Fiks një muaj pas premierë në shtëpi, Baleti Kombëtar i Kosovës me “Aeon” nën koreografi të Daniel Cardosoes, ka fluturuar në vendlindjen e koreografit. “Shfaqja është pritur jashtëzakonisht mirë nga një audiencë masive në një teatër mjaft prestigjioz të Portugalisë dhe komentet ishin prej më të mirave për performancën e balerinëve tanë, por edhe për shfaqjen si krijim”, ka thënë të martën për KOHËN drejtori i Baletit të Kosovës, Sinan Kajtazi
Baleti Kombëtar i Kosovës nuk ka shkuar në pushim midis sezonesh, pa lënë edhe një shenjë në skenë. E këtë e ka bërë në Portugali. U stacionua në Gadishullin Iberik, në Amadora, një qytet rrëzë Lisbonës. Në stil me natyrën e popullit portugez, njashtu me ngrohtësi e kishte pritur edhe audienca portugeze. Në kinoteatrin që mban emrin e mbretit portugez, John V, i njohur ndryshe si mbreti i Diellit, “Aeoni”, forca jetike e momentumi i përkthyer në hapa e lëvizje nga koreografi portugez, Daniel Cardosoe, e luajtur qe edhe një paraqitje e radhës e suksesshme.
“Shfaqja është pritur jashtëzakonisht mirë, nga një audiencë masive në një teatër mjaft prestigjioz të Portugalisë dhe komentet ishin prej më të mirave për performancën e balerinëve tanë, por edhe për shfaqjen si krijim”, ka thënë të martën për KOHËN, drejtori i Baletit të Kosovës, Sinan Kajtazi, i cili në “Aeon” merr pjesë si balerin e muzikant. Këtë paraqitje në Portugali e ka quajtur si një sukses të jashtëzakonshëm që do të mbetet në historinë e Baletit të Kosovës.
“Aeoni”, më 27 qershor ishte dhënë premierë në “shtëpi” në atë që është bërë shtëpia e përkohshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, përderisa objekti i TKK-së këtë muaj ka hyrë në vitin e dytë prejse është mbyllur. Tek në maj është miratuar projekti restaurues, çmimi i të cilit prek 7 milionë euro.
Skenografia me ndriçim të zbehtë, e mjegulluar me tymin skenik, atmosfera eterike, kostumet bashkë me mistiken në to janë peizazhi që i lë rrugë koreografisë krejt poetike, e cila paraqet mesazhe të thella në të. Në fakt si kompozicion i tërë e gjithë shfaqja ngjan në një orë rëre, gjatë së cilës u hapet rrugë lëvizjeve abstrakte e projektimit të ndjesive nëpërmjet turpit.
E “fadoja” ikonike e Lisbonës, e cila është pjesë integrale e shfaqjes “Aeon” duket të jetë mirëpritur nga publiku portugez. Në një video të publikuar në llogarinë e Baletit Kombëtar të Kosovës pas performancës shihet publiku duke i duartrokitur pareshtur për tre minuta me radhë deri në rënien e perdeve. Mesazhi final i koreografisë – i cili del të jetë në fund pyetja se sa e veçantë do të ishte në rast se njerëzit do të kishin aftësinë ta ndalonin kohën – depërtoi edhe në vendlindjen e koreografit.
Tetëmujori i këtij viti shënon edhe me një arritje tjetër për BKK-në.
“Vetëm brenda muajit qershor të këtij viti ne kemi arritur që të realizojmë tetë shfaqje, marrë parasysh këtu specifikat e sfidat e gjithsecilës prej tyre”, ka shtuar ai.
Por përkthyer në statistika, BKK-ja ka mbajtur tempin përkundër sfidave me të cilat përballet. Vetëm në gjashtëmujorin e parë realizoi katër premiera. “REBOUNDS – A Basketball Ballet” kishte qenë premiera e parë për këtë vit si një prurje përtej baletit klasik e mu në esencë të bashkëkohores, që u dha në shkurt të këtij viti. Disa muaj më vonë, në maj do të ngjante dhe një premierë në një kontinent krejt tjetër. Në teatrin St.Jean në Manhattan të New Yorkut, trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës do të paraqitej me premierën e baletit “Tango Nights” me koreografi të Chiara Ajkun. Në muajin qershor në vazhdën e kremtimeve shtetërore të 25-vjetorit të Çlirimit u paraqit edhe në teatrin “Du Gymnase Marie Bell” të Parisit. Nën patronazhin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Paris, BKK i dha vulë edhe një paraqitjeje tjetër të suksesshme në radhë me shumë të tjera. Ishte shfaqja “Time”, me koreografi të Taulant Shehut. Në prill të po këtij viti në edicionin e tretë të “Albanian Dance Competition, Creativity&Interpretation” në Elbasan, me të njëjtën shfaqje, Baleti Kombëtar i Kosovës ishte shpërblyer me vendin e parë për koreografinë më të mirë. E duket se nuk ka plane që ky hov të ndalet, synimet janë që programi veç se të pasurohet edhe më shumë, e rrugëtimi të ngjeshet me stacione të tjera ndërkombëtare.
Sezoni i ri i Baletit Kombëtar nis në muajin shtator me premierën “Tango Nights”, e data 23 e atij muaji do t’i gjejë në një kontinent të largët. BKK-ja do të paraqitet në kuadër të Festivalit Botëror të Vallëzimit në Korenë e Jugut. Në fillim të tetorit nisin provat e një premiere tjetër, ndërkaq muaji i fundit i vitit do t’i zërë në përgatitje për “Arrëthyesin”, i cili kishte premierën në Kosovë vitin e kaluar, e tani synohet që të kthehet tradicionalisht çdo fundvit.