Kulturë

Revistat kulturore e letrare të varura nga paratë e shtetit

Gazeta

Në vendin e vetëm në Evropë pa gazetë të shtypur ditore, botimi i revistave është sfidues dhe mbahet nga buxheti i shtetit

Tirazhi s’e kalon 500-shin, botohen deri në tre numra në vit, lexues ka pak dhe të hyrat as që çojnë peshë dhe botimi i krejt revistave kulturore e letrare, varet kryekëput prej buxhetit të shtetit. Sivjet me 80 mijë euro përkrahen 14 revista, botuesit theksojnë se paratë mjaftojnë për ta mbajtur ritmin, por jo për të rritur cilësinë

Në një vend si Kosova – i vetmi në rajon – i cili ka vjet që ka mbetur pa gazeta të shtypura ditore, edhe botimi i një grushti revistash kulturore a letrare, varet kryekëput prej buxhetit të shtetit. Të hyrat prej shitjeve as që çojnë peshë, botohen aq numra sa ka para, disa kopje shpërndahen falas, rëndom mbesin edhe raftesh. Por ka kosto për të mbërritur edhe deri aty. Mbështetja vlerësohet të jetë solide për botimin e tyre.

Janë gjithsej 14 revista kulturore e letrare që kanë marrë financim nga Ministria e Kulturës për këtë vit me përkrahje prej 80 mijë eurosh në total. Jo fort dallime nga viti i kaluar ka në shumat e mbështetjes e titujt e revistave që janë financuar. 

Nga botues e autorë, mbështetja është konsideruar deri diku e mjaftueshme për të funksionuar, por se nuk krijon kushte për ngritje të cilësisë. 

Revista për kulturë e letërsi “Symbol” është njëra prej përfituesve të mbështetjes vjetore financiare.

Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet përkrahja për të është dhjetë mijë e 500 euro. 

Shkrimtari e botuesi Ag Apolloni, që deri dhjetorin e kaluar ishte edhe kryeredaktor i revistës, ka thënë se revistat i përshtaten buxhetit të ndarë. Ka thënë se shifra nuk është inkurajuese. 

“Mjetet e ndara nga MKRS-ja për revista janë gjithmonë të mjaftueshme, në kuptimin që revistat i përshtaten buxhetit. Nëse Ministria do t’i ndante vetëm një mijë euro, ne me ato do ta botonim revistën, duke e ulur cilësinë e shtypit, letrës, lidhjes e të tjera. Sivjet revista ‘Symbol’ qenka përkrahur si vitin e kaluar, pa lëvizur asnjë cent. Nuk më duket shifër inkurajuese, por është vendim që do të respektohet nga redaksia jonë”, ka thënë Apolloni duke theksuar kostot shtesë në punimin e revistës. 
Ka përmendur nevojën e mjeteve për përkthimin e komplet revistës në gjuhën angleze bashkë me pagesat në rrjetet ku bën pjesë, e të tjera procedura nëpër të cilat kalon revista para se të plasohet te lexuesi. Ka përmendur mundësinë e gjetjes së ndonjë sponsori. 

Revista “Symbol” si çdoherë, edhe sivjet do të publikojë tre numra brenda vitit. 

“Kjo shumë i mbulon shpenzimet për tre numrat, por nuk krijon kushte për ngritje të cilësisë. Megjithatë, shpresoj se vullneti i redaksisë së re do të bëjë diçka edhe në këtë drejtim. Gjithmonë kulturën, më shumë se parja, e ka mbajtur vullneti i idealistëve”, ka thënë Apolloni, profesor universitar. “Symbol” është revista e vetme e Kosovës e anëtarësuar nga viti 2016 në rrjetin më të madh evropian të revistave “Eurozine”. 

Në listën e publikuar nga Ministria e Kulturës figuron se revista “Kosova Imza” e mbështetur me 3 mijë e 500 euro e me po të njëjtën shumë edhe revistat “Zog Mëngjesi” dhe “Perspektiva”. “Orfeu” e “Fjalë e Valë” kanë marrë nga 2 mijë e 500 euro. 

Autori i kësaj të fundit, Alfred Beka, ka thënë se kishin bërë kërkesë për shumë më të madhe të përkrahjes financiare. Sipas tij, duhet të përshtaten honorarët për të nxjerrë tre numra të revistës brenda vitit. 

“Kemi bërë kërkesë për një shumë më të madhe, kjo është shuma që e kanë ndarë. Normalisht se kërkesa ka qenë që honorarët të jenë më të mëdha, por tash duhet të zbriten për të mbërritur të nxjerrim tre numra me këtë shumë”, ka thënë Beka. Revista për letërsi, art e kulturë “Fjalë e Valë” i kthehet publikut pas një pauze prej katër vjetësh. 

Revista për letërsi, kulturë, gjuhë dhe medie “Akademia” ka një rritje të lehtë në përkrahje nga viti i kaluar. Bashkë me revistën “Rilindja” janë përkrahur me nga 12 mijë e 500 euro. Të dyjat me 500 euro më shumë se vitin e kaluar. 

Botuesi i revistës “Akademia”, Berat Dakaj, ka thënë se tre vjetët e fundit, përkrahja ka qenë përafërsisht e njëjtë. Ai ka thënë se përkrahja më e madhe do të sillte cilësi më të madhe në përmbajtjen e revistës. 

“Kjo shumë mjafton që të botohen tre numra. Shpenzimet për revistë janë shtypi, redaktura, lektura, faqosja, dizajni, përkthimi e ilustrimi. Po të kishte përkrahje më të madhe do të angazhoheshim edhe më shumë për përkthim të teksteve të shkurtra dhe të gjata edhe për botim”, ka thënë Dakaj. 
Revista “Akademia” botohet tri herë në vit që zakonisht ka dhjetë rubrika. Një numër i saj vjen në 500-600 faqe me tirazh prej 500 copë. 

Revista “Jeta e Re” vazhdon të mbajë traditën që nga viti 1949. Botuesi i saj, Demë Topalli, ka thënë se krahasuar me rrethanat nëpër të cilat ka kaluar revista më parë, mbështetja është e mjaftueshme për ta mbajtur në jetë këtë botim. Ka thënë se është shumë solide. 

“Për mua si botues, janë të mjaftueshme këto mjete, për rrethanat tona. Nuk ka arsye të ankohemi, sepse në të kaluarën ka qenë ndryshe, por ka pasur lëvizje. Pra para dy vjetësh jemi përkrahur me 8 mijë euro, tash me 12 mijë e 500. Pjesën më të madhe të mjeteve e shpenzoj me honorarë të autorëve. Aq më mjafton, ta shtyp dhe ta paguaj kryeredaktorin. Për rrethanat e Kosovës është një shumë solide”, ka thënë Topalli. 

Ai ka thënë se revista shtypet në tirazh jo të madh, por se “puna e traditës dhe kualitetit është në pyetje”. Edhe kjo revistë shtypet çdo tre muaj me përmbajtje prej rreth 350 faqesh. 

Më së paku përkrahje në vlerë monetare kanë revistat “Metafora” dhe “Inci” nga Artan Krasniqi me nga një mijë e 500 euro. “Horizonti” ka përfituar 6 mijë euro përkrahje, “PEN Kosova” me 10 mijë e 500 euro, “Agmia” me 4 mijë e 500 euro dhe “Metafora” me botues Nezir Prokshin me 5 mijë euro. Lista për financimin e revistave letrare propozohet nga Këshilli i Librit. 

Konkursi për financim të revistave letrare për vitin 2024 ishte hapur më 29 janar. Kriter për pjesëmarrje ishte që botimet të kultivojnë vlera letrare artistike dhe kulturore. 

“Parasysh do të merren këto elemente: profilizimi programor; e botuar në vazhdimësi të paktën në dy vitet e fundit; forma grafike dhe realizimi teknik”, shkruhej në konkursin që kishte qëndruar i hapur për një muaj, deri më 29 shkurt. 

Vitin e kaluar Ministria kishte përkrahur revistat “Akademia” dhe “Jeta e Re” me nga 12 mijë euro, revistën “Symbol” me 10 mijë e 500 euro, “PEN Kosova” me 8 mijë euro, “Metafora” me autor Nezir Prokshin me 5 mijë euro. 

Me nga tre mijë euro ishin mbështetur financiarisht revistat “Pionieri”, “Perspektiva”, “Kosova Imza”, “Zog Mëngjesi” dhe “Agmia”. Revista “Yekhipe” ishte mbështetur me 2 mijë euro, ndërsa “Metafora” me autor Gëzim Ajgeraj ishte mbështetur me një mijë euro.