Kulturë

Pronarët presin që shteti t’ua blejë Hamamin e Vjetër

Në rastin e Hamamit të Vjetër, një agjenci shitjesh të patundshmërive e ka nxjerrë pronën në shitje pa pasur parasysh se për këtë së pari duhet lajmëruar institucionet shtetërore

Në rastin e Hamamit të Vjetër, një agjenci shitjesh të patundshmërive e ka nxjerrë pronën në shitje pa pasur parasysh se për këtë së pari duhet lajmëruar institucionet shtetërore

Foto: Driton Paçarada

Në Komunën e Mitrovicës ka njëfarë gatishmërie verbale që Hamami i Vjetër të jetë pronë publike. Aty do ta rikthenin Muzeun e Qytetit siç ishte deri më 2009. Në Ministrinë e Kulturës të paktën publikisht s’ka folur askush. Por KOHA ka marrë vesh se të enjten – pas publikimit të shkrimit – Ministria e Kulturës është interesuar që ta shqyrtojë mundësinë që shteti ta blejë atë pronë. Afrim Berisha, njëri prej pronarëve të monumentit, thotë se është i interesuar që shteti ta blejë e ta ruajë Hamamin

Tarracat në të dyja anët e Hamamit të Vjetër të Mitrovicës i hyjnë në punë ndërmarrësit që mban restorantin në ndërtesën ngjitur me monumentin e shekullit XVIII. Por, se si do të duket pamja e hapësirës përreth kësaj ndërtese nuk dihet. Pronarët kanë vendosur që këtë aset të trashëgimisë kulturore ta nxjerrin në shitje. Përderisa tash e disa ditë në rrjete sociale monumenti reklamohet për shitje e institucionet s’kanë pasur kurrfarë informacioni, të enjten një prej bashkëpronarëve ka thënë se do të preferonin që atë ta blinte shteti.  Çmimi 1.6 milion euro, bashkë me 15 ari truall. 

Në Komunën e Mitrovicës ka njëfarë gatishmërie verbale që ky aset të jetë pronë publike. Kurse në Ministrinë e Kulturës të paktën publikisht s’ka folur askush. Por KOHA ka marrë vesh se të enjten – pas publikimit të shkrimit të KOHËS – Ministria e Kulturës është interesuar që ta shqyrtojë mundësinë për ta blerë shteti atë pronë. 

Në Mitrovicë, Hamamit pothuajse të gjithë i referohen si Muze, kjo pasi për disa dekada aty zinte vend Muzeu i Qytetit. E prej vitit 2009, pasardhësit e ndërtuesit e kanë kthyer pronën e tyre. 

Afrim Berisha është pasardhës i atij që ka ndërtuar Hamamin e Vjetër –  Zejnullah Bej Berisha. Si bashkëpronar i monumentit me 15 ari truall ka treguar se për rrethana të ndryshme, kanë vendosur që pronën e tyre ta nxjerrin në shitje. Afrim Berisha nga institucionet e trashëgimisë kulturore përshkruhet si person që vazhdimisht ka qenë preciz sa iu përket procedurave ligjore që duhet të respektohen në raport me secilën ndërhyrje në asetet e trashëgimisë kulturore. 

Krejt në fillim ai cek se Hamami është ndërtuar nga Zejnullah Beu. Në këtë rast shton se Zejnullah Beu ka qenë djali i axhës së patriotit të madh Hasan Prishtina. 

“Duke i pasur disa vështirësi tash e disa vjet, bashkë me pronarët  e tjerë kemi vendosur që ta qesim Hamamin në shitje”, ka thënë Berisha i veshur shik. 

Ligji për Trashëgiminë Kulturore e rregullon në parim këtë çështje. 

“Shitja dhe kalimi apo vendosja e të drejtave pronësore nën kontrollin dhe pushtetin e institucionit kompetent të trashëgimisë kulturore”, shkruhet sipër neneve ku përmendet shitblerja. “Trashëgimia kulturore mund të shitet, trashëgohet ose dhurohet vetëm brenda territorit të Kosovës dhe në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi, me të cilin drejtohen çështjet pronësore. Ministria ka përparësi për të blerë trashëgiminë kulturore sipas çmimit të tregut, që do të vlerësohet nga një komision i pavarur që krijohet nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore”, shkruhet në nenin 4 pika 21 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. 

Por në rastin e Hamamit të Vjetër, një agjenci shitjesh të patundshmërive e ka nxjerrë pronën në shitje pa pasur parasysh se për këtë së pari duhej lajmëruar institucionet shtetërore. Afrim Berisha ka thënë se në këtë rast është bërë një ngutje pa qenë në dijeni ai. 

“Ka rrjedhë një informacion, pasi i autorizuari për ta nxjerrë në shitje është dashur që së pari të pajisej me leje procedurale nga Ministria e Kulturës.  Ministria e Kulturës është ajo që vendos nëse do ta blejë apo jo. Në atë moment që MKRS-ja nuk është e interesuar ta blejë, atëherë na lëshohet vendimi për të vepruar më tutje. Unë për të gjitha gjërat kam ndjekur gjithmonë të gjitha rrugët ligjore”, ka thënë ai mesditën e së enjtes derisa ka qëndruar në hapësirën para Hamamit që e shfrytëzojnë si parking. Berisha ka shprehur dëshirën që shteti të bëhet pronar i hapësirës që ai ka trashëguar.  

“Unë bashkë me familjen do të ishim shumë të lumtur që këtë pronë ta blejë shteti e të mos hyjmë në biseda me palë të tjera. Normal, prona shitet, por kisha pasur qejf që ta blejë shteti dhe ta ruajë këtë pronë të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.

KOHA për dy ditë radhazi ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Kulturës, por ky institucion ka zgjedhur që publikisht të heshtë.  Gatishmërinë e bashkëpronarit për përfillje të procedurave e ka konfirmuar edhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë. 

Në Mitrovicë, Hamamit pothuajse të gjithë i referohen si Muze, kjo pasi për disa dekada aty zinte vend Muzeu i Qytetit. E prej vitit 2009 pasardhësit e ndërtuesit e kanë kthyer pronën e tyre (Foto: Driton Paçarada)

“Pronari ka komunikuar me ne dhe është zotuar se gjatë ditës së premte ose më së largu deri të hënën do të na drejtohet me një shkresë për këtë rast. Të njëjtën ne do t’ua përcjellim Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Ministrisë së Kulturës”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të QRTK-së së Mitrovicës, Mujë Igrishta. 

Në Komunën e Mitrovicës deri të enjten nuk kanë pasur kurrfarë informacioni sa i përket këtij rasti. 
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Fahri Jashari, ka thënë se janë disa procedura që duhen plotësuar para se të dalë në shitje një aset i trashëgimisë kulturore. 

“Ndërtesa duhet të ruhet ashtu si është, pasi është nën mbrojtje dhe nuk ka të drejtë t’i ndërrohet asnjë element. Për ne Hamami është vlerë e shtuar e qytetit dhe pavarësisht pronarit duhet t’i ruhet identiteti. Ne si Komunë do të ishim shumë të interesuar që ndërtesa të jetë në shërbim të institucioneve publike. Për ne do të ishte shumë e rëndësishme që aty të kthehet Muzeu i Qytetit”, ka thënë Jashari. Sa i përket mundësisë që Komuna t’i drejtohet me një shkresë Ministrisë së Kulturës dhe t’ia adresojë mundësinë e blerjes së Hamamit të Vjetër, Jashari ka thënë se së pari duhet të ketë një konsultim të brendshëm. 

“Ditët në vazhdim bashkë me ekzekutivin do të dalim me një qëndrim”, ka thënë ai. 

Hamami i Vjetër nga jashtë duket shumë i mirëmbajtur. Më 2022 shteti ka investuar 89 mijë euro për t’ia ndrequr kulmin, pasi i ishte vjedhur plumbi disa herë. Hapësira brenda, po ashtu, është e mirëmbajtur goxha. Ka pak lagështi shkaku i kalimit të një përroske të mbuluar afër monumentit. Hapësira e brendshme aktualisht shërben pak a shumë si një lloj depoje e restorantit që ndodhet në ndërtesën ngjitur, po ashtu monument. 

Për historikun e Hamamit të Qytetit jepeshin të dhëna, ndër të tjera, kur ishte aktive databaza elektronike për trashëgimi kulturore. Për godinën që gjendet në atë që sot njihet si bulevardi “Shemsi Ahmeti”, shkruhej se i takon bërthamës së vjetër të qytetit. Ani pse pak nga kjo ka mbetur në atë rrethinë. 

“Hamami i qytetit u ndërtua në fund të shekullit XVIII. Hamamin, sipas të dhënave të ish-pronarëve të objektit, e ndërtuan Sylejman Pashë Berisha dhe nipi i tij (djali i vëllait), Zejnullah Beg Berisha. Ndërtimi i objektit zgjati dy vjet. Hamami i qytetit është njëri ndër objektet më të ruajtura të periudhës osmane, karakteristikë për objektet publike të tipit sanitar ‘tek’ për meshkuj”, shkruhej në këtë historik. 

Aty tregohej se Hamami kreu funksionin e vet, për çka edhe ishte ndërtuar deri në maj të vitit 1959. E me propozimin e Komisionit komunal për nacionalizimin e objekteve dhe tokës ndërtimore, Kuvendi Popullor i Komunës së Mitrovicës më 17 shtator 1959 mori vendimin për legjitimimin si pronar - shfrytëzues të këtij objekti Muzeun dhe Arkivin e Qytetit të Mitrovicës. Objekti i Hamamit ishte në përdorim si Muze i Qytetit (muze arkeologjik, historik, numizmatik dhe etnografik) deri në nëntor të 2009-s. Nga nëntori i vitit 2009 objekti u është kthyer trashëgimtarëve të ish-pronarit. 

Restoranti në ndërtesën ngjitur me monumentin e shekullit XVIII

“Çdo hapësirë e larjes dhe e pushimit është e mbuluar me nga një kupolë të vogël. Hapësira qendrore - ‘mejdani’ i pjesës së ngrohtë është i mbuluar me një kupolë qendrore më të madhe. Muret ndarëse, po ashtu, janë nga guri, kurse hapjet përfundojnë në formë harkore të përpunuara në mënyrë plastike”, shkruhej në databazë. 

Gjithnjë sipas këtij përshkrimi, pjesa e vakët – pjesa për zhveshjen, rekuizitat, sanitaret – është e mbuluar me qemer. E ngrohja e hapësirave të Hamamit bëhej përmes teknologjisë së kanaleve nën dyshemenë e pjesës së ngrohtë të Hamamit, “hipokaust”, të cilat janë jashtë përdorimit nga koha kur Hamami pushoi së funksionuari. 

“Ndërsa sistemi i tubacionit nga qeramika në kuadër të mureve po ashtu u largua në kohën kur Hamami i qytetit pushoi së funksionuari”, shkruhej në databazë. 

Gjithnjë sipas atyre të dhënave, megjithëse Hamami ishte shndërruar në muze, pjesa e vakët dhe pjesa e ngrohtë kryesisht janë ruajtur siç kanë qenë. 

“Kaldatorja shfrytëzohej për depo të nevojave të Muzeut me qasje nga jashtë. Ndërsa pjesa e ftohtë në dy katet ishte shndërruar në hapësirë për ekspozim të eksponateve muzeore”, shkruhet aty. 

Hamami i qytetit, shkruhej në databazë, përjetoi disa herë ndryshime dhe rindërtim, në emër të modernizimit, e siç shkruan aty, punë të cilat u kryen pa përgjegjësi dhe pa profesionalizëm, me çka Hamami i qytetit përjetoi dëmtime si konstruktive ashtu edhe arkitektonike estetike, artistike dhe në vlera ambientale. 

“Punët në emër të rindërtimit, restaurimit dhe konservimit në Hamam të qytetit u kryen në vitet 1876, 1936, 1958, 1980 dhe 2009. Hamami i qytetit nuk është shkatërruar gjatë luftës (1998-1999). Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet”, shkruhej në databazë.