Kulturë

Prishtina paralajmëron lice artistik që i bën vend edhe “Prenk Jakovës”

Projekti për Liceun Artistik të Prishtinës, i prezantuar nga Komuna e Prishtinës

Projekti për Liceun Artistik të Prishtinës, i prezantuar nga Komuna e Prishtinës

Shkolla e mesme e lartë e muzikës “Prenk Jakova”, këto ditë shënon 75-vjetorin e themelimit dhe është prej institucioneve të arsimit parauniversitar me kontributin më të madh në skenën muzikore të vendit. Njëkohësisht funksionon në objektin me kushtet më të dobëta. Tash, sërish i premtohet një strehë e përhershme, por kësaj radhe me një projekt më madhor: Liceun Artistik të Prishtinës. Komuna ka zyrtarizuar inicimin e procedurës për tenderimin e ndërtimit të liceut artistik dhe “Prenk Jakova” do të jetë e para që ndërtohet në kuadër të këtij kompleksi

Në qershorin e vitit të kaluar, derisa në “Kino Armatë” Komuna e Prishtinës po prezantonte një seri projektesh nën titullin “E ardhmja e Prishtinës, sot”, një grup nxënësish të shkollës së mesme të lartë të muzikës, “Prenk Jakova” qe paraqitur si mysafir i paftuar. Nxënësit ia ndërprenë fjalën kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama, derisa po prezantonte projektin “Prishtina virtuale”.  Ata  zunë hapësirat në “Kino Armata” ku po mbahej konferenca me pankartat me mbishkrime të ndryshme. “Edhe sa me pritë?”, “Kryeqyteti pa objekt të shkollës së muzikës”, “Deri kur me kushte minimale?”, ishin vetëm disa nga mesazhet që u thanë pa zë nga këta nxënës.  Kryetari Rama e kishte menaxhuar situatën në stilin e tij, duke i pyetur se cilin objekt e dëshirojnë pasi atë ditë po prezantoheshin disa plane të ndërtesave publike.

Shkolla e mesme e lartë e muzikës “Prenk Jakova” këto ditë shënon 75-vjetorin e themelimit dhe është prej institucioneve të arsimit parauniversitar me kontributin më të madh në skenën muzikore të vendit. Njëkohësisht funksionon në objektin me kushtet më të dobëta. Për më shumë se 8 vjet është njëfarë zgjatimi i shkollës së mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”. Funksionon në një aneks të saj. Më herët mësimet zhvilloheshin në ish-objektin e shkollës së ekonomisë “Hoxhë Kadri Prishtina”.

Komuna ka kohë që thotë se projekti ekziston dhe synimet janë që ndërtimi të bëhet afër ndërtesës së Qeverisë, ish-pallatit të shtypit, “Rilindja”. E nuk bëhet fjalë vetëm për objekt të “Prenk Jakovës”. Do të jetë lice artistik. Se kur do ta nisë ndërtimin, s’ka afat. Për objekt shkolle, më herët ishin përmendur edhe lokacione të tjera, madje qe vënë edhe gur themeltar.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në kryeqytet, Samir Shahini, i cili ka marrë detyrën këto ditë ka bërë të ditur se ka nënshkruar inicimin e procedurës për tenderimin e ndërtimit të liceut artistik dhe “Prenk Jakova” do të jetë e para që ndërtohet në kuadër të këtij kompleksi.

Komuna ka kohë që thotë se projekti ekziston dhe synimet janë që ndërtimi të bëhet afër ndërtesës së Qeverisë, ish-pallatit të shtypit, “Rilindja”

Shahini ka thënë se është projekt i madh dhe ka disa faza.

“Fillimi është me shkollën ‘Prenk Jakova’. Deri tash ka mbetur për shkak të lokacionit. Tash është saktësuar lokacioni”, ka thënë ai. Sipas tij, mbetet që deri në vjeshtë, Drejtoria e Pronave ta zgjidhë çështjen e lokacionit.

“Por ne po iniciojmë procedurën që të mos humbim kohë. Mandej është Drejtoria e Pronës që duhet ta bëjë lirimin e hapësirës. Synimi ynë real është që të nisë puna në shtator. Parashikohet që në shtator të vendoset guri themeltar”, ka thënë ai. Sipas Shahinit, liceu do t’i shërbejë shkollës “Prenk Jakova”, asaj të arteve dhe do të ketë sallë multifunksionale që shkon përtej një salle të shkollës së muzikës.

“Kostoja totale e objektit është 8.5 milionë sipas parashikimit, por mund të ketë plotësime. Veç për këtë vit janë të ndara 500 mijë euro. Nëse nisin punimet në shtator, me këto mjete mund të kryhen goxha punë”, ka thënë ai.

Premtimet për ndërtesë të re për “Prenk Jakovën” janë të vjetra. Njëri prej tyre edhe ai i nëntorit të vitit 2012 kur objekti i shkollës “Prenk Jakova” sipas autoriteteve komunale, “nisi” të ndërtohej në “Breg të Diellit” përballë shkollës fillore “Ismail Qemali”.

“Sivjet do të vazhdojmë medoemos me lokacionin dhe me fillimin e ndërtimit të shkollës, sepse nuk mund të presim më”, kishte thënë në janarin e vitit 2016 kryetari i atëhershëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kur shkollën e zhvendosur në objektin e “Ali Sokolit” do ta vizitonte bashkë me Arbërie Nagavcin, asokohe drejtoreshë e Arsimit në Komunë e tash e më shumë se katër vjet ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Orkestra dhe Kori i “Prenk Jakovës” këtë javë kanë mbajtur koncertin me të cilin kanë shënuar 75-vjetorin e themelimit. Shkolla nisi punojë më 1950.

Drejtoresha e “Prenk Jakovës”, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se si institucion nuk ankohen, por synim e kanë punën. Por ka shtuar se është realitet që mungon ndërtesa e Filharmonisë, ajo e Fakultetit të Arteve dhe ajo e Shkollës së Muzikës.

“Kështu që inkurajoj të gjithë politikëbërësit që të mendojnë për këtë fakt që është dashur të përmbushet gjithsesi”, ka thënë ajo. Ka shtuar se gjithmonë besojnë se kjo shkollë do ta ketë ndërtesën e vet më në fund, sepse kryeqyteti e meriton jo veç një shkollë të muzikës.

“Nuk na mjafton vetëm një shkollë e muzikës. Kemi aq shumë talente të interesuar që për shkak të mungesës së objektit nuk kemi mundësi t’i pranojmë në shkollën tonë. Inkurajoj që menjëherë të iniciohet edhe shkolla e dytë shkaku i rrethanave”, ka thënë ajo.

Koncerti i së martës mbrëma qe premtues se talentet e reja kanë të ardhme të sigurt në aspektin profesional.

Lirjona Sylejmani, dirigjente e koncertit, njëherësh mësimdhënëse në “Prenk Jakova” ka thënë se mbetet me shpresën që kjo është hera e fundit që u premtohet një objekt shkolle.

“Shpresoj që kësaj radhe vërtet të ndërtohet. Nëse ndërtohet ashtu si është plani, do të ishte hapësirë e duhur. Është një lice me shumë drejtime. Kam qenë në grupin punues ku kemi treguar nevojat. Unë kam treguar për sallat e korit dhe orkestrës. Arkitektët kanë qenë shumë të vëmendshëm”, ka thënë ajo. Sipas Sylejmanit, nëse realizohet ashtu siç kanë thënë autoritetet komunale do të ishte e lumtur pasi nxënësit do të ushtrojnë në salla të duhura.

“Po ta kishin një sallë që duhet, këta do të shkëlqenin edhe më shumë”, ka thënë ajo. Këto ditë, koncerti i përvjetorit të Shkollës të enjten është dhënë në Zagreb e të premten në Lubjanë. Se kur do të krijohet mundësia që nxënësit të kenë një shkollë me sallë të vërtetë për koncerte, mbetet të shihet.