Kulturë

“Prishtina Jazz Orchestra” në rrëfimin origjinal që frymon shqip

Prishtina Jazz Festival

Sivjet ngjyrat e “Prishtina Jazz Festivalit” i ilustrojnë emra të shquar të muzikës. Prijatar i edicionit të 12-të ka qenë koncerti nga “Prishtina Jazz Orchestra” e repertori me vepra origjinale të vetë interpretuesve. Folklori është njëra prej frymëve që shkrihet në muzikën jazz, e muzika shqiptare është bërë një me të

Koncerti me të cilin është hapur “Prishtina Jazz Festival” ka qenë dëshmi jo vetëm e mjeshtërisë në interpretim, por edhe e krijimtarisë së jazz-skenës vendore. “Prishtina Jazz Orchestra” ka bashkuar emrat më eminentë të Kosovës dhe ka sjellë vepra origjinale të kompozitorëve e muzikantëve vendorë në një rrëfim muzikor që harmonizon jazzin me ritmet e muzikës shqiptare

Skena muzikore e Prishtinës është e pasur me ngjarje kulturore, veçmas me festivale që përqendrohen në zhanre të veçanta e shënjestrojnë instrumente të veçanta. Për jazzin, frymë unike është “Prishtina Jazz Festival”. 

Sivjet ngjyrat e tij i ilustrojnë emra të shquar të muzikës. Prijatar i edicionit të 12-të ka qenë koncerti nga “Prishtina Jazz Orchestra” e repertori me vepra origjinale të vetë interpretuesve. Folklori është njëra prej frymëve që shkrihet në muzikën jazz, e muzika shqiptare është bërë një me të. 

Të enjten mbrëma në teatrin “Oda” ka nisur rrugëtimi i sivjetmë nëpër ritmet e muzikës jazz. Aty do të zhvillohet krejt programi. Shenja e vetme e ngjarjes aty është vetëm projektimi i emrit të festivalit me ngjyra të zbehta në prapavijën e skenës ku kanë interpretuar. Ajo që nuk është as skenë tamam, por thjesht dysheme e sheshtë ku luajnë aktorët dhe ka marrë kuptim kur anëtarët e orkestrës kanë nisur të zënë vendet e tyre dhe të sjellin ritmet e bukura të jazzit. 

Në veprën “As Indikalastros” orkestra shpesh ka sjellë ngjyrat klasike duke tingëlluar si një lloj jazzi më serioz. Orkestra shpesh bëhet një në zbërthim tingujsh. I përhershëm është ritmi i baterive. Loja solo e instrumentistëve është goxha e theksuar, por kryesisht vepra i harmonizon krejt instrumentistët. Tingujt elektroakustikë i ilustron Liburn Jupolli në theremin duke i dhënë efekte të çuditshme, por të bukura. Mbyllet me tërheqjen e telave me gishtërinj nga violinisti Visar Kuçi. 

Veprat në përgjithësi janë moderne e më së miri shprehen me përfshirjen e violinës dhe instrumentit të muzikës elektronike. 

Kitaristi Armend Xhaferi ka thënë se në përgjithësi, veprat origjinale bëjnë bashkë jazzin me folklor shqiptar. 

“Është jazz i kombinuar me folklor tonin. Atë që ne si fëmijë e kemi dëgjuar nëpër dasma, nëpër filma, jazzin që e kemi mësuar në shkollë, krejt këto i kemi bashkuar. Veprat tona nuk janë të ngjashme, por prapë nuk mund t’i vendosësh bashkë. Në total janë shumë të përafërta dhe po flenë shumë mirë në koncept të bendit, të repertorit. Është hera e parë që po e bëjmë këtë gjë bashkë dhe shpresoj të mos jetë e fundit”, ka thënë jazz-kitaristi, Armend Xhaferi. 

Orkestra e Prishtina Jazzit ka bashkuar Xhaferin, Raynald Colomin, Daniel Nosigun, Dukagjin Muhaxherin, Jure Puklin, John Cushingun, Philip Yaegerin, Visar Kuçin, Ilir Bajrin, Liburn Jupollin, Taulant Mehmetin, Driton Bejtën, Enver Muhamedin, Nesim Maxhunin, Enes Beun dhe Sam Levin. 

Xhaferi që është edhe drejtor i “Prishtina Jazz Festival” ka thënë se këta emra janë prej muzikantëve më të mirë në vend e më gjerë.  

Orkestra e Prishtina Jazzit ka bashkuar Armend Xhaferin, Raynald Colomin, Daniel Nosigun, Dukagjin Muhaxherin, Jure Puklin, John Cushingun, Philip Yaegerin, Visar Kuçin, Ilir Bajrin, Liburn Jupollin, Taulant Mehmetin, Driton Bejtën, Enver Muhamedin, Nesim Maxhunin, Enes Beun dhe Sam Levin
 

“Është një kombinim i muzikantëve të Prishtinës me jazz-muzikantë të botës. Një ide jona për ta bërë një ansambël me vepra tona, sepse vitin e kaluar ka qenë ‘BigBendi’ që edhe ajo e ka bukurinë e vet. Sivjet vendosëm t’i fusim kompozimet tona në këtë orkestër dhe kemi ftuar shokët tanë që janë shumë të mirë”, ka thënë ai. 

Veprat që kanë luajtur kanë për autorë Taulant Mehmetin, Visar Kuçin, Liburn Jupollin e Armend Xhaferin. 

Vepra si “Ni sendviq tshpis!” e Liburn Jupollit, “Mantija” e Taulant Mehmetit e “Winds of suxhuk” kanë qenë dinamike e energjike. Instrumentet shpesh janë në një vijë melodike. Improvizuese është loja e Armend Xhaferit në kitarë, ndërsa frymorët e ndjekin lehtë. 

Vepra e Mehmetit ka intron me lojë të kitarës. Tema e lojës së gjatë solo të trombonit përkthehet në tinguj të saksofonit. Gjatë krejt kohës, përcillet nga bateritë dhe pianoja para se kitara ta marrë në dorë veprën. 

Veprat “Lanugo” dhe “Albinox” të Visar Kuçit kanë qenë me ritme “swing” siç ka ngjarë me të parën e me ato tradicionale, në të dytën.  Tingujt e pianos në këtë të fundit janë më të theksuar dhe këtu e shpreh tamam rolin e saj në muzikën jazz. Frymorët kanë lloj ngjyrash tradicionale. Ato konfirmohen me lojë më të gjatë që vjen si version i plotë i asaj që paraprakisht paralajmërohet. 

Autori i veprave, violinisti Visar Kuçi, ka thënë se veprat kanë qenë me motive të muzikës etno.

“Komplet programi ka qenë me muzikë origjinale të kompozuara prej Armend Xhaferit, Taulant Mehmetit dhe dy kompozime të miat. Njëra ka qenë me ritme tradicionale shqiptare, ballkanike. Madje në një moment e kam cituar një temë që është shumë e njohur popullore. Tjetra ka qenë një parodi e ‘jazz swings’, sepse sonte nuk kemi pasur ‘swings’. Krejt ka qenë jazz me motive më shumë të muzikës etno”, ka thënë Kuçi. 

Ka thënë se violina klasike nuk është fort e zakonshme në formacione të tilla, por se orkestra me muzikantë të nivelit të lartë e bëjnë atë të shkëlqejë.

“Më shumë violina elektrike përdoret në këso formacioni, por unë personalisht nuk luaj shumë me violinë në këso lloj projektesh, përpos nëse është diçka shumë e veçantë sikur sonte ku edhe orkestra e të gjithë muzikantët janë të nivelit shumë të lartë. Mendoj se në momente i ka dhënë ngjyrë të veçantë komplet programit, normalisht duke iu falënderuar kolegëve që kam pasur përreth. Kur i ke muzikantët e mirë mund ta krijojnë platformën që ti të shkëlqesh”, ka thënë Kuçi. 

Te vepra “Nji lule”, loja minimale e instrumentistëve sjell një atmosferë të çuditshme. Gradualisht kulmon dhe vishet me ngjyra melankolie. Edhe te kjo tradicionaliteti është i shprehur. 

Koncerti ka nisur me rreth gjysmë ore vonesë. I vonshëm ka qenë kryeministri Albin Kurti. Kohëve të fundit skena e ngjarjeve kulturore është bërë edhe skenë për fushatë politike, andaj kryeministri para të pranishmëve ka thënë se do të vazhdojnë përkrahjen për festivalin. E rëndësinë e jazzit e ka përkufizuar edhe me improvizimin. 

“Në këto edicione të Jazz Festit duhet të theksojmë një aspekt të rëndësishëm: se pse bëjmë muzikë dhe çfarë e bën improvizimin kaq të vlefshëm. Improvizimi jazz na bën të mësojmë të mos jemi shumë të rehatshëm, apo të provojmë të jemi të rehatshëm me mosrehatinë, sepse rehatia na largon prej dëgjimit të vërtetë. Dëgjimi është çelësi i çdo bashkëpunimi të shëndetshëm, si në muzikë, ashtu edhe në politikë. Pjesëmarrja e ‘Prishtina Jazz Orchestra’ në ditën e parë të festivalit është një dëshmi e rëndësisë së jazzit si për kulturën, ashtu edhe për shoqërinë tonë”, ka thënë kryeministri Kurti. 

Aktori Alban Ukaj e ka hapur Festivalin. Ka thënë se është prej aktorëve që gjithmonë ka dashur të jetë jazz-muzikant dhe se për të ka qenë dëshirë e kamotshme ta bëjë hapjen e “Prishtina Jazz Festival”. 

“Gëzohem pa masë që ky festival e ka kontinuitetin e tij dhe që atë po e organizon pikërisht Armend Xhaferi me të cilin njihemi shumë moti”, ka thënë Ukaj, aktori i shquar i cili jeton në Sarajevë, e që midis miqsh, njihet edhe si interpretues në saksofon.  

Në skenën e Festivalit ka kujtuar kur herën e parë kishte shkuar në Sarajevë bashkë me Armend Xhaferin. Prej atij rrugëtimi kujton qetësinë e Xhaferit duke e lidhur edhe me muzikën e tij. 

“Më kujtohet që ajo rrugë kah Mali i Zi ka qenë diku rreth 18 orë dhe ato maltretimet që i kemi pasur nëpër kufij, ku gjithmonë neve shqiptarëve na nxirrnin nga autobusët. Por Xhafa nuk e kishte problem. Sa herë kthehej në autobus, e zinte prapë gjumi. I thosha se si po mund të flejë dhe thoshte se bëhesh nervoz, por pas një momenti fle. Ashtu është edhe muzika e Xhafës. Duhet të jesh i gjallë në mendime, në dëshira, në aspektin spiritual për të bërë diçka të tillë. Unë kam pasur fatin dhe dëshirën që gjatë gjithë kohës jam shoqëruar me muzicientë, më pak me aktorë”, ka thënë aktori Ukaj. 

Vjet Prishtina Jazz Festival u rikthye për ta vazhduar rrugëtimin që e kishte ndërprerë në vitin 2014. U mbajt për dhjetë edicione prej vitit 2005, themeluar e organizuar nga Ilir Bajri.  

Festivali do të vazhdojë programin deri më 18 nëntor. Të premten në natën e dytë kanë interpretuar “Trevor Dunn Solo”, “Titan to Tachyong” dhe “Taulant Mehmeti Quartet”. Më 16 nëntor interpretojnë “Erkand Morina Trio” dhe “Raynald Colom Band” ndërsa një ditë më pas, natën e katërt muzikën jazz e sjellin “AT Duo” dhe “Kurt Rosenwinkel Trio”. Edicioni i sivjetmë mbyllet me “KosJazz”. Të gjitha koncertet kanë adresë teatrin “Oda”. 

Në kuadër të këtij edicioni, për katër ditë do të ketë punëtori, ku mentor do të jenë muzikantë si Raynald Colom, bendi “Titan to Tachynos”, Erkand Morina dhe Taulant Mehmeti. Të gjitha punëtoritë mbahen në qendrën për kulturë alternative “Defy Them” në Prishtinë.