Ende larg restaurimit të tërësishëm të objektit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, që kap vlerën e tre milionë eurove, ka nisur rritja e kostos. Ministria e Kulturës nëpërmjet procedurës së negocimit është marrë vesh për “punë shtesë”. Vlera monetare e saj është fiks 49 mijë e 950 euro. Përzgjedhja e kompanive është bërë në fund të nëntorit. Sipas përshkrimit të specifikave, do të bëhet largimi i inventarit nga të gjitha kthinat e parapara në bodrumin e objektit. Po ashtu edhe bartja e tyre deri në deponinë më të afërt legale
Veç dy muaj pasi Muzeut Kombëtar të Kosovës i është vënë dryni për procesin e “restaurimit të tërësishëm”, kontratës prej afro tre milionë eurosh, në emër të punëve shtesë i janë shtuar edhe gati 50 mijë euro të tjera. Pa thirrje publike, krejt kjo është bërë me negocim në tavolinë me konsorciumin që po bën restaurimin.
Në fund të shtatorit Muzeu Kombëtar i Kosovës qe mbyllur, të paktën për 18 muaj, shkaku i restaurimit. Menjëherë pas ka filluar puna në depon e institucionit ku mbahej thesari i luajtshëm i trashëgimisë kulturore.
Me fiks 2 milionë e 946 mijë e 757 euro MKRS-ja kishte vendosur që grupi i operatorëve ekonomikë “Froni 1 Sh.P.K” dhe “Çeta-General Invest Group” ta marrë përsipër implementimin e projektit më kompleks të punuar deri më tash për këtë monument. Në procedurën e prokurimit, që ishte hapur në maj të këtij viti, për MKK-në dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës, sipas shkresave të lëndës, kishin konkurruar dy konsorciume. Po tash, situata ka ndërruar. Po me këta operatorë ekonomikë, Ministria e Kulturës nëpërmjet procedurës së negocimit është marrë vesh për “punë shtesë”. Vlera monetare e saj është fiks 49 mijë e 950 euro. Përzgjedhja e kompanive është bërë në fund të nëntorit.
Sipas përshkrimit të specifikave, do të bëhet largimi i inventarit nga të gjitha kthinat e parapara në bodrumin e objektit. Po ashtu edhe bartja e tyre deri në deponinë më të afërt legale.
“Furnizimi me të gjithë materialin e nevojshëm dhe betonimi i strukturave me beton C-25/30 për traun shtangues të themelit, sipas detalit: D09.1 dhe D09.2 të dhënë me sqarime nga hartuesi i projektit. Në çmim të përfshihet edhe furnizimi me të gjithë materialin e nevojshëm dhe vendosja e armaturës me profile të cilësisë S 500 sipas detajit”, shkruhet në specifikacione. Aty tregohet se në çmim përfshihet furnizimi me zhavorr dhe ngjeshja e tij për të krijuar bazën e mbështjellësit.
“Të punohet sipas udhëzimeve të projektuesit dhe gjendjes faktike në terren. Ky pozicion përfshin vetëm përforcimin e nevojshëm me beton dhe armaturës sipas detajit të dhënë në tërë perimetrin e themelit të ndërtesës së vjetër. Ky pozicion ekzekutohet pas pastrimit të themelit dhe cokullës dhe riparimit të tyre”, shkruhet në specifika.
Krejt në fund hyn edhe demolimi i strukturave të betonit të armuar, rreth objektit.
“Në çmim kalkulohet dhe largimi i materialit të demoluar deri në deponinë më të afërt legale”, përfundojnë specifikacionet.
Ministria e Kulturës për shtatë ditë nuk është përgjigjur se përse pak kohë pas nisjes së punimeve është dashur të kontraktohen punë shtesë me dy punëkryesit e angazhuar.
Afro 100 mijë euro ka kushtuar vetëm projekti për të ndërhyrë në institucionin më të lartë muzeor në vend. Për herë të parë do të intervenohet në depon e muzeut. Problemet aty janë të shtresuara ndër vite. Kushtet aspak brenda parametrave e nganjëherë edhe lagështia ka qenë e tepërt. Për disa muaj në një pjesë ka qëndruar edhe uji. MKRS-ja ishte vonuar për të blerë një motor për ta nxjerrë atë. Por tash, me tre milionë synohet shumë.
MKK-ja tashmë ka përfunduar fazën përgatitore. Ka bërë zhvendosjen e eksponateve nga depot – bodrumi – në hapësira të tjera.
“Ka qenë një fazë që është dashur të merreshin masa për sigurinë e fondit dhe ndërtesës. Ato procese janë mbyllur. Tash ne stafi teknik e profesional kemi filluar zhvendosjen e fondit nga depoja në hapësirat e caktuara. Zhvendosja ka filluar me pjesën e historisë. Jemi marrë me koleksionet e drurit dhe po vazhdon trajtimi i tekstilit”, kishte treguar drejtoresha e MKK-së, Vjollca Aliu, në fund të shtatorit.
Muzeu me ekspozitë të përhershme, apo siç quhej asokohe ekspozitë bazë, është bërë në shkurtin e vitit 2018. Shuma e investuar kishte kaluar 300 mijë euro. Ajo ekspozitë qe kritikuar goxha nga shumë profesionistë. Por, drejtori i asokohshëm i MKK-së, Skënder Boshtrakaj, kishte thënë se edhe “Muzeu i Kosovës është Kosovë”.
Pos që është punuar nxitimthi, nuk është respektuar në përqindje të madhe as koncepti i punuar nga grupi punues, ku bënin pjesë: Edi Shukriu, Gazmend Riza, Florina Jerliu, Bujar Demjaha, Agim Rudi, Arben Hajdari, Zanita Halimi, Milot Berisha, Elvis Shala, Skënder Boshtrakaj e Vjollca Aliu.
Kurse sa u përket ndërhyrjeve restauruese institucioni ka një histori të gjatë. Në periudhën prej vitit 2012 deri më 2015 në objekt janë shpenzuar afro 200 mijë euro. Që nga rinovimet e vitit 1983, në objektin e Muzeut Kombëtar të Kosovës nuk ishte ndërhyrë deri në vitin 2012, kur është shtruar dyshemeja dhe janë rregulluar tualetet. Kjo punë kishte zgjatur me muaj. Edhe atëherë kishte pësuar agjenda vjetore e këtij institucioni. “Euroing” nga Suhareka qe kompania e cila për 180 mijë euro kishte shtruar me granit të porositur nga Italia dyshemenë në të tri katet e muzeut. E njëjta kompani fitoi edhe tenderin prej 10 mijë eurosh për rregullimin e tualeteve.
Në vitin 2015 një konsorcium “NBT-ING” dhe “As-ing” nga Suhareka kishte marrë përsipër atë që u quajt rinovim i tërësishëm për 230 mijë euro. Depot nuk qenë prekur. Në dhjetor të atij viti ishte lidhur edhe aneks-kontrata në vlerë prej 22 mijë e 587 eurosh. Por, nuk kishte përfunduar me kaq. MKRS-ja kishte vendosur që të ketë prapë punë shtesë në vlerë mbi 33 mijë eurosh konsorciumit të njëjtë. Të gjitha “procedurat” qenë zhvilluar midis tyre, qe nënshkruar marrëveshja pa u përfillur Ligji për prokurimin publik, pa kaluar kontrata nëpërmjet Komisionit rregullativ të prokurimit publik dhe pa hapur thirrje publike për pranimin e ofertave. Marrëveshja titullohej “Raport i ndryshimit të pozicioneve në projektin ‘Rinovimi i godinës së Muzeut të Kosovës’” dhe, sipas saj, për shkak të nevojave të domosdoshme dhe mosparashikimit të disa punimeve në projekt, paramasë e parallogari, me kërkesën e drejtorit të muzeut ishte “marrë vendim që të punoheshin disa pozicione të paparapara në projekt, si dhe të bëheshin disa ndryshime brenda paramasës dhe parallogarisë së projektit me qëllim të funksionalizimit të projektit”. MKRS-ja e kishte kundërshtuar këtë pagesë nëpërmjet një shkrese drejtuar Thesarit të Shtetit. Por, Ministria e Financave e kishte bërë pagesën. Krejt investimet e bëra pas luftës së fundit, veç në ndërtesë dhe ekspozitën e përhershme, pa përfshirë projektet vjetore, kapin shifrën e mbi 770 mijë eurove.