Kulturë

Qendra Kinematografike e zhytur në borxhe, vonon konkursin për projekte

Regjisori Zgjim Terziqi vitin që shkoi me skenarin “2000: A post war Odessey” ishte në mesin e tetë fituesve të përzgjedhur në konkursin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për zhvillim skenari. Regjisori i ri, i cili është dëshmuar edhe në skenën ndërkombëtare, për ta çuar përpara projektin e ri, po pret shpalljen e konkursit për subvencionim të projekteve filmike të këtij viti. Por ai ka drojë se një gjë e tillë as që do të ndodhë, për shkak të borxheve me të cilat po përballet institucioni më i lartë i filmit në vend.

Qendra Kinematografike e Kosovës është zhytur në mbi 1 milion euro borxh me filmbërësit, ende nuk e ka hapur thirrjen për subvencionim të projekteve. Sipas Rregullores, konkursi për projekte parashihet të hapet dy muaj pas miratimit të mjeteve buxhetore. Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin për buxhetin e vitit 2020 më 15 mars, e javën e kaluar Qeveria miratoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit. Më 2019 konkursi për projekte filmike ishte hapur në mes të prillit.

“Fakti që nuk është hapur ende konkursi nuk është shumë i dëmshëm, nëse kjo do të thotë që do të hapet pas një apo dy muajve. Por nëse është e vërtetë që s’do të ketë hiç, ose me buxhet të komprometuar, kjo është katastrofë”, ka thënë Terziqi. “Ne që kemi fituar vjet zhvillim skenari, jemi kontraktualisht të obliguar të aplikojmë këtë vit, dhe çdo përpjekje deri tash sa i përket zhvillimit të skenarit dhe pjesëmarrjes në ‘workshope’ e ‘labs’ të ndryshme, e kemi orientuar në drejtim të atij synimi”, ka shtuar Terqizi.

Në muajin prill KOHA raportoi se premtimet e ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, për dyfishim të buxhetit të Qendrës Kinematografike kanë rrezikuar ta çojnë në kolaps financiar këtë institucion. Më 2018, QKK-së me pompozitet i ishte premtuar buxhet 1.4 milionë eurosh në total, e po aq edhe më 2019. Mjetet nuk ishin as afër premtimeve, përderisa QKK-ja kishte vazhduar të lidhte kontrata duke u bazuar në rritjen e premtuar të buxhetit. Tash janë 1.2 milionë euro borxh vetëm në dy vjetët e fundit e QKK-ja nuk mund t’i mbulojë edhe sikur të tentojë ta bëjë këtë me krejt buxhetin e këtij viti. Për sivjet i janë zotuar 810 mijë euro, nga 1.4 milionë sa kishte kërkuar.

Derisa zyrtarë të Ministrisë së Kulturës kanë deklaruar se nuk përzihen në programet vjetore të institucioneve kulturore, ata të QKK-së kanë thënë se janë duke u përgatitur ta shpallin konkursin për projekte filmike. Kryesuesja e Këshillit Drejtues të QKK-së, Ilire Vinca, të martën i ka thënë gazetës që ndodhet jashtë Prishtinës dhe se për përgjigje lidhur me këtë çështje të kontaktohet drejtori i këtij institucioni.

Lum Çitaku, zyrtar për komunikim në QKK, ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet për hapje të konkursit. Sipas tij, ky institucion po punon edhe në “ sanimin e dëmeve”.

“Datat e reja të hapjes së konkursit ndërlidhen me miratimin e buxhetit të shtetit në muajin mars dhe me njoftimin për buxhetin e institucioneve nga ana e Ministrisë së Kulturës në muajin prill, dhe me gjendjen e pandemisë që ka qenë deri më datën 1 qershor. Me t’u hequr masat nga Qeveria dhe rikthimit të normalitetit, kanë filluar edhe përgatitjet për hapjen e konkursit për këtë vit, dhe brenda dy muajve, ashtu siç e parasheh edhe Rregullorja, Këshilli Drejtues planifikon që ta hapë konkursin për këtë vit”, ka thënë Çitaku. Ai ka folur edhe për atë nëse borxhet prekin buxhetin e sivjetmë prej 810 mijë eurosh.