Kulturë

Reforma në mbrojtje të trashëgimisë me më shumë inspektorë e kompetenca

Shëmbja e monumentit të njohur si “Konsulata austriake” por edhe si “Konsulatë ruse” në “Prishtinën e Vjetër”, më 6 mars të vitit 2018

Ministria e Kulturës ka themeluar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore më 2018. Por tash, duke u detyruar nga Ligji për inspektimet, ka përpiluar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Në foto: Shëmbja e monumentit të njohur si “Konsulata austriake” por edhe si “Konsulatë ruse” në “Prishtinën e Vjetër”, më 6 mars të vitit 2018

Foto: Driton Paçarada

Në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës ka projektuar zgjerim kompetencash e stafi të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Ka sponsorizuar projektligjin që parasheh Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Do të jetë agjenci ekzekutive në kuadër të MKRS-së. Por tash Inspektorati parashihet të ketë edhe funksione që nuk ia ka. “IQTK-ja mund të inspektojë nxjerrjen e akteve, me të cilat lejohen ndërhyrje ndërtimore dhe zhvillime të tjera brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore pritet të hyjë në një fazë të re. Ky mekanizëm në kuadër të Ministrisë së Kulturës do t’i nënshtrohet reformimit, nëpërmjet të cilit do të përfitojë staf më të madh e kompetenca më të zgjeruara. Planet janë që të shtrihet edhe në nivel rajonesh dhe të ketë të drejtë deri te inspektimi i akteve që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Krejt kjo parashihet me Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Ministria e Kulturës ka themeluar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore më 2018. Por tash, duke u detyruar nga Ligji për inspektimet, ka përpiluar Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Shteti do të reformojë sistemin e tërësishëm të inspektorateve duke pasur tetë inspektorate qendrore. Midis tyre edhe Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Sipas Projektligjit që së shpejti pritet të jetë në lexim të parë në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës, Inspektorati do të jetë agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por tash, Inspektorati parashihet të ketë edhe funksione që nuk ia ka. 

“IQTK-ja mund ta inspektojë nxjerrjen e akteve, me të cilat lejohen ndërhyrje ndërtimore dhe zhvillime të tjera brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, nëse për të njëjtat janë respektuar procedurat sipas dispozitave të ligjeve në fuqi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, përcaktohet te neni 6 i Projektligjit. Po aty qartësohet se “nëse konstatohet se leja si në paragrafin 1 të këtij neni është lëshuar në shpërputhje të dispozitave ligjore në fuqi, IQTK-ja nxjerr vendim, me të cilin e obligon nëpunësin e organit kompetent që të pezullojë apo shfuqizojë lejen përkatëse brenda afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor”. E në rast se personi përgjegjës nuk e respekton vendimin e Inspektoratit, atëherë ky veprim “përbën shkak për inicim të procedurës penale dhe/apo kundërvajtëse ndaj personit përgjegjës”. 
Sa u përket kompetencave, kjo është e vetmja që Inspektorati nuk e kishte deri tash. Pavarësisht një debati goxha të madh që është bërë më 2018 kur qe nxjerrë Rregullorja për kompetencat e Inspektoratit, nuk qe përfshirë edhe mundësia që Inspektorati të ketë të drejtë të inspektojë e anulojë aktet që kanë të bëjë me zonat e mbrojtura. Të drejtën e ndalimit të punimeve e ka gëzuar gjithnjë. Por tash e ka edhe atë për inspektim e anulim të vendimeve. Qëllimi është që të ketë mbikëqyrje të lejeve ndërtimore, nëpërmjet të cilave, siç ndodh rëndom, pëson trashëgimia kulturore. 

Ky projektligj ka marrë miratimin e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të martën. 

Para anëtarëve të këtij Komisioni, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka sqaruar se në kuadër të reformimit të sistemit të inspektimit në vend, pas miratimit të Ligjit për inspektime dhe themelimit të Zyrës së Inspektoratit të përgjithshëm të Kosovës, është paraparë edhe rregullimi i bazës ligjore për themelimin e inspektorateve qendrore. 

“Nëpërmjet këtij ligji themelohet Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore si agjenci ekzekutive. Pra, nga një trup brenda MKRS-së, tashmë fuqizohet në nivel të një agjencie ekzekutive, duke mundësuar përmirësimin e kushteve të ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vend”, ka thënë ministri Çeku. Sipas tij, ky mekanizëm institucional, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e tjera inspektuese dhe me inspektoratin e përgjithshëm, do të mundësojë përmirësimin e procesit të inspektimeve, mbrojtjen dhe përmirësimin e gjendjes së monumenteve në trashëgiminë kulturore, duke krijuar një mjedis më të sigurt për monumente në Republikën e Kosovës. Në këtë rast, ka thënë se me funksione të reja e të fuqizuara, Inspektorati do të ndikojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. 
Sipas nenit 4 të Projektligjit, IQTK-ja ushtron juridiksionin në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe organizohet në nivel qendror dhe në degë lokale ku degët lokale mund të përfshijnë territorin e një ose më shumë komunave. Deri me tash, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore nuk ka pasur degë rajonale apo lokale. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka sqaruar se planet janë që qendrat rajonale të Trashëgimisë Kulturore në të ardhmen të kenë edhe inspektorë. 

“Janë QRTK-të që tashmë do të kenë të paktën një inspektor, besoj edhe më shumë, sipas nevojës. Besoj që kjo e fuqizon punën e QRTK-ve, por edhe të Inspektoratit që pos atij qendror, tash do të ketë edhe organizim rajonal”, ka thënë ministri Çeku. 

Aktualisht, Inspektorati i Trashëgimisë kulturore ka zëvendësuesen e kryeinspektorit, Gjejlane Hoxha dhe dy inspektorë: Labërie Dakaj dhe Pajtim Zogaj. Praktikisht aktualisht funksionon me një inspektor, pasi Dakaj është në pushim të lehonisë. 

Zëvendësuesja e kryeinspektorit, Gjejlane Hoxha ka thënë se pas miratimit të projektligjit, Inspektori Qendror ka të drejtë të organizohet në nivel të vendit.

“Tash besoj që kur të bëhet rregulloja e strukturës organizative do të parashihet që të ketë së paku nga një inspektor të QRTK-së, edhe pse një nuk besoj se mjafton”, ka thënë ajo. Sipas saj, Inspektorati inspekton të gjitha kategoritë ligjore të trashëgimisë kulturore me të gjitha elementet përbërëse të tyre. Sipas saj, në qendër duhet të jenë së paku katër ekipe me nga dy inspektorë. Sa u përket inspektimeve të akteve që kanë të bëjnë me zonat e mbrojtura të trashëgimisë kulturore, ajo ka thënë se nëse një akt administrativ, për shembull, leje ndërtimore, lëshohet pa pëlqim nga institucioni kompetent i trashëgimisë kulturore, Inspektorati do ta ketë mundësinë të ndërhyjë. 
“Ideja është që të parandalohet që të ndodhë e keqja”, ka thënë ajo. Sipas Hoxhës, problemet e mangësitë që janë hasur ndër vite, tash janë përkufizuar në projektligj. Planifikohet që Inspektorati Qendror të ketë 12 deri në 15 veta në staf. 

Neni 5 i projektligjit përcakton funksionet dhe përgjegjësitë e Inspektoratit Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Aty përcaktohet se IQTK-ja është përgjegjëse për kontrollin dhe vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe, sipas nevojës, ndërmerr masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Kjo agjenci do të mbikëqyrë zbatimin e legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore. 

“Inspekton në mënyrë të pavarur asetet e trashëgimisë kulturore dhe bën vlerësimin e kushteve dhe gjendjes së ruajtjes së trashëgimisë kulturore, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi; Urdhëron ndalimin e menjëhershëm të çdo lloj pune të paautorizuar në asetet e trashëgimisë kulturore; Urdhëron ndalimin e punëve konservuese dhe restauruese në rast të identifikimit të parregullsive gjatë zbatimit të tyre, dhe derisa kushtet e nevojshme të plotësohen për përmbyllje të punëve të tilla”, shkruhet te ky nen. 

Inicimi i procedurave të kundërvajtjes dhe atyre penale ndaj personave që kanë dëmtuar apo shkatërruar asetet e trashëgimisë kulturore është po ashtu midis kompetencave. 

“Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, dhe inspektoratet qendrore dhe lokale të fushave të tjera përkatëse të inspektimit në kompetencë të administratës shtetërore dhe rajoneve në Republikën e Kosovës, në adresimin dhe trajtimin e çështjeve të përbashkëta”, përcaktohet në Projektligj. Pas miratimit të Projektligjit në Kuvend duhen edhe akte nënligjore që IQTK-ja të jetë funksionale sipas legjislacionit të ri. 

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, i paraparë qysh prej miratimit të Ligjit për trashëgimi kulturore më 2006, qe themeluar më 2018 në kohën kur MKRS-ja udhëhiqej nga ish-ministri Kujtim Gashi. 

“Ky mekanizëm, ky inspektorat do të jetë edhe instrument i rëndësishëm, i cili do të jetë në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, do të jetë gjatë 24 orëve në monitorim të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe jam shumë i vetëdijshëm që këta kolegë të mi që do të punojnë në kuadër të kabinetit tim, do të kenë një punë jashtëzakonisht të madhe që i pret, sepse ju e dini që deri më tani ndoshta edhe si mungesë e inspektorëve të trashëgimisë kulturore ne kemi pasur shpeshherë edhe shkatërrim të trashëgimisë kulturore”, kishte thënë Gashi.

Sipas tij, mungesa e këtij mekanizmi ka ndikuar po ashtu edhe në degradimin e objekteve kulturore në shumë qytete të Kosovës.

Gashi kishte thënë se Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore do ta fillojë punën me tre inspektorë, por që sipas tij do të bëjë kërkesë në Qeveri si dhe në Ministrinë e Financave që të rritet numri i tyre. Por prej atëherë, stafi ka mbetur me tre inspektorë – përfshirë kryeinspektorin – dhe një zyrtare administrative.