë së njohur deri në vitin 2019. 

Në të njëjtin vit, pas një periudhe vështirësish financiare që çuan në falimentim, biznesi u ble nga një firmë investimi private me bazë në Dubai, e cila që atëherë ka caktuar disenjatorin Fausto Puglisi për të krijuar koleksionet vetjake të modës. 

“I dashur Roberto, mund të mos jesh kurrë më fizikisht me ne, por e di që do ta ndiej gjithmonë shpirtin tënd në mua. Është nderi më i madh i karrierës sime të punoja nën trashëgiminë tënde dhe të krijoja për markën që ke themeluar me aq vizion e stil”, ka shkruar Puglisi. “U prehsh në paqe! Do të na mungosh dhe do të të duan aq shumë sa emri yt do të vazhdojë si një fener frymëzimi për të tjerët dhe veçanërisht për mua”.