Ekspozita “Paule Vézelay: Living Lines” në Bristol, qytetin e lindjes, rikujton Paule Vézelayn, artisen e cila u pengua në karrierën e saj për shkak të seksizmit dhe luftës. Ekzistojnë disa debate nëse Vézelay ishte artistja e parë britanike abstrakte: shoqja e saj Marlow Moss gjithashtu krijoi vepra në vitin 1928, në të njëjtën kohë kur piktura e Vézelayt nga i njëjti vit kishte humbur. Por Grant thotë se, pavarësisht kësaj, ajo ishte një pioniere
Artistja e parë britanike e artit abstrakt, trashëgimia e së cilës është lënë në hije kryesisht për shkak të një kombinimi të seksizmit dhe Luftës së Dytë Botërore, do të ketë ekspozitën e saj të parë të madhe pas më shumë se 40 vjetësh.
Paule Vézelay, e lindur në Bristol në vitin 1892, u transferua në Paris ku lëvizi në të njëjtat qarqe si ikonat e artit, Georges Braque, Pablo Picasso, Henri Matisse dhe Sophie Taeuber-Arp. Në vitin 1928, ajo realizoi një nga veprat e para britanike të artit abstrakt, disa vjet para se Barbara Hepworth dhe Henry Moore të fillonin eksperimentet e tyre në këtë zhanër.
Vézelay, e cila e ndryshoi emrin e saj nga Marjorie Watson-Williams kur u transferua në Francë në vitin 1926, do të jetë subjekti i një ekspozite retrospektive në qytetin e saj të lindjes, që do të përfshijë 60 vepra nga karriera e saj 60-vjeçare.
Simon Grant, kuratori i ekspozitës “Paule Vézelay: Living Lines” që zë vend në galerinë më të vjetër të Bristolit, “Royal West of England Academy”, zbuloi se pas transferimit në Paris, Vézelay ishte larg vëmendjes së botës së artit britanik, ndërsa lufta pengoi ngritjen e saj në karrierë, duke shkaktuar dhe largimin e shpejtë nga kryeqyteti francez në vitet 1930.
“Ajo u përball me sfida të mëdha, sepse kishte qenë larg publikut për kaq shumë kohë… nëse nuk do të kishte ndodhur Lufta e Dytë Botërore, ajo do të kishte qenë në një pozicion krejtësisht tjetër në botën e artit. Ishte thjesht koha jo e duhur për të”, ka thënë Grant.

Vézelay u kthye në Bristol gjatë luftës dhe pikturoi vepra abstrakte që pasqyronin dëmin e bombardimeve të forcave ajrore gjermane. Ndërsa luftonte për të fituar terren në Mbretërinë e Bashkuar, ajo përfundimisht u fut në botën e dizajnit të tekstilit për të siguruar jetesën, ndonëse vazhdoi të krijonte vepra abstrakte.
Ekzistojnë disa debate nëse Vézelay ishte artistja e parë britanike abstrakte: shoqja e saj Marlow Moss gjithashtu krijoi vepra në vitin 1928, në të njëjtën kohë kur piktura e Vézelayt nga i njëjti vit kishte humbur. Por Grant thotë se, pavarësisht kësaj, ajo ishte një pioniere.
Gjatë luftës ajo ndihmoi në krijimin e një prej grupeve të para të grave që shërbenin si mbrojtëse vullnetare (Women’s Home Guards), dhe gjatë qëndrimit në Paris shkroi një skenar filmi surrealist në një kohë kur ishte në lidhje romantike me artistin francez André Masson.
“Në Britani të Madhe ajo qëndron përkrah emrave të mëdhenj si Moore dhe Hepworth, por ishte gjithashtu shoqe e ngushtë me zviceranen Sophie Taeuber-Arp, e cila tani është një artiste ndërkombëtare e rëndësishme. Edhe Vézelay ka një shkathtësi të ngjashme në punimet e saj si, pikturë, skulpturë, tekstile, ilustrime dhe poezi. Ajo ishte e aftë dhe vazhdimisht e rishpikte veten”, ka thënë Grant.

Pak para vdekjes së saj në moshën 91-vjeçare, Vézelay pati një moment shpërthimi në publik: ajo u intervistua nga Germaine Greer për një dokumentar të BBC-së, ku u paraqit si një nga “gratë e shekullit tonë”. Kjo famë erdhi menjëherë pas hapjes së një ekspozite retrospektive në galerinë “Tate” në vitin 1983.
Por, krahasuar me artistët Moore dhe Hepworth, të cilët, secili ka institucione të emëruara sipas tyre dhe janë ndër artistët më të njohur britanikë të shekullit të 20-të, puna e Vézelayt mbetet ende relativisht e panjohur.
Grant deklaroi se seksizmi në botën e artit ishte një nga faktorët që kufizoi karrierën e Vézelayt, megjithëse ajo ekspozoi në Britani gjatë viteve ‘50. Në një profil të realizuar nga revista “The Guardian”, dedikuar shënimit të ekspozitës në “Tate”, Vézelay tha: “Natyrisht, duhet të jesh dy herë më e mirë se meshkujt për t’u bërë e njohur”.
“Vézelay gjithmonë ndihej e padëgjuar nga masa dhe se pozita e saj nuk ishte e konsoliduar. Ajo vërtet humbi shumë për shkak të një atmosfere mizogjene nga disa artistë dhe që fatkeqësisht ekzistonte si frymë në botën e artit. Gjithçka në jetë ajo vërtet e arriti me forcat e veta, nuk pati asnjë ndihmë. Ajo ishte një forcë e natyrës”, ka thënë Grant. Ekspozita “Paule Vézelay: Living Lines” do të hapet prej 25 janarit deri më 27 prill 2025.