Kulturë

Projekti për muzeun “Besa” në garën prestigjioze të arkitekturës

Muzeu "Besa"

Projekti për muzeun “’Besa” në Tiranë garon për “World Architecture Festival” që sivjet mban edicionin e 17-të

Projekti për muzeun “’Besa” në Tiranë është futur në listën e finalistëve për trofeun e “World Architecture Festival”, duke konkurruar kështu me emrat më të mëdhenj të arkitekturës në botë. Ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që ka dhënë lajmin. Ka ripërsëritur se ky muze do të ruajë për brezat një pasqyrë të artë të shqiptarisë, atë të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe do t’u ofrojë të gjithëve një hapësirë opinionesh, debatesh, shprehjesh artistike e kulturore mbi tolerancën, solidaritetin dhe humanizmin.

Projekti mban vulën e studios arkitekturore nga Zvicra, “Oppenheim Architecture”, qe shpallur fitues për t’u konkretizuar në Tiranë  në qershorin e vjetëm.  Në shpjegimin që i bëhet shkruhet se muzeu i “Besës” është i lidhur shpirtërisht me Muzeun Hebraik në Vlorë. “Ndërtimi i tij përbën një sfidë pasi nga njëra anë bëhet fjalë për restaurimin e muzealizimin e një godine historike në zemër të Tiranës, por njëkohësisht duhet të flasë me zërin e kohës”, shkruhet në përshkrim. 

Në garën për çmimin prestigjioz të “World Architecture Festival” garon në kategorinë e “Kulturës – projekt në të ardhmen”. Ka 15 projekte të tjera në këtë kategori. Fituesit do të shpallen në festivalin që sivjet mban edicionin e 17-të prej 6 deri më 8 nëntor në Singapor. Janë gjithsej 18 kategori për projektet e përfunduara për destinime të ndryshme e në atë për projekte që presin të konkretizohen – ku bën pjesë edhe “Besa” – janë 14 kategori. 

“World Architecture Festival” është ngjarje dhe ceremoni vjetore çmimesh, një nga më prestigjiozet kushtuar industrisë së arkitekturës dhe zhvillimit. Katër edicionet e para, prej vitit 2008 u mbajtën në Barcelonë, e prej vitit 2011 u zhvendos në Singapor. Është e vetmja ngjarje ku rreth 550 arkitektë të përzgjedhur në listën e ngushtë prezantojnë projektet e tyre drejtpërdrejt para jurisë. Njërit prej këtyre projekteve i jepet çmimi kryesor që e bën atë Objektin Botëror të Vitit. 

Juria ndërkombëtare ka përzgjedhur projektin e studios projektuese “Oppenheim Architecture” nga Zvicra për të realizuar muzeun “Besa” në Tiranë. Projekti synon që të paraqesë historinë e popullit shqiptar në raport me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, të hënën janë prezantuar projektet finaliste.

Konkursi Ndërkombëtar për projektimin e muzeut “Besa” qe shpallur në shkurtin e vjetëm dhe prej 17 projekteve, vetëm 5 i ishin nënshtruar vlerësimit final. Pos projektuesve zviceranë, në garë ishin edhe “MVRDV” nga Holanda, “Emre Arolat Architecture” nga Turqia, “Schneider & Schumacher” nga Gjermania dhe “Cook Haffner Architecture Platform” nga Anglia. Qeveria shqiptare prej datës 12 prill të atij vitit kur u bë shpallja e finalistëve, nisi edhe fazën e dytë, gjatë së cilës finalistët u ftuan për t’u njohur nga afër me godinën ekzistuese të banesës së Libohovitëve, monument kulture i kategorisë së parë që gjendet në qendrën historike të Tiranës. “Përtej çdo qasjeje klasike, si arkeologjia e të tjera, koncepti i besës është një koncept shpirtëror, e si i tillë patjetër që gjen nevojën për t’u treguar jo vetëm përmes librave të historisë, por me një hapësirë që flet shqip e mbi të gjitha flet edhe me gjuhën e vitit 2023. Shkurt dhe shqip, ky koncept quhet besa. Një dimension shpirtëror i shqiptarëve dhe me këtë plotni që ekziston në Shqipëri, e themi me bindje se nuk ekziston në asnjë vend tjetër”, ka thënë Elva Margariti, asokohe ministre e Kulturës, kur u shpall projekti fitues.  

Finalistët: https://www.worldbuildingsdirectory.com/entries/besa-museum/