Kulturë

Reliktet e Titanikut në ankandin e radhës: orë xhepi e kuti violine

Titanic

“Titanicu” kishte goditur një ajsberg në udhëtimin e saj të parë nga Anglia në New York, më 15 prill 1912 (Foto: AP)

Fanatikët e historisë tragjike të Titanikut do të kenë mundësinë që të posedojnë pjesë reale nga anija. Gjësendet në ankand pritet të shkojnë për shuma potencialisht të mëdha, pasi disa nga artikujt u morën nga trupat e atyre që humbën jetën në këtë katastrofë

Më 15 prill të vitit 1912 anija e pasagjerëve “RMS Titanic”, operuar nga White Star Line, kishte goditur një ajsberg në udhëtimin e saj të parë nga Anglia në New York. Si rezultat i atij aksidenti ajo u fundos. Rreth 1500 pasagjerë që ishin në anije mbetën të vdekur. 

Kjo histori e trishtë e Titanikut vazhdon e përkujtohet kaherë si pjesë e pandashme e pop-kulturës në botë. Më së shumti, ky përkujtim ngjan nëpërmjet filmit të James Cameronit “Titanic”, i cili u dha premierë më 1997. Aty luajnë Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet. 

Por, tani fanatikët e kësaj historie do të kenë mundësinë që të posedojnë pjesë reale nga Titaniku. Ata do të mund të marrin pjesën e tyre të kësaj historie tragjike.

“Henry Aldridge & Sons Ltd” po organizon një ankand me relikte nga Titaniku më 27 prill në Weltshire të Anglisë. Gjësendet në ankand pritet të shkojnë për shuma potencialisht të mëdha, pasi disa nga artikujt u morën nga trupat e atyre që humbën jetën në këtë katastrofë.

Vitin e kaluar, një meny nga restoranti i anijes u shit për afro 100 mijë euro, ndërsa një orë xhepi nga një pasagjer rus u shit për 113 mijë euro. Dhe së fundi, në këtë vit, dera famëkeqe lundruese e filmit u shit për 663 mijë 000 euro në ankandin e filmave të Hollywoodit.

Në ankandin e kësaj jave është përfshirë edhe kutia prej lëkure e njërës prej violinave në të cilën u luajt teksa anija po fundosej. Violinistët që përpiqeshin dëshpërimisht të mbanin pasagjerët të qetë me performancën e tyre janë përjetësuar në filmin e vitit 1997 me fjalët e përdorura në film: “Zotërinj, ishte një privilegj të luaja me ju sonte”.

Përderisa Wallace Hartley, violinisti që frymëzoi skenën e famshme, vdiq në fundosjen e anijes, violina e tij dhe kutia e saj mbijetuan. Vetë instrumenti konsiderohet si artikulli më i vlefshëm në lidhje me Titanikun dhe aktualisht është i ekspozuar në Muzeun e Titanikut në Belfast.

Ju mund të mos jeni në gjendje të zotëroni violinën, por mund të zotëroni kutinë e saj. Henry Aldridge & Sons vlerëson se kur ajo do dalë në ankand do të arrijë çmimin prej 140 mijë eurosh.

“Violina e Wallace Hartley është pjesa më ikonike e relikteve të Titanikut e shitur ndonjëherë në ankand”, ka thënë drejtuesi i ankandit, Andrew Aldridge. “Sidoqoftë, ajo nuk do të kishte mbijetuar nëse nuk do të ishte në këtë çantë lëkure. Rripat e gjatë do të ishin përdorur nga Wallace për të lidhur çantën për vete, derisa Titaniku po fundosej. Ajo shërbeu që instrumenti të mbrohej nga uji i kripur i detit”, ka thënë ai.

Mirëpo, kjo çantë nuk është artikulli që shtëpia e ankandeve pret të shitet më së shtrenjti. Më i çmueshmi artefakt pritet të jetë një orë xhepi që i përkiste John Jacob Astor IV, një biznesmen nga SHBA-ja, i cili ishte edhe nënkolonel në Luftën Spanjollo-Amerikane, i cili humbi jetën gjatë fatkeqësisë detare.

Në kohën kur u fundos anija, 47-vjeçari Astor ishte një nga njerëzit më të pasur në Botë dhe zotëronte prona duke përfshirë hotelin “Waldorf-Astoria”. Ai bëri udhëtimin në Titanik me gruan e tij 18-vjeçare të porsamartuar, Madeleine Astor dhe personalitetin e shquar Molly Brown.

Ndërsa gruaja e tij dhe Brown u transportuan në varkat e shpëtimit, Astorit iu tha se duhej të priste derisa të gjitha gratë dhe fëmijët të ishin të sigurt përpara se të bashkohej me to. Ai u largua mënjanë dhe piu një cigare ndërsa ato u shpëtuan. Ora e tij e artë e xhepit pritet të shitet deri në 175 mijë euro.

Në mesin e eksponateve të tjera nga anija janë enët, një tabelë shahu, letra nga pasagjerët dhe copëza gazetash. Blerësit mund të bëjnë ofertë edhe për një koleksion DVD-sh dhe librash që lidhen me fundosjen famëkeqe. Ato do të kushtojnë rreth 35 euro.

Marrë nga “EuroNews”. Përktheu: Enis Bytyqi