Krijimi i një shëtitoreje të re që çon në Sheshin “Shatërvan” është synimi i Komunës së Prizrenit, nëpërmjet rehabilitimit të rrugës “Shaip Spahiu”. Pas marrjes së pëlqimeve e lejes ndërtimore është iniciuar procedura e tenderit, me vlerën e parashikuar prej 600 mijë eurosh. Monitoruesit nga shoqëria civile kanë sugjeruar që gjatë intervenimeve të kihen parasysh rekomandimet e organeve të trashëgimisë kulturore
Komuna e Prizrenit në kuadër të përpjekjeve për rehabilitimin e rivitalizimin e hapësirave publike në zonën e parë të mbrojtur të Prizrenit ka iniciuar procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës “Shaip Spahiu”. Nëpërmjet këtij projekti planifikohet rregullimi i infrastrukturës në këtë rrugë, përfshirë kanalizimin, ujësjellësin, elektrikën dhe kalldrëmin. Vlera e parashikuar e kontratës sipas njoftimit të Komunës është rreth 600 mijë euro.
Monitoruesit nga shoqëria civile kanë vlerësuar se kjo rrugë ka peshë të posaçme, meqë shfrytëzohet nga banorët, bizneset e turistët dhe për këtë arsye, duhet të intervenohet me kujdes, gjithnjë duke i marrë parasysh rekomandimet e autoriteteve të trashëgimisë kulturore.
Shabani nga organizata joqeveritare ”EC Ma Ndryshe” ka përmendur disa hapa që duhen ndjekur, me qëllim që konkretizimi i projektit të jetë i suksesshëm.
kjo rrugë ka një rëndësi tepër të veçantë, pasi e njëjta e bën një lidhje të qytetit dhe është mjaft e frekuentuar prej turistëve. Andaj është mirë të kihet kujdes kur të intervenohet dhe gjithsesi duhet patjetër të respektohen edhe organet e trashëgimisë kulturore sepse kemi të bëjmë me Qendrën Historike. Pra një koordinim sa më të mirë në zbatimin e Planit të Menaxhimit mes institucioneve lokale e qendrore, e po ashtu në bashkëpunim me banorët, dhe mendoj se në fund do ta kemi një projekt të mirë për Prizrenin”, ka thënë Shabani.
Zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të në Prizren kanë konfirmuar lëshimin e pëlqimit për realizimin e këtij projekti, që sipas tyre, është i rëndësishëm për zonën e mbrojtur të qytetit të vjetër.
Samir Hoxha, drejtor i QRTK-së në Prizren, ndër të tjera e ka cilësuar këtë projekt si një mundësi që Qendrës Historike të Prizrenit t’i rikthehen vlerat e trashëgimisë arkitekturore dhe kulturore.
"Projekti për rehabilitimin e rrugës ‘Shaip Spahiu’ në qendrën historike të Prizrenit konsiderohet si njëri prej projekteve të rëndësisë së veçantë, andaj lidhur me këtë pas pranimit të kërkesës nga Komuna e Prizrenit, sipas procedurës QRTK-ja në Prizren ka pajisur projektin në fjalë me leje, andaj presim me padurim që ky projekt të fillojë të zbatohet dhe qytetit të Prizrenit, qendrës historike të Prizrenit t’i rikthehen vlerat e trashëgimisë arkitekturore dhe kulturore që ka”, ka thënë Hoxha.
Celë Lamaj, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, ka bërë të ditur se pas marrjes së lejes së ndërtimit, projekti është proceduar në Zyrën e Prokurimit dhe pas përmbylljes së prokurimit do të nisin punimet për realizmin e një shëtitoreje të bukur që çon drejt Sheshit të Shatërvanit.
“Është në fazën e tenderimit, pritet që gjatë këtij muaji ta përzgjedhim operatorin, kështu që mendoj që deri nga fundi i muajit tetor do të fillohet me punime në rrugën ‘Shaip Spahiu’”, ka thënë Lamaj.
Prezantimi i projektit detaj për ndërhyrjet në këtë rrugë më herët gjatë këtij viti ishte shoqëruar me diskutime, me ç’rast banorët sikurse edhe bizneset që operojnë në këtë pjesë patën kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e parkingjeve dhe që punimet të mos zhvillohen gjatë sezonit veror. Ndërkohë, aktivistët e shoqërisë civile patën insistuar që konsultimet për projektet që prekin hapësirat publike të realizohen me të gjithë hisedarët, duke filluar nga fazat e hershme.