Kulturë

“Provinca” në Mitrovicë godet politikën që e vonoi me fushatë

Vija ndarëse midis përditshmërisë dhe skenës te “Provinca” është e hollë

Është një drejtor teatri të cilin nuk e lënë rehat mendimet për ta bërë një shfaqje para zgjedhjeve. Kryepersonazhi është aktor, regjisor, punëtor teknik, ndriçues, drejtor teatri dhe jo vetëm. Shfaqja duhet të dërgojë mesazhe tek audienca për të ndikuar në vendimet e publikut te partia që atë e mban në detyrë drejtorin. “Provinca” me tekst e regji të Ard Islamit, e zhvesh politikën, përkon me realitetin. Tubimet e fushatës në objektin teatror, e vonuan premierën edhe në realitet

“Provinca” shënon jo vetëm shfaqjen e parë për këtë vit të teatrit “Muharrem Qena” në Mitrovicë, por edhe “prerjen e shiritit” të sallës së rinovuar. Me autor dhe regjisor Ard Islamin, shfaqja komedi satirizon politikën e zbulon prapaskenat e punës së një shfaqjeje teatri. Hipokrizia e paradokset e pushtetit vijnë në skenë teatri si reflektim mbi gjendjen e shoqërisë. Aty ka përplot mesazhe, e mesazhi për publikun është misioni i teatrit.

Në ambientet e sallës së teatrit, në shtëpinë e kulturës “Rexhep Mitrovica” në qytetin verior të Kosovës, mbrëmja e së enjtes ka qenë e rezervuar për shfaqje. Pra, për destinimin që ka salla, pas plot fushata partish të cilave u ka bërë nikoqirllëk.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të teatrit “Muharrem Qena”, Sabit Sheremeti, këto organizime e kanë vonuar premierën.

“Kjo është shfaqja e parë për vitin 2025, për arsye se gjatë vitit të kaluar teatror ka qenë në renovim dhe renovimi ka përfunduar në dhjetor. Kjo shfaqje ka përfunduar para muajit dhjetor dhe kemi qenë duke u përgatitur me disa vonesa, për shkak të angazhimeve politike në sallë. Kjo na ka çuar në vonesë të kësaj shfaqjeje”, është shprehur Sheremeti.

Derisa rehatohen nëpër vende, nga skena publiku vëren sorollatjen e njërit prej aktorëve. Është një drejtor teatri të cilin nuk e lënë rehat mendimet për ta bërë një shfaqje para zgjedhjeve. Koherenca e shfaqjes “Provinca” përshtatet mjaft mirë me zgjedhjet në vend. E kësisoj, tematika e saj përshtatet edhe më.

Loja me ndriçimin e skenës e hap rrëfimin e shfaqjes. Kryepersonazhi është, siç deklarohet ai, aktor, regjisor, punëtor teknik, ndriçues, drejtor teatri dhe jo vetëm. Në prapavijë qëndron posteri ku shkruhet “Ditët e Babaincës” që paralajmëron se aty bëhet fjalë për një festival a organizim të ngjashëm.

Në një bisedë me një regjisor, drejtori i teatrit, rol që e luan Butrint Lumi, i kërkon një regjisori të punojë një shfaqje për teatrin. Kusht është që ajo të përfundojë brenda shtatë ditësh. Pra, premiera gjithsesi të jetë dy ditë para fushatës. Gjithsesi shfaqja duhet të dërgojë mesazhe tek audienca për të ndikuar në vendimet e publikut te partia që atë e mban në detyrë drejtorin.

Aty shpalosen bashkëbisedat e porositjes së një shfaqjeje teatri. Njerëz joadekuatë janë ekip i teatrit në qytetin fiktiv Babaincë. Kryepersonazhi është drejtori që e ka uzurpuar institucionin duke qenë në krye të tij për plot 20 vjet. Të tjerët i bën t’u binden urdhrave të tij duke ua drejtuar armën që e mban me vete përherë.

Është fanatik i pushtetit. Skena e teatrit bëhet cirk i ngjarjes. Në shfaqjen “Provinca”, trupa e teatrit të Babaincës është amatore. Ata nuk janë fare aktorë në fakt, siç i portretizon Ard Islami. Skena vandalizohet përherë.

Dy aktore shfaqen në skenë: Igballja, që e luan aktorja Blerina Veseli dhe Eminja, që e luan Venera Bojaj. Janë vajza rebele, të lazdruara.

Aktorja Veseli ka thënë se në shfaqje ka vërtet momente që ato i përjetojnë prapaskenat e një shfaqjeje.

“Ka dalë pak a shumë në pah realiteti ynë në vend, për fat të keq. Sa i përket rolit tim, kam kaluar mirë, jam munduar ta bëj një rol ku nuk është se kam marrë për bazë ndonjë prej kolegeve të mia personalisht ose të teatrove të vendit, por jemi munduar që t’i bëjmë në një formë si karikatura. Gjithmonë teatri kërkon një emocion më të madh sesa filmi”, ka thënë ajo.

Thelbi i  shfaqjes është të bërët teatër. Derisa vijon rrëfimi, publiku gjurmon nëpër pushtetin totalitar të drejtorit të teatrit mbi teatrin

Veseli ka thënë se roli i saj portretizon ngulmin e një aktoreje për të arritur qëllimet e saj në shtetin ku nuk ia ka mundësuar asnjëherë.

“Është karakter më mashkullor nëse mund ta quajmë, më burrërore. Ka pasur momente të jetës që e kanë sjellë deri në këtë pikë, mirëpo në të njëjtën kohë ka edhe pasionin për art, gjë që nuk ia ka mundësuar asnjëherë shteti aty ku ka dashur. Prapë se prapë ka insistuar dhe ka insistuar të gjejë forma dhe rrugëdalje të ndryshme për të mbërritur qëllimin e saj për të qenë aktore”, ka thënë Veseli.

Në shfaqje vihet në dyshim vetë titulli “aktor”. Lë të nënkuptohet se ky emër është keqpërdorur ndër vite. Pyet se si do të duhej të quheshin ata që bëjnë skeçe.

Por prapë kthehet në thelbin e shfaqjes – në të bërit shfaqje. Derisa vijon rrëfimi, publiku gjurmon nëpër pushtetin totalitar të drejtorit të teatrit mbi teatrin. Ai kontrollon përmbajtjet që japin shfaqjet derisa regjisori, rol që e luan aktori Agan Asllani, synon të sjellë një frymë të re. Kjo nuk depërton assesi.

Regjisori i pranon krejt kushtet për shfaqjen në këmbim të një pagese të mirë për të. Madje edhe një punëtor teknik, rol që e luan Fatmir Haliti, bëhet aktor në mungesë të aktorëve. Kur zbulohen karakteret e aktorëve, del e kaluara e tyre jo fort e pastër.

Provat nisin. Bëhet e ditur se ngjarja e shfaqjes zhvillohet në vitin 1942. Për kryepersonazh ka një patriot të madh që takohet me Hitlerin në trojet shqiptare. Por profesionalizmi ngatërrohet me personalen. Pa kërkesë regjisoriale përsëritet shpesh urrejtja e  personazhit negativ – Hitlerit. Dini, me veshje kombëtare bën sikur e vret dhe menjëherë drejtori vendos muzikën tradicionale shqiptare.

Problemet janë që në lexim skenik. Që aty nisin telashet. Dini, i biri i drejtorit – rol që e luan aktori Fisnik Ademi – është kulmi që e bën regjisorin të heqë dorë nga projekti, e madje të kthejë shumën e parave edhe përtej asaj që ka marrë.

Aktori Ademi ka thënë se shfaqje flet midis tjerash edhe për respektin ndaj teatrit.

“Ky tekst të cilin e ka shkruar Ard Islami dhe e ka bërë regjinë po ashtu, tregon për një realitet të hidhur që mund ta gjesh nëpër vendin tonë ku teatri si teatër, nuk është se respektohet shumë. Më shumë e kemi sa për ta pasur. Po flas në kuptimin sa investohet dhe sa respektohet në komplet shoqërinë tonë. Personazhet që i keni parë janë disa stereotipa të cilët kemi dashur t’i krijojmë për të qenë sa më komike dhe që secili të tregojë diçka. Tregon një realitet ku ne si shoqëri jemi përballur nëpër vite të ndryshme në punët që kemi pasur dhe Ardi i ka pasqyruar shumë mirë këto rrethana të cilat janë dhënë në shfaqje”, është shprehur Ademi.

Derisa ka folur për rolin e tij, ka thënë se personazhi i tij e shpërfaq më së miri atë se si njerëzit joadekuatë zënë pozita që nuk u përkasin.

“Personazhi i Dinit është një djalë i cili nuk është që ka aftësi për të qenë në pozitën ku prindi i tij dëshiron që ai të jetë. Jemi munduar që nëpërmjet rolit tim të pasqyrojmë një realitet ku shumë njerëz të kualifikuar nuk marrin atë që meritojnë, por kështu ndodh nëpër shumë institucione dhe vende të punës në vendin tonë”, ka thënë aktori Fisnik Ademi.

Repriza e shfaqjes është bërë e ditur se do të jetë javën e ardhshme dhe se trupa e teatrit veçse është duke punuar në një tjetër shfaqje nën regji të Ilir Bokshit, dhe e cila pritet ta ketë premierën në fund të këtij muaji.

Vitin e kaluar, teatri “Muharrem Qena” në Mitrovicë realizoi dy shfaqje: “Një vrasje e vogël aksidentale” nën regji të Marigona Bekteshi-Ferati dhe shfaqjen për fëmijë “Revolta e presjes” nën regji të Fatmir Hysenit.

Financimi i teatrove të qyteteve mbetet sfidues, e ai i qytetit të Mitrovicës programin e tij sivjet synon ta realizojë me buxhet prej rreth 50 mijë eurosh.