Përderisa në vitin 2022 janë mbështetur 4 projekte të tilla, me konkursin që zyrtarisht përthekon vitin 2023 dhe 2024 janë përkrahur vetëm dy projekte për film të gjatë artistik. “Kthimi në mal” nën regji dhe me skenar të Antoneta Kastratit dhe “Zbardhe” nën regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës janë projektet që do të mbështeten në këtë kategori. Konkursin e fundit të dhjetorit të vitit të kaluar QKK-ja ka arritur ta finalizojë tek në fillim të javës
Se Qendra Kinematografike e Kosovës e ka humbur hapin me afat të konkursit për subvencionimin e projekteve kinematografike është gjë që dihet prej vjet. Por duket se ky institucion e ka humbur hapin edhe të paktën me numrin e projekteve që i përkrah për realizim të filmave të metrazhit të gjatë artistik.
Përderisa në vitin 2022 janë mbështetur 4 projekte të tilla, me konkursin që zyrtarisht përthekon vitin 2023 dhe 2024 janë përkrahur vetëm dy projekte për film të gjatë artistik. “Kthimi në mal” nën regji dhe me skenar të Antoneta Kastratit dhe “Zbardhe” nën regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës janë projektet që do të mbështeten në këtë kategori.
Konkursin e fundit të dhjetorit të vitit të kaluar, QKK-ja ka arritur ta finalizojë tek në fillim të javës. Të hënën janë publikuar listat e projekteve që do të mbështeten në 11 kategori. Është thënë se të martën do të publikohen edhe vlerësimet financiare po kjo nuk ka ndodhur.
Për film të gjatë artistik janë diskualifikuar projekte të regjisorëve si Isa Qosja, Agim Sopi, Edon Rizvanolli e Luana Bajrami. Në këtë kategori ishin në konkurrencë gjithsej 14 projekte.
Sivjet projektet për film të metrazhit të gjatë artistik janë vlerësuar nga kinematografët Iris Elezi, Wouter Jansen, Veton Nurkollari, Alesh Pavlin dhe Ema Andrea, kurse te kategoria e filmave të shkurtër në juri kanë qenë artistët Melihate Qena, Kreshnik Shala, Erenik Beqiri, Blerina Hankollari, Gazmend Bajri dhe Erblin Nushi.
Te kategoria e filmit të shkurtër artistik janë përkrahur gjashtë projekte që për regjisor kanë Noar Sahitin, Leart Ramën, Anita Morinën, Ermal Gërdovcin, Likana Canën e Ibër Dearin.
Te dokumentarët e metrazhit të gjatë do të mbështeten projektet nën regji të Dea Gjinovcit e Sami Mustafës. Po ashtu, dy projekte janë edhe te dokumentarët e shkurtër: ai i Aurela Berilës dhe i Alban Mujës. Si regjisor debutues në film të gjatë artistik do të përkrahet Sovran Ndrecaj me projektin “Për sa t’ketë det”.
Sipas drejtoreshës së QKK-së, Blerta Zeqiri, e cila e ka marrë këtë pozitë në pranverën e vitit të kaluar, vonesa në vlerësim ka pasur, shkaku se kanë aplikuar dyfish më shumë projekte se herëve të kaluara.
“Do të thotë, juria ka pasur shumë projekte për të vlerësuar. Dhe pastaj me rregulloret e reja, juria vlerësuese edhe komisioni financiar takohen shumë herë dhe shqyrtojnë në detaje secilin projekt. Janë procedura të reja që marrin më shumë kohë dhe do shumë më shumë punë dhe dakordim në mes të jurive dhe komisioneve”, ka thënë ajo.
Ka sqaruar se pasi që projektet përzgjidhen nga juria, komisionit financiar i duhet kohë për t’i lexuar të gjitha projektet fituese dhe për të vlerësuar buxhetet tamam.
“Dhe në fund fare, juria vlerësuese takohet me komisionin financiar disa herë deri sa të dakordohen për shumat e mbështetjes. Ka qenë proces shumë i gjatë, por besoj se ka qenë shumë i drejtë”, ka thënë ajo.
QKK-ja vjet nuk ia kishte dalë që ta hapë konkursin deri në ditën e 20-të të dhjetorit, duke bërë që procesi të mos përfundojë brenda vitit. Arsyetim për këtë ishin telashet administrative me hartimin e akteve nënligjore si derivat i Ligjit të ri për kinematografi.
“Vonesa është për arsye se miratimi i Ligjit të ri është përcjellë me nevojën për rregullore të reja dhe pa u bërë rregulloret nuk kishim mundësi të hapnim konkursin”, kishte thënë drejtoresha Zeqiri, e cila ka marrë pozitën në prill të 2023-s.
Pas tentimeve tash e më shumë se një dekadë, kinematografia është bërë me ligj të ri në qershor të vitit të kaluar kur me 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për kinematografi, duke e zëvendësuar Ligjin për kinematografi, që ishte në fuqi prej vitit 2004.
Siç kishte thënë Zeqiri asokohe, planet ishin që prej vitit 2024, QKK-ja të hapë dy konkurse brenda vitit, një në qershor e tjetri në nëntor.
“Është më e lehtë për filmbërësit që të aplikojnë kur kemi dy konkurse në vit. Ideja është që të jetë një konkurs në nëntor, në mënyrë që të mund të përfundojë procesi deri në mars, në mënyrë që filmat që përzgjidhen e të mund të kenë kohë për të aplikuar nëpër fonde të tjera për bashkëprodhus. Në mars e në prill hapen konkurset nëpër botë”, kishte thënë Zeqiri. Siç kishte thënë asokohe, në qershor do të krijohet një tjetër mundësi për filmbërësit në mënyrë që të mos presin për një konkurs në vit.
Por tash nuk i është përgjigjur pyetjes së kur pritet të hapet konkursi i ri për këtë vit, përderisa publikimi i rezultateve është bërë nën titullin “Projektet e përzgjedhura të Konkursit 2023 – 2024”.
Në kushte normale, QKK-ja do të duhej ta hapte konkursin në fillim të vitit. Më 2022 është hapur më 15 korrik. Por, procedurat deri në finalizim kishin zgjatur deri në fund të dhjetorit. Më 2021 konkursi qe hapur në fund të shtatorit, përderisa më 2020 në korrik. Sa i përket vitit 2021, asokohe QKK-ja kishte telashet financiare. Sivjet, sikurse vitin e kaluar, buxheti për subvencione sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore është 1.5 milionë euro.
Vitin e kaluar, Qendra Kinematografike e Kosovës e kishte vazhduar trendin e rritjes së projekteve filmike, të cilat i mbështet me subvencione. Përderisa në vitin 2021 janë përkrahur 22 projekte kinematografike, për vitin 2022 numri kishte shkuar në 26.
Sivjet më këtë konkurs në krejt kategoritë do të përkrahen 34 projekte në krejt kategoritë. Institucioni më i lartë kinematografik i shtetit e kishte mbajtur ritmin në përkrahjen e filmave të metrazhit të gjatë artistik, më 2021, edhe më 2022, kur kishte përkrahur nga pesë projekte.