Rinovimi i një shtëpie në Kosovë, që i ka takuar një ministri në një Qeveri pronaziste në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ka nxitur protesta, me Gjermaninë që ka ngritur zërin për “shtrembërim” historik dhe Bashkimin Evropian e Kombet e Bashkuara që kanë ndërprerë projektin.
Shtëpia trekatëshe me tulla në Mitrovicë, e ndërtuar në vitet e ’30, nga arkitektë austriakë, ishte shtëpia e Xhafer Devës, që shërbeu si ministër i Brendshëm në Qeverinë progjermane më 1943 dhe 1944.
Në një deklarim të përbashkët, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë dhe Bashkimi Evropian kërkuan falje për anashkalimin e sfondit historik të Devës, kur shpallën projektin për restaurimin e shtëpisë si një vend të trashëgimisë kulturore.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, u shpreh shumë i shqetësuar për restaurimin.
“Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin apo krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, u shpreh Rohde në Twitter në fillim të javës, duke thënë se projekti rrezikonte të shtrembëronte historinë.
Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës në Kosovë, ka mbrojtur projektin e restaurimit në një konferencë për media, një ditë pasi BE-ja dhe UNDP-ja vendosën ta pezullojnë punën.
“Jemi duke restauruar monumentin, por jo historinë e Xhafer Devës”, ka thënë Çeku. Ai nuk ka konfirmuar nëse Qeveria e Kosovës do të vazhdojë punën e restaurimit.
Në kohën kur Deva ishte ministër, Kosova konsiderohej nga Gjermania si pjesë e Shqipërisë.
Historianët thonë se forcat e sigurisë nën urdhrat e Devës, që i shihte nazistët si aleatë për t’u përballur me komunistët, kryen mizori duke përfshirë masakrën e simpatizantëve të dyshuar antifashistë. Megjithatë, disa hulumtime të fundit kanë thënë se Deva mund të ketë ndihmuar në mbrojtjen e hebrenjve.
“Ai është kriminel lufte, ka kryer krime kundër kundërshtarëve të tij politikë, por personalisht kurrë s’ka pranuar që t’i dorëzojë listat e hebrenjve të Kosovës, pavarësisht këmbënguljes së autoriteteve naziste”, ka thënë Durim Abdullahu, profesor i historisë në Universitetin e Prishtinës.
Pas luftës, Deva u largua nga Kosova. Ai jetoi në disa vende evropiane përpara se të vendosej në Kaliforni, ku vdiq në vitin 1978.
Në Mitrovicë, ai është ende i njohur. Pak metra larg shtëpisë, një mur në sheshin kryesor është zbukuruar me fotografi të njerëzve të shquar nga qyteti, duke përfshirë Devën dhe kryeministrin në Qeverinë e kohës së luftës, Rexhep Mitrovicën.
Një dëshmitar i Reuters gjeti tri rrugë me emrin e Devës në Kosovë, duke përfshirë një në Prishtinë, disa qindra metra larg Ambasadës Gjermane.