Kulturë

Projekti mbi 15-milionësh i Teatrit në Tiranë me gur themeltar e protesta

Guri themeltar i objektit të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë lë prapa një histori që bëri bujë kur në majin e vitit 2020, në pikë të natës, u rrafshua godina 80 vjet e vjetër. Mbi 15 milionë euro do të kushtojë konkretizimi i projektit të objektit me 1 mijë e 514 ulëse. Ceremonia e nisjes së punimeve ka rikthyer protestat e akuzat e opozitës

Me ceremoni shtetërore kanë nisur në Tiranë punimet për godinën e re të Teatrit Kombëtar. Të mërkurën, në përurimin e punimeve, kryeministri Edi Rama e cilësoi projektin si gur të çmuar mes gjerdanit të veprave që e kanë transformuar kryeqytetin dhe do të jetë destinacion ndërkombëtar. “Guri i qoshes” u quajt projekti i teatrit të ri. Guri themeltar lë prapa një histori që bëri bujë, kur në majin e vitit 2020, në pikë të natës u rrafshua godina 80 vjet e vjetër. Mbi 15 milionë euro do të kushtojë konkretizimi i projektit të objektit me 1 mijë e 514 ulëse.

Kryeministri Rama qe i shoqëruar edhe nga aktorët Tinka Kurti dhe Robert Ndrenika. Aty ishin edhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, e ministrja e Kulturës, Elva Margariti, dhe zyrtarë të tjerë institucionesh kulturore.

Para se të niste ceremonia e përurimit të çeljes së punimeve për Teatrin e ri Kombëtar, zona u rrethua me forca policie. Disa qytetarë kanë protestuar kundër e duke thirrur: “O hajdut. Shko në gjykatë, shko në burg! Do të të vijë dita!”. Me të mbërritur kryetari i Bashkisë, Veliaj, iu përgjigj qytetarëve shkurt duke u thënë: “Mezi po e pres”. Ndërkohë u kryhen kontrolle e verifikime të personave që kalonin perimetrin e sigurisë. Në skajet e perimetrit të sigurisë “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” organizoi edhe protestën e saj të parë që pas shembjes.

“Ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për të pezulluar punimet. Me të njëjtën kërkesë i jemi drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Sot Veliaj e Rama janë qartas të mafies së betonit, të një grupi të strukturuar kriminal. Është e njëjta histori si në 2020. Hyjnë e dalin nga dyert e mbrapme. Nuk kanë kurajë të dalin para aleancës së teatrit”, ka thënë Adriana Kalaja.

Kryeministri Edi Rama, duke kujtuar se qysh prej periudhës kur ishte ministër Kulture i kishte shpallur luftë godinës së vjetër, ka thënë se edhe pse shumë vonë, me këtë projekt Tirana ka kapërcyer pritshmëritë.

“Ky projekt shkon përtej një Teatri Kombëtar të mirë për Shqipërinë. Ky projekt është një tjetër gur i çmuar në një gjerdan veprash që praktikisht e kanë nxjerrë Tiranën jashtë vetes, jashtë kornizës së vjetër të vetes dhe e kanë projektuar si një kryeqytet evropian ku ndodhin dhe bëhen gjëra që tërheqin vëmendjen edhe të të tjerëve”, ka thënë Rama.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka thënë se teatri i ri do të ndërtohet në tokën e tij, me para publike dhe do të jetë shumë herë më i fortë dhe më i bukur. Në ceremoni ishin edhe aktorët e mëdhenj si, Luiza Xhuvani, Artan Imami, Luftar Paja, e shumë emra të tjerë.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha, ka thënë se ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për artin dhe kulturën, por për gjithë shoqërinë shqiptare. Ai u shpreh se ka qenë dëshmitar i përpjekjeve të vazhdueshme të trupës së Teatrit Kombëtar, e cila, siç ka theksuar Basha, tek ajo godinë nuk gjente mjetet për të bërë artin e vet.

Sipas tij, ndërtimi i Teatrit të ri do t’u shërbejë jo vetëm artistëve aktualë, por edhe brezave të ardhshëm.

“Është një moment për artin dhe kulturën shqiptare, por edhe për gjithë shoqërinë. Unë jam një person që kam qenë dëshmitar i përpjekjeve, i vuajtjeve dhe frustrimeve të vazhdueshme të trupës së Teatrit Kombëtar që sot nuk jetojnë më që tek ajo sallë nuk gjenin mjetet për të bërë artin e tyre. Ata kërkonin një zgjidhje që të ishte e plotë, e sigurt për të ardhmen dhe përfundimtare. Ky diskutim ka nisur që në vitet ‘50. U deshën 70-80 vjet që dëshira e tyre të kishte një zgjidhje dhe kjo zgjidhje ishte më e mira e mundshme për një teatër të ri, një teatër të investuar me paratë e taksapaguesve. Ky teatër nuk i përket vetëm të tashmes, por edhe të ardhmes”, ka thënë Basha.

Opozita ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka nisur punimet për Teatrin e Ri kombëtar, në kundërshtim me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i zgjedhur i PD-së, Sali Berisha, ka thënë se Rama dhe Veliaj po i provokojnë qytetarët.

“Nga ky akt kalohet në një akt madhor, dhunimin flagrant të vendimit të Kushtetueses. Kjo është një sfidë e hapur, jo vetëm për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, por për opozitën në radhë të parë. Opozitës i thuhet se nuk njohim norma, nuk njohim standarde, por jemi të gatshëm të ndërmarrim çdo akt, në kundërshtim të hapur me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese ndalon procedimin e mëtejshëm në atë truall, ia kthen atë qeverisë”, ka thënë Berisha.

Ndërtesa e re e Teatrit Kombëtar në Tiranë do të ketë formën e një fjongoje që ndan qartazi tri hapësirat apo zonat funksionale të një teatri. Për shkak të formës së objektit krijohen 4 hapësira kryesore performimi me 1 mijë e 514 ulëse. Puna për teatrin e ri ka nisur pasi u shpall kompania fituese “Agi Cons” dhe “Re-Is”. Tenderi kushtoi 1 miliard e 840 milionë lekë, apo rreth 15.7 milionë euro.