Dhjetëra fotografi statike e lëvizëse, bashkë me veprat e artit flasin për dhimbjen, sakrificën, humanizmin e qëndresën e fundshekullit të kaluar. Dokumentimi i vrasjeve vjen si artefakt historik në zemër të Prishtinës, në atë që dikur ishte shtëpia e mallrave “Gërmia”. Muze më vete është ekspozita “Reporting House” sa i përket përmbajtjes që shpalos.
Imazhet nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë janë përherë rrëqethëse. Nuk ka censurë aty, pasi i pacensuruar ishte përjetimi i tmerrshëm i secilit shqiptar. Fotografi e filmime nga masakrat, ballafaqimi me lajmet e kobshme, dhimbjet e humbjes, largimin me dhunë nga vendi janë veç një pjesë e rrëfimit. Me krejt këto dhe jo vetëm, publiku është njoftuar nëpërmjet punës së gazetarëve, kameramanëve e fotografëve si punonjës të mediave.
Po mediat e kanë sjellë kontributin e dikurshëm duke e dëshmuar atë si mjet të fuqishëm në zbulimin e së vërtetës. Këtë e ka pohuar fotografi amerikan Ron Haviv, i cili ka raportuar nga vatrat e luftërave. Edhe nga ajo në Kosovë.
“Mendoj se fotografia është jashtëzakonisht e fuqishme në këtë drejtim, sepse pak pas lufte kam pasur një bisedë me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara dhe ai pati thënë se një prej arsyeve pse kanë intervenuar në Kosovë shumë më shpejt sesa në Bosnjë ka qenë për shkak të fotoreporterëve”, ka thënë Haviv.
Kosovën sot e sheh si frymëzim për Ballkanin.
“Jam i kënaqur të shoh se ku është Kosova sot, sidomos në krahasim me Bosnjën. Kosova është frymëzim për Ballkanin dhe mendoj se ukrainasit sot do të marrin shembull se si të ringjallen sërish”, ka thënë ai më tej.
Pos në shtëpinë e mallrave “Gërmia”, ekspozita “Reporting House” do të shtrihet edhe në Hamamin e Prishtinës dhe në galerinë “Paper”.
Kuruar nga Jeta Xharra dhe Gazmend Ejupi, ajo shpalos kohën kur reporterët ishin luftëtarët e së vërtetës. Aty janë fotografitë, incizime e dokumentarë nga Vaughan Smith, Jeremy Bowen, David Loyn, Flaka Surroi, Alban Bujari, Ilaz Bylykbashi, Ridvan Slivova, Paul Lowe, Donika Shahini, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Hazir Reka, Gzmend Avdiut, Eki Rrahmanit e shumë të tjerë.
Si pjesë e ekspozitës janë prezantuar rreth 150 storie televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, televizioni publik gjerman “Das Erste”, televizioni publik japonez “Nippon TV”, ai irlandez “RTE”, televizioni holandez “EO 2 Vandaag-TV”, spanjolli “Tele 5” si dhe “Frontline Television News”, televizion amerikan.
Gazmend Ejupi, i cili e ka kuruar ekspozitën bashkë me Jeta Xharrën, ka thënë se ideja ka qenë t’u ofrohet të rinjve platforma për të mësuar të kaluarën.
“Koncepti kuratorial ka filluar me angazhimin e Jetës për të pasur një ekspozitë për 25-vjetorin e Çlirimit. Ideja është të japim një platformë për të rinjtë që të dinë një histori të së kaluarës. Pos reportazhit, pasi ideja ka qenë të jetë e lidhur me gazetarinë, kemi filluar gjithashtu të diskutojmë për të ftuar artistë të tjerë që kanë punë me mediumin e videos, por që kanë referencë për luftë, emigrimin”, ka thënë Ejupi derisa ka thënë se kjo ekspozitë kërkon më shumë kohë për ta eksploruar të tërën.
“Është një hapësirë rreth 1770 metra katrorë dhe është kuratuar në mënyrë minimale që ka hapësirë për shikuesin të shëtis, por nuk është ekspozitë që e sheh për një ditë. Është një lloj procesi edukativ që ka referenca me shumë rëndësi të dokumentarëve të cilët marrin kohë”, ka thënë ai.
Ekspozita përfshin edhe punët e artistëve Vullnet Jakupi, Vita Kasapolli, Anri Sala, danezin Olafur Eliasson, Adrian Paci, ukrainasen Zhanna Kadyrova, boshnjaken Lana Çmajçanin, Gonçalo Mabunda, dhe Lala Meredith Vula.
“Artisti në këtë rast nuk ka qenë prioritet, por ka qenë një kompliment i cili lidh punën e gazetarëve. Kemi shtatë artistë. Kemi Lala Meredith-Vula që hapet në Hamam këtë javë si dhe Paper Gallery, e cila për herë të parë e instalon një video dhe një dokumentacion, artefakt”, ka thënë më tej kuratori Ejupi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e vërteta as nuk mund të mohohet e as të ndryshohet, pasi ka ndodhur falë reporterëve.
“Pikërisht për shkak të storieve të këtyre gazetareve u njoh e vërteta për Kosovën dhe siç e them rëndom në çdo diskutim, në çdo prezantim në samite ndërkombëtare e vërteta as nuk mund të mohohet as nuk mund të ndryshohet, sepse ajo ka ndodhur para syve të botës dhe arsyeja pse ka ndodhur para syve të botës janë këta njerëz që i shihni ju këtu, i falënderoj për kontributin”, ka thënë Osmani.
“Reporting House” ka ngjallur emocione e kujtime tek vizitorët e kësaj ekspozite. Profesoresha universitare Remzie Shahini-Hoxhaj ka kujtuar rezistencën studentore gjatë viteve ’90. Pamjet nga protestat masive e kanë kthyer në aktivizmin për pavarësimin e institucioneve arsimore.
“Këto pamje ngjallin emocion, tregojnë një histori shumë të trishtë, një histori të re të Kosovës. Është shumë mirë që është marrë kjo iniciativë të organizohet kjo ekspozitë, sepse të rinjtë tanë duhet të dinë se kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë. Nëpërmjet saj kemi arritur deri te liria. Neve na është cenuar liria e shprehjes, fjala, shkollimi dhe unë besoj se shumë shpejt harrojmë nëse nuk i ripërtërijmë këto ngjarje”, ka thënë Shahini-Hoxhaj për të cilën edhe vetë hapësira ekspozuese është histori më vete dhe i ka ngjallur nostalgji.
Fotografi Burim Myftiu e ka konsideruar ekspozitës si prej më të bukurave të hapura përgjatë një çerekshekulli.
“Është një paraqitje e mrekullueshme dhe një prej ekspozitave më të bukura të pasluftës. Është një përmbledhje e mrekullueshme por mbi të gjitha është fenomeni i riaktivizimit të qendrës tregtare ‘Gërmia’, shtëpisë së parë të mallrave në Prishtinë dhe ëndrra e gjithkujt që ky objekt të rifunksionalizohet e aq më mirë si galeri arti”, ka thënë Myftiu.
Ekspozita përkon me 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Është punuar nga shtëpitë mediale “BIRN Kosova”, “KALLXO.com” dhe “Bienalja e Prishtinës” dhe “Paper Gallery” dhe do të jetë e hapur deri në javën e dytë të muajit shtator.