Përfaqësues të shtëpive botuese dhe mediave të shkruara thonë se rritja e planifikuar e TVSH-së mund t’i japë fund veprimtarisë së tyre. Lëvizja “Evropa tani” në koalicionin qeverisës pretendon se kjo nuk mund të ndodhë. Nga ana tjetër opozita thotë se ky është një sulm i papranueshëm ndaj kulturës dhe arsimit dhe se propozimi duhet të tërhiqet. Ministria e Financave premton se do ta shqyrtojë mundësinë e uljes së TVSH-së
Prej 7 në 15 për qind është paraparë rritja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për librin dhe veprimtarinë botuese sipas Strategjisë Fiskale të Qeverisë së Malit të Zi. E një paralajmërim i tillë ka nxitur reagimin e botuesve dhe drejtuesve të mediave të shtypura si “Dan”, “Vijesti” e “Pobjeda” që kanë alarmuar se nëse miratohet kjo rritje për pasojë mund të ketë shuarjen e gazetave ditore në Mal të Zi, duke rikujtuar se jo fort kohë më parë me Strategjinë qeveritare për Mediat, është paraparë heqja e plotë e TVSH-së për botime, e tash ajo përkundrazi po rritet.
Edhe nga partitë opozitare kanë thënë se nuk guxohet që në këtë mënyrë të goditen kultura dhe edukimi.
“Çmimi i librave për nxënësit e shkollave të mesme do të rritet. Prej kësaj pjese të Strategjisë fiskale duhet hequr dorë nëse mendohet për të ardhmen e të rinjve dhe për rëndësinë e kulturës, Për këtë çështje po hesht ministrja e Kulturës dhe e Mediave dhe mendoj se ky është momenti kur pritet reagimi i saj sepse për këtë çështje duhet të flasim zëshëm”, ka thënë deputetja e Partisë Demokratike të Socialistëve, Zoja Bojaniq – Lalović.
Ministrja e Kulturës dhe e Mediave, Tamara Vujoviq, nuk i është përgjigjur “Vijestit” në lidhje me pyetjen nëse e përkrah këtë plan të Qeverisë së Malit të Zi.
Prej Partisë Socialdemokrate kanë thënë se ky model nuk çon kurrfarë efekti të dukshëm fiskal
“Janë ca milionë në vit, e dy miliardë e 600 milionë euro janë shpenzimet. Rritet administrata, shpenzimet në administratën publike rriten, keni alamet shifrash të kontratave mbi vepër për ta gërryer këtë aparat shtetëror të cilit po ia shohin punën se çfarë e ka, e për këtë ju duhet ta ndëshkoni ‘popullin e thjeshtë’ dhe ta godisni kulturën dhe arsimin. Kjo është e papranueshme”, ka thënë deputeti i kësaj partie, Boris Mugosha.
Nga lëvizja qytetare URA kanë thënë se një lëvizje e tillë populiste tregon mungesën e kujdesit të Qeverisë për zhvillimin kulturor të shoqërisë malazeze dhe i ka bërë thirrje që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë zgjidhje alternative që nuk do ta rrezikojnë këtë sektor.
Ministria e Financave ka njoftuar se do ta shqyrtojë mundësinë e uljes së TVSH-së së propozuar. Nga lëvizja “Evropa tani” që është pjesë e Qeverisë kanë thënë se duhet pritur deri në përfundim të debatit publik për Strategjinë Fiskale përderisa kritikat i ka cilësuar si të pabaza.
“Nuk e shoh si mund ta vështirësojë, ta mbyllë, ta shkatërrojë këtë fushë, nuk shoh vend për këtë, por sigurisht kur rritet apo futet një taksë, të gjithë e kanë problem këtë. Që dikush të kërkojë që të mos rritet, për mua është një qëndrim krejtësisht legjitim, por gjatë debatit publik duhet të dëgjohet çdo kritikë dhe propozuesi i dokumentit t’i përgjigjet asaj kritike. Do ta presim tekstin përfundimtar të Strategjisë Fiskale”, ka thënë deputeti i lëvizjes “Evropa tani”, Vasilije Çarapiq.
Nga lëvizja “Demokratët” kanë thënë se presin një zgjidhje kompromisi.
“Shpresoj se nuk do të vijë deri këtu, gjithmonë ka hapësirë që në marrëveshje me Qeverinë të veprojmë në mënyrë amendamentuese. Të sigurohen fonde shtesë, që sigurohen ndoshta nga disa pozita të tjera dhe të ruhet kjo zonë shumë e rëndësishme sociale dhe kulturore”, ka thënë deputeti Nikola Rovçanin.
Propozimi për rritjen e TVSH-së për librat dhe shtypin u kritikua edhe nga presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, i cili me ironi ka shkruar në X. “Pse duhet të lexojmë libra dhe shtypin e lirë? Le t’ua dërgojë Qeveria të gjithëve një buletin elektronik që të dimë si e për çka të mendojmë. Radio Televizioni i Malit të Zi më pas, si dikur, të njëjtin buletin do të mund t’ua lexonte në Lajme të gjithë atyre që s’e kanë lexuar”, ka shkruar ai.
Marrë nga “Vijesti”. Përktheu: KOHA