Kulturë

Prizreni dorëzohet sërish duke anuluar “Të gjashtët kundër Turqisë”

Shfaqja "Të gjashtër kundër Turqisë

Pa e parë fare shfaqjen, ende pa u dhënë premierë më 16 tetor të vitit të kaluar, kundër shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” kishin reaguar edhe autoritetet turke. I kishte dalë punë Ambasadës së Turqisë në Kosovë. Tash, Prizreni për të dytën herë e anulon (Foto: Armend Nimani)

Pas anulimit në dhjetor “për shkaqe teknike” për “Të gjashtët kundër Turqisë” e mërkura e 5 marsit ka qenë data e re për t’u shfaqur në teatrin e Prizrenit “Bekim Fehmiu”, por është anuluar sërish. Tash, për produksionin situata është më e qartë. “Tani e dimë që pengesë kryesore është kryetari i Komunës së Prizrenit, respektivisht, presioni mbi të i Konsullatës turke në Prizren dhe i Ambasadës turke në Kosovë. Akoma jemi duke i kuptuar detajet, por ajo çfarë e dimë është që prezantimi i kësaj shfaqjeje në Prizren varet nga kryetari i Prizrenit, fatkeqësisht, e i cili, siç duket, është rob i presionit që ushtrohet mbi të nga grupe e struktura që operojnë me mendësi diktati”, ka thënë autori i ”Të gjashtët...” dhe udhëheqësi i “Multimadias”

Ndikimi i Ambasadës së Turqisë dhe Konsullatës së këtij shteti në Komunën e Prizrenit në raport me aktivitetet kulturore në këtë qytet,  del të jetë me peshë jo të vogël. Për herë të dytë nuk është lejuar dhënia e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” në teatrin “Bekim Fehmiu” në këtë qytet. Shfaqja, e cila është produksion i qendrës “Multimeda”, qe planifikuar të jepet mbrëmjen e së mërkurës. Por “Multimedia” është njoftuar se duhet shtyrë. Fillimisht kjo kishte ndodhur në fillim të dhjetorit për gjoja “shkaqe teknike”. 

“Sonte ka qenë e planifikuar ta japim ‘Të gjashtët kundër Turqisë’ në Prizren, megjithatë, edhe kësaj here kjo nuk qe e mundur”, ka thënë Jeton Neziraj i cili udhëheq qendrën “Multimedia”, njëkohësisht autor i shfaqjes nën regji të Blerta Nezirajt. 

Shfaqja kishte çuar pluhur të madh edhe para premierës në Prishtinë, në vjeshtën e vitit të kaluar.  
Pa e parë fare shfaqjen, ende pa u dhënë premierë më 16 tetor, kundër saj kishin reaguar edhe autoritetet turke. I kishte dalë punë Ambasadës së Turqisë në Kosovë. Kishin takuar ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, pikërisht për “Të gjashtët kundër Turqisë”. KOHA i kishte adresuar pyetje MKRS-së dhe Ambasadës së Turqisë në Kosovë, sapo e kishte marrë informatën. I kishte pyetur, ndër të tjera, nëse është mbajtur takimi. Nuk kishte marrë përgjigje. Por një muaj më vonë, më 14 nëntor – kur dramaturgu Jeton Neziraj me “Udhëtimin e Familjes Müller në Unmikistan” mori çmimin e parë për dramë origjinale shqipe, “Katarina Josipi” – ministri Çeku kishte thënë se e ndien obligim të shprehë solidaritet institucional me të pasi kohëve të fundit ka qenë i sfiduar për shkak të punës së tij. E kishte pasur fjalën për rastin e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” dhe atë me nobelistin kontrovers Peter Handke, i cili në nëntorin e vitit të kaluar e kërcënoi teatrin parisien për shfaqjen “The Handke Project” që ia heq maskën.

Neziraj të mërkurën mbrëma ka thënë se përderisa herën e parë, anulimi në Prizren ishte bërë me arsyetim të mjegullt, lidhur me çështje teknike, tash situata ka ndërruar. 

“Tani e dimë që pengesë kryesore është kryetari i Komunës së Prizrenit, respektivisht, presioni mbi të i Konsullatës turke në Prizren dhe i Ambasadës turke në Kosovë. Akoma jemi duke i kuptuar detajet, por ajo çfarë e dimë është që prezantimi i kësaj shfaqjeje në Prizren varet nga kryetari i Prizrenit, fatkeqësisht, e i cili, siç duket, është rob i presionit që ushtrohet mbi të nga grupe e struktura që operojnë me mendësi diktati”, ka thënë ai. 

Të mërkurën vonë KOHA ka kontaktuar me Burim Mustafën, drejtor i përgjithshëm i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren. 

Ai ka thënë se në dhjetor shfaqja u anulua për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ngrohjes. Ka treguar se qendra “Multimedia” kishte ofruar mundësinë e sigurimit të ngrohjes portative – me kalorifer – por, sipas DKRS-së dhe operatorit ekonomik që po kryente punimet e renovimit në objekt, në datën e caktuar ishte planifikuar të vazhdonin punimet, gjë që do të sillte ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike. Sipas tij, për këtë arsye, shfaqja u shty për një datë tjetër të përshtatshme për qendrën “Multimedia” dhe teatrin “Bekim Fehmiu” dhe pas diskutimeve, u vendos që shfaqja të jepej më 5 mars si datë e propozuar nga qendra “Multimedia”. 

“Megjithatë, pas një takimi me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren, na u sugjerua ta shtyjmë sërish. Aktualisht, jemi në pritje të caktimit të një takimi trepalësh nga DKRS-ja, ku do të marrin pjesë qendra ‘Multimedia’, Teatri dhe DKRS, me qëllim që të kuptohen arsyet e kësaj shtyrjeje dhe të përcaktohet një datë për reprizën e shfaqjes”, ka thënë Mustafa. 
Drejtori i DKRS-së në Prizren, Adem Morina, të mërkurën vonë i ka thënë KOHËS se s’ka dijeni për këtë rast.  

“Nuk jam i njoftuar për këtë shfaqje. Nga ju po e marr vesh”, ka thënë ai. Ka kërkuar që për më shumë sqarime ekipi i KOHËS të bashkëbisedojë me të në zyrë. 

KOHA ka marrë vesh se DKRS-ja nuk e ka lejuar Tetarin që ta vendosë shfaqjen në repertor për muajin mars. “Të gjashtët...” nuk është në repertorin e marsit, i publikuar në ditën e parë të këtij muaji. 
Në dhjetor sapo u publikua se kjo shfaqje do të jepet në teatrin “Bekim Fehmiu”, në rrjete sociale nisën kërcënimet e gjuha e urrejtjes në adresë të ekipit, shfaqja u anulua për “shkaqe teknike”, priste një datë të re, por historia nuk përfundoi me kaq. 

Kërkesa për anulim i ishte adresuar zyrtarisht edhe kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e aty i bëhet me dije se ky produksion teatror, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, “është përgatitur kundër interesave të Turqisë, po ashtu kundër presidentit të Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan, i cili po ashtu është qytetar nderi i Komunës së Prizrenit”. “Kërkesa për anulimin e shfaqjes së datës 6 dhjetor 2024, pranë ‘Teatres së Qytetit Bekim Fehmiu’”, qe nënshkruar nga Ertan Simitçi, anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, kryetar i Partisë Turke të Lëvizjes Novatore. Kryetarit i drejtohej edhe si përfaqësues i komunitetit turk. Kërkesa e tij ishte e qartë: shfaqja të anulohet. “Kjo shfaqje është kundër vlerave të komunitetit turk”, kishte gjykuar pas konstatimeve se është “kundër Turqisë e presidentit turk”. Kërkesa mbante datën dy dhjetor. Qe bërë publike nga qendra “Multimedia”.

Simitçi e luste kryetarin Totaj që të shfrytëzojë kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore dhe të mos lejohet që të jepet shfaqja, të cilën ai, siç shkruante “Multimedia”, nuk e ka parë. 

“Në emër të komunitetit turk po ashtu edhe si përfaqësues i komunitetit turk, po ju kërkojmë që të merrni masat e duhura për ta anuluar këtë shfaqje. Në e dimë që Ju si kryetar nuk keni pasur informatë rreth kësaj çështjeje, andaj ne kërkojmë që të kërkohet përgjegjësi nga drejtori i teatres dhe menaxhmenti për këtë ngjarje”,  do të shkruante Simitçi. Në tre rreshtat e fundit të letrës shkruante që kryetari t’ia miratojë kërkesën edhe për një arsye. “Shpresoj që kjo kërkesë të gjejë mirëkuptimin nga ana e Juaj pasi që ne e dimë se Ju keni edhe marrëdhënie shumë të mira me komunitetin turk në Kosovë dhe me institucionet e Republikës së Turqisë”, përfundonte Simitçi kërkesën e tij.
KOHA të mërkurën në mbrëmje ka kërkuar një sqarim nga kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, por ai nuk është përgjigjur. 

“Të gjashtët kundër Turqisë” e ka zanafillën te mësimdhënësit turq të cilët në një mëngjes të vitit 2018 ishin kapur nga Policia e Kosovës. Atyre u ishin revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë dhe shteti më i ri në Evropë ua kishte dorëzuar shërbimeve turke, ku nëpërmjet një avioni të veçantë ishin dërguar në Turqi, drejt e në burg. Të gjashtit, sipas shtetit turk që udhëhiqet prej vitit 2002 nga Recep Tayyip Erdogan, ishin pjesë e “krahut” të klerikut në ekzil, Fetullah Gülen. Lëvizja e Gülenit – dikur prej njerëzve më të afërt të Erdoganit – fajësohet nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Asokohe arrestimet në Turqi ishin në masë. E shfaqja e qendrës “Multimedia” merret me autoritarizmin. Shtron pyetje relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufijve.

Paralajmërimi për këtë premierë kishte nxitur reagime edhe në mediat turke.  Publikisht një gjë e tillë ishte bërë nëpërmjet medias “Yeniakit” që njihet si platformë mediale në përkrahje të pushtetit aktual në Turqi. Ayhan Demir, që vetidentifikohet si shkrimtar për çështje ballkanike, kishte shkruar tekstin “Propaganda e FETO-s në Kosovë”. Në këtë shkrim ai kishte bërë një bilanc të ndihmave që, sipas tij, Turqia ia ka bërë Kosovës. E më pas kishte nisur të tregojë se shfaqja nuk përmend heronjtë e veteranët e grushtit të shtetit dhe se Fetullah Gülen nuk përshkruhet si terrorist, por si klerik në ekzil.

Madje autori publikisht kishte kërkuar edhe llogari nga Ministria e Kulturës në Kosovë. 

“Ministria e Kulturës e Kosovës nuk mund të izolohet duke thënë se ka përkrahur qendrën ‘Multimedia’ dhe jo këtë shfaqje. Pritja jonë nga Ministria e Kulturës e Kosovës është që të njoftojnë se mbështetja që i është dhënë qendrës ‘Multimedia’ do të tërhiqet nëse vihet në skenë kjo shfaqje, e cila do të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve”, kishte shkruar Demir duke kërkuar që autoritetet e Kosovës të mos përpiqen të fshihen pas “perdes së ‘demokracisë’ ose ‘lirisë së mendimit’”. 

“Së fundmi: Ambasada jonë në Kosovë është e interesuar nga afër për këtë çështje. Ajo jep informacionin dhe paralajmërimet e nevojshme me përpikëri”, kishte shkruar Demir.
© KOHA Ditore