Me nderime të larta e kujtime për figurën e veprën, akademik Rexhep Ferrit i është dhënë lamtumira e fundit. Në komemoracion kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se me të vërtetë akademik Ferri dhe të tjerët e gjeneratës së tij, gjeneratë e artë, krijuan mëvetësinë e Kosovës para se të fillonte ndonjë lëvizje tjetër politike. “Mëvetësinë e identitetit dhe mëvetësinë e artit e cila doemos që një ditë duhej të prodhonte atë që sot me mburrje e quajmë Republikë e Kosovës”, ka thënë akademik Kraja. Kryeministri Albin Kurti teksa e ka cilësuar “modernist me stilin më të veçantë”, për artin e akademik Ferrit ka thënë se është pasqyrim i përjetshëm i qenies kombëtare
Midis personazheve të tij në pikturë, akademik Rexhep Ferri është vlerësuar si një prej prijësve që pos kontributit në bazat identitare të kulturës së Kosovës, qe edhe trasues brezash e edukues i tyre.
Trashëgimia e Ferrit është parë si thesar, përderisa vdekja e tij si një humbje që është zor të peshohet.
Në mbledhjen komemorative, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, të premten ka vlerësuar piktorin, poetin, prozatorin e eseistin Rexhep Ferri. Ai vdiq të enjten në moshën 86-vjeçare. Familjarë, miq, kolegë e qytetarë të mbledhur – si rrallëherë në atë numër – në ambientet e institucionit më të lartë shkencor në Kosovë, kanë nderuar afro 70 vjet krijimtari të akademik Rexhep Ferrit. Lamtumira e fundit i është dhënë në varrezat e Prishtinës.
“Lirik dhe ekspresiv në shprehje dhe meditativ në kërkim të kuptimeve”
Në komemoracion kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka thënë se me të vërtetë akademik Ferri dhe të tjerët e gjeneratës së tij, gjeneratë e artë, krijuan mëvetësinë e Kosovës para se të fillonte ndonjë lëvizje tjetër politike.
“Mëvetësinë e identitetit dhe mëvetësinë e artit e cila doemos që një ditë duhej të prodhonte atë që sot me mburrje e quajmë Republikë e Kosovës. Duke iu falënderuar pikërisht kësaj gjenerate, Republika jonë, është edhe Republikë e artit, e dijes, e dinjitetit njerëzor dhe e vlerave humane”, ka thënë ai.
Sipas Krajës, Rexhep Ferri që herët nisi rrugëtimin e tij artistik dhe po aq herët krijoi veçantitë e tij shprehëse dhe figurative.
“Ai krijoi stil dhe shprehje të veçantë. Ishte lirik dhe ekspresiv në shprehje dhe meditativ në kërkim të kuptimeve të thella që synonte t’i zbulonte”, ka thënë ai.

“Rexhep Ferri e dashuronte dhe vajtonte shqiptarin historik”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “piktori i brezit të parë në radhët e formimit të Fakultetit të Arteve të Prishtinës, artisti me imagjinatën det’, kreshniku patriot, Rexhep Ferri, nuk na lë dot”.
“Vepra e tij është shumë e madhe. Ajo do të na përcjellë të gjithë neve që patëm fatin e madh ta njohim nga afër, por ajo do t’i përcjellë edhe brezat e rinj, të cilët kanë shumë për të mësuar nga ai”, ka thënë kryeministri Kurti. Ka cituar vetë akademik Ferrin.
“’Për të gjetur një kuptim, ndoshta vetëm misticizmit të çmendurisë i rritet fama’”, këto janë fjalë të Rexhep Ferrit. Sot, nuk jemi mbledhur këtu për ta kujtuar vetëm një artist, por jemi këtu, sepse një intelektual i shquar do të vazhdojë të na e ndriçojë rrugën e mendimit”, ka thënë ai. Teksa e ka cilësuar “modernist me stilin më të veçantë” për artin e akademik Ferrit ka thënë se është pasqyrim i përjetshëm i qenies kombëtare.
“Rexhep Ferri e dashuronte dhe vajtonte shqiptarin historik. Qëndresa e popullit tonë ka trajtën e siluetave të Rexhep Ferrit. Na la aq shumë vepra e veprimtari sa ngushëllimi i gjithë popullit të Kosovës do të jetë përjetësisht i mbushur me pikturat dhe punimet e tij”, ka thënë ai.
Tablotë e Ferrit – histori përpjekjesh, ethesh e ankthesh krijuese”
Në fjalën e tij përmbledhëse për krijimtarinë e Rexhep Ferrit, akademik Eqrem Basha ka thënë se njohja me të mbërrin gjysmë shekulli. Sipas tij, është njohje që bën nder dhe mbush me krenari të gjithë që i kanë ndenjur pranë dhe që e kanë adhuruar punën e tij.
“Këto njohje ai i kërkonte dhe i zgjeronte. Me dellin poetik ai u është qasur tablove e vizatimit mjeshtëror. Këtë shëtitje me të njëjtin pasion te piktura, vizatimet, grafikat, tapiceritë, romanet e poezitë nuk pushuan pothuajse deri në ditën kur ai zuri shtratin, la penelin e lapsin”, ka thënë akademik Basha.
Si të gjerë e impozante e ka përshkruar listën e ekspozitave të pavarura dhe pjesëmarrjet në ekspozita ndërkombëtare. Sipas Bashës, Ferri nuk pushonte të sillte risi, arritje të papërsëritshme në veprën e tij.
“Piktorët, skulptorët e grafistët e këtyre gjeneratave formuan personalitete të respektuara secili në fushën e veprimtarisë së vet. Tablotë e Ferrit paraqesin histori përpjekjesh, ethesh e ankthesh krijuese të cilat ai i përballonte me durim të plotë”, ka thënë ai.
Përpjekjet, akademik Ferri i kishte të vazhdueshme qysh si i ri. U lind më 10 tetor 1937 në Kukës. Ishte i biri i mësuesit Shaban Ferri. Akademik Ferri më 1958 përfundoi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para nga cikli “Shëtitësit e lodhur”, në revistën letrare “Jeta e Re” në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monu¬mentale në Akademinë e Arteve në Beograd, ndërsa në vitin 1970 përfundoi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori “Çmimin e dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative. E në vitin 2022, u nderua me çmimin “Muslim Mulliqi” për veprimtari jetësore nga Ministria e Kulturës. Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Pri¬shtinë.
Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh në vitin 1996, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000.
Biografia e tij përfshin ekspozita personale në Kosovë, ish-Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt e vende të tjera.
I dhënë pas letërsisë, u bë autor i vëllimeve poetike si: “Punë gjaku” (1978), “Qafa e diellit” (1981), “Këmisha e bardhë” (1984), “Trekëndësh me detin” (1988), “Në profil” (1992) dhe “Ndoshta ishte dashuri” (1997). Në prozë është autor i romaneve: “Atdheu im torzo” (1998), “Portreti i një vetmie” (2003), “Frikë nga Gernika” (2004), “Njeriu po kush tjetër” (2005), “Shapo Albane” (2006). “Britma e Munkut” (2011) dhe “Portreti në monedhë” (2013). Krijimtaria e tij përfshin edhe ese e studime.

“Një njeri unik, me një dashuri të thellë për njerëzit”
Në adresë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë mbërritur telegrame të shumta ngushëllimi për vdekjen e akademik Ferrit. Dy prej tyre janë lexuar në mbledhjen komemorative.
“Me ndarjen nga jeta të tij familja humbi njeriun e saj të dashur, ASHAK anëtarin e denjë të saj, ASHSH kolegun e vet të nderuar, Vlora qytetarin e saj të nderit dhe kultura shqiptare një personalitet të spikatur”, ka shkruar në letër ngushëllimi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi. Teksa ka shprehur ASHSH-ja ka shprehur ngushëllimet e saj të ndjera për familjen e akademikut Rexhep Ferri, për kolegët akademikë të ASHAK-ut dhe për gjithë bashkësinë e artkrijuesve dhe artdashësve të kulturës shqiptare, e ka kujtuar jetën dhe krijimtarinë e tij.
“Jeta e tij, e mbushur me aktivitet artistik, kulturor e botues, e vendosi personalitetin e tij në bashkësinë e nderuar të akademikëve të Kosovës, midis personaliteteve më të shquar të kulturës shqiptare. Me ekspozitat e shumta dhe botimet e tij ai ka përçuar modelin e artit e vet kudo ku ndodhen sot shqiptarët dhe në mjedise ndërkombëtare. Vepra e tij do të nxisë për arritje të tjera në artet figurative”, shkruhet në letrën ngushëlluese.
Akademik Xhevdet Xhafa, në letrën e lexuar në komemoracion, e ka kujtuar kolegun e tij.
“Ai ishte njeri i jashtëzakonshëm dhe figurë me ndikim të madh në jetët tona. Humbja e tij është një goditje e madhe për të gjithë ne. Rexhepi ishte një njeri unik, me një dashuri të thellë për njerëzit dhe me një dëshirë të pashquar për të ndihmuar të tjerët. Kujtoj me mirënjohje momentet e bukura që kaluam së bashku dhe vlerësoj thellësisht përkushtimin e tij ndaj zhvillimeve dhe vlerave që ai përfaqësonte. Ai ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në komunitetin tonë dhe do të mbahet në mend me nderim dhe respekt nga të gjithë”, ka thënë akademik Xhafa. Ka shkruar se humbjet janë gjithmonë të vështira dhe e di se fjalët nuk mund ta lehtësojnë dhembjen. “Rexhepi do të mungojë shumë, por trashëgimia dhe ndikimi i tij do të vazhdojnë të jenë frymëzimi ynë. Ne do ta nderojmë atë për gjithçka që ka bërë dhe do ta ruajmë kujtimin e tij të çmuar”, ka shkruar piktori i shquar.
Në emër të familjes Ferri, të pranishmëve u është drejtuar arkeologu Naser Ferri. Mbi të gjitha e ka përshkruar kushëririn si intelektual të lartë, krijues të rrallë në fusha të ndryshme të artit, njeri me shpirt të bardhë, koleg të respektuar, bashkëshort të devotshëm e familjar të përsosur.

“Në emër të familjes Ferri, falënderoj të gjithë të pranishmit për përkrahjen e ngushëllimet për të lehtësuar dhimbjen tonë. Me vdekjen e Rexhep Ferrit, familja humbi pinjollin e strumbullarin afër të cilit mblidheshin krejt familja, ndërsa kultura mbarëshqiptare është më e varfër për një krijues të madh”, ka thënë ai përballë të pranishmëve.
Fjalimet u kanë hapur rrugë homazheve dhe shënimeve në librin e zisë. Në hollin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, muzika klasike në violinë me tone funerali ka shoqëruar të pranishmit që kanë nderuar arkëmortin e piktorit. Si piktor, kaherë ka bërë që emri i tij të jetë midis atyre që ndër të parët lanë gjurmë me penel në këto anë. Gjurmë prej më peshërëndave, ku kryqëzohen, mite, legjenda, histori e ëndrra. Kurse me krejt krijimtarinë e tij, Rexhep Ferri bëri që të renditet tek intelektualët identitarë.