Për herë të parë do të përmendej rreth vitit 1315 si rrugë, në një krisobulë nga Banjska e Mitrovicës. Disa vjet më vonë Prishtina përmendet edhe në një dokument raguzan (që ndodhet në arkivat atje) që dëshmon se tregtarët raguzanë paguanin taksën e tyre në një vendbanim të quajtur Prishtinë. Kishte nja 150 banorë. Të dhëna si këto dhe shumë më shumë tashmë kanë një adresë: prishtinahistori.org. Ky qerthull, siç e quajnë krijuesit, vjen si një “kundërpërgjigje” e faktit se e kaluara e Prishtinës është “shumë pak e ruajtur nëpër arkiva”. Përmban materiale arkivore prej shekullit të 13-të e deri në shekullin e 20-t, por ky është vetëm fillimi
“Prishtina në histori” është titulli i faqes digjitale e hapur me qëllim për të grumbulluar tekste, harta, gravura, fotografi e punime rreth historisë së qytetit të Prishtinës, e që kapin kohën prej fundit të shekullit të 13-të deri në vitet e para të shekullit 20.
Në editorialin e platformës, redaktori i saj, Yll Rugova, ka thënë se ajo ngjan me muze online, por se s’mund të konsiderohet si e tillë.
“Formati i kësaj platforme, që ka për synim të mbledhë dhe të bëjë të qasshme për publikun e gjerë burime dhe njohuri rreth historisë së qytetit (dhe rajonit) të Prishtinës, është pak i pazakontë. Nuk është revistë shkencore online, as nuk është faqe e promovimit të turizmit të qytetit, qysh zakonisht zhvillohen për qytete të ndryshme. Platforma mund të ketë ndonjë ngjashmëri me formatin e muzeve online, që janë zhvilluar dekadat e fundit, por, megjithatë, nuk mund të konsiderohet e tillë”, ka thënë Rugova.
Në komunikatë nga “Trembelat”, si iniciues të platformës, është thënë se Arkivi i Prishtinës i ka bërë të qasshme dokumentet. Aty thuhet se rishtazi në këtë arkiv janë sjellë mbi 38 mijë e 500 dokumente osmane “të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15-të deri në shekullin 20”. Në njoftim thuhet se shumica e materialeve janë të pastudiuara dhe të panjohura për publikun.
“Në anën tjetër, shumë studime, të cilat janë bërë bazuar në arkivat e Romës, Venedikut dhe Dubrovnikut mbesin në sirtarë të bibliotekave dhe njihen vetëm prej një grupi të vogël specialistësh. Këto të dhëna, por dhe të tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e Prishtinës, nga arkiva, biblioteka e koleksione janë mbledhur dhe do të vazhdojnë të mblidhen në fazat e tjera të këtij projekti. Në mesin e materialeve të botuara janë edhe rreth 100 dokumente origjinale të përkthyera, si shtesë për tekstet e shkruara enkas, e artikuj të rëndësishëm nga e kaluara që meritojnë të lexohen më gjerësisht. Pjesa më e madhe e tyre janë botuar në këtë fazë fillestare”, thuhet në komunikatën për media të mërkurën, pas lansimit të platformës.

Në përgjigje për KOHËN, Rugova ka vlerësuar se nga dokumentet në këtë platformë mund të mësohet shumë për historinë e kryeqytetit.
“Është me rëndësi të rikujtohet se historia e Prishtinës nuk fillon as në vitin 1999, as në vitin 1945 e as në vitin 1912. Megjithëse të tri këto data janë shumë me rëndësi për fatin e qytetit. Prishtina për herë të parë përmendet në vitin 1315, ani pse për të përshkruar një rrugë të asaj kohe. E të dhënat për qytetin vijnë e shtohen pas kësaj date. Ka të dhëna me shumë interes për koloninë raguzane në Prishtinë gjatë gjithë viteve 1300. Pastaj ndryshimet që ndodhin në vitet 1400, kur qyteti kalon nën okupimin osman. Zhvillimi që e karakterizon në dy shekujt vijues, e deri në një periudhë të shkurtër të okupimit Habsburg në vitin 1689. Të gjitha këto periudha janë relativisht mirë të dokumentuara në burimet e kohës, një pjesë të mirë të të cilave i kemi botuar në këtë qerthull”, ka thënë ai.
Hulumtues për dokumentet osmane është profesori Agron Islami nga Instituti i Historisë. Në një shkrim në Facebook, Islami ka thënë se punimi i tij mbështetet në dokumente osmane dhe në bibliografi të zgjedhur, përmban të dhëna mbi historinë politike, demografike dhe urbanistike të kryeqytetit. Hulumtues i përgjithshëm është Durim Abdullahu nga Universiteti i Prishtinës.
Ballina e platformës nis me “Burimet për Prishtinën 1315-1899” duke vazhduar me seri shkrimesh. “Burime për Prishtinën” është e ndarë në katër periudha. Faqja në ballinë përfundon me 5 harta interaktive që shpalosin edhe regjistrimet e popullatës.
E Rugova ka thënë se ndër veçantitë kryesore është regjistrimi i parë i detajuar i popullsisë me emra të kryefamiljarëve, i vitit 1569. Ai ka thënë se ndër dokumentet është edhe Testamenti i Pjetër Bogdanit më 1689, që si dokument është ruajtur në Romë e se është përkthyer në shqip në këtë platformë.
“Në vitin 1809 janë regjistruar disa fjalë shqip të Maliq Pashë Gjinollit, pashait të Prishtinës për nja 30 vjet. Është hera e parë që gjejmë fragment shqip nga një figurë e Prishtinës. Pastaj e kemi gjurmuar një gravurë nga Prishtina, më e hershme që njohim deri tash, të vitit 1849, e të tjera”, ka thënë Rugova.
Ky “qerthull”, siç e quan Rugova, është paramenduar për publik të gjerë, por që krijuesit presin t’u hyjë në punë studiuesve të vendit dhe atyre të huaj. Materialet janë përkthyer në anglisht e serbisht me këtë qëllim, ka bërë të ditur Rugova.
Ai ka vlerësuar se e kaluara e Prishtinës është “shumë pak e ruajtur nëpër arkiva”. Por ka shtuar se, megjithatë, disa dokumente me rëndësi ndodhen në Arkivin e Kosovës.
“Është fjala këtu për dokumente origjinale. Ndërkohë që kopjet dhe kopjet digjitale janë sjellë rishtazi edhe në Prishtinë në vitin 2018, dhe këto përbëjnë pjesën kryesore të materialeve që janë shqyrtuar edhe për këtë përmbledhje”, ka thënë ai për platformën që është “iniciativë e Trembelave me siglën botuese ‘Varg’ nën mbështetjen e veçantë nga fondet e Komunës së Prishtinës, në partneritet të ngushtë edhe me Arkivin e Prishtinës”.