Kulturë

Prishtina e mjeshtrit të grafiteve dhe shenja në KOHË

Fillimpranvera mjeshtrin francez të grafiteve, Sade One –  siç e njeh bota e artit, Nicolas Colombani – e gjeti në Prishtinë. Kosova në pikëvështrimin e tij është shumëngjyrëshe dhe të tillë e bëjnë njerëzit. Shumëngjyrësh është edhe grafiti i tij në KOHA që thur edhe mesazhin “Trust in the Truth!”, i cili frymon edhe me moton e mediumit dhe vjen në kohën kur “KOHA Ditore” shënon 27-vjetorin e rrugëtimit

Nja një orë para zenitit, në mur ia shkrep me sprej të hirtë dhe shpejt skica nis e merr formë. Zënë të dallohen shkronjat që formojnë emrin e tij artistik – Sade. Është fjalëpak kur nis punën, nuk pranon që biseda me të të bëhet kur është në hapat e parë të një vepre.

E enjtja e fundit e marsit, mjeshtrin e grafiteve Nicolas Colombani, e ka gjetur në ambientet e KOHË-s. Bufeja e redaksisë për hiç më pak se shtatë orë është shndërruar në atelie të tij. Rezultati final: grafiti në 42 metra katrorë në dy faqe muri. Mesazhin e lë për fund: “Trust in the Truth!”

Grafiti i finalizuar i Sade One në bufenë e KOHË-s

“Kjo është për ju KOHA”, thotë Sade me një buzëqeshje të lehtë që ia përshkon çehren edhe për një punë të kryer. Shenja shumëngjyrëshe në KOHA, tërthorazi vjen edhe si një dhuratë në një ditë me peshë për gazetën “KOHA Ditore”. Të dielën feston 27-vjetorin.

Sade One, ose thjesht Sade, është Nicolas Colombani (53). Biografia e tij është e gjatë. Lista e veprave po ashtu.

Grafiti i identitetit

Udhëtimin me grafitin do ta niste në moshën 14-vjeçare në Paris, për të eksperimentuar tutje dhe me dimensione të tjera, të cilat kanë ndërtuar karrierën e tij afër katërdekadëshe. Do të shpërngulej nga Franca për në Zvicër në vitin 1989, ku u bë njëri prej artistëve të parë të grafitit në këtë vend, duke lënë gjurmë në rrugë, trena dhe galeri të ndryshme arti. Shquhet si themelues i skenës së grafitit në shtetin helvetik.

Kosova për të është një kapitull i hapur rreth tre vjet më parë. I impresionuar nga mikpritja dhe energjia pozitive që sipas tij, e karakterizojnë vendin, ka disa projekte konkrete. Tepër energjik është në realizimin e veprës. Ajo në KOHË është shansi për ta parë nga afër mënyrën si i jep formë.

Me tipografi origjinale të krijuar nga vetë artisti, mbulon pjesën dërrmuese të murit fillimisht duke vijëzuar shkronja. Si proces ngjason me një performancë artistike, përtej aktit të vizatimit e ngjyrimit me bojëra. Murali i jep mundësinë e shpërfaqjes së identitetit personal artistik. Kjo është edhe filozofia e artit të tij.

“Grafiti ka të bëjë shumë me identitetin personal të artistit, ka të bëjë me shkronjat dhe zakonisht bëjmë skica, por nganjëherë edhe improvizojmë. Procesi dallon nga mënyra se si i qasesh veprës në tërësi. Për shembull në rast se shkruan grafit në rrugë ose në ndonjë tren, duhet të jesh i shpejtë, por kur ke më shumë kohë në dispozicion, ke kohë edhe të mendosh të zgjedhësh ngjyrat me kujdes. Personalisht kam dëshirë që para se ta filloj një punë, ta nis me një skicë, sepse shkronjat janë tipografi dhe aty ka rregulla dhe duhet të jenë proporcionale”, thotë ai derisa pranon të bisedojë në një pauzë të shkurtër. Në KOHË, ka mjaftueshëm kohë. Ngjyrat i përzgjedh me kujdes.

Sade One në proces pune në bufenë e KOHË-s, të enjten më 28 mars 2024 (Foto: Driton Paçarada)

Disa figura krah emrit të tij në grafit, kanë marrë formë. Ngjasojnë herë si buzë e herë si trupa të padefinuar. Kësisoj, përfshin dhe detajin e komikes në to. Në shikim të parë, hiperbola është element që përshkruan mirë këtë vepër, nisur nga stilistika që ai vendos të përdorë dhe zmadhimi i çdo detaji, si në dukje njëjtë edhe në mesazh.

Përgjatë procesit të formimit të siluetave parësore të objekteve në grafit, artisti bën hartëzimin e çdo detaji që do ta ndërtojnë grafitin. E pas këtij procesi, fillon me hijezimet kryesore që i bën me të kaltër. Fillon me subjektin kryesor: emrin e tij artistik. Pastaj u jep frymën e parë edhe reve të cilat gjithashtu janë detaj që e dallojnë punën e tij.

Pulsin e adhuruesve të artit të grafiteve në Kosovë,  Sade e kishte matur pak vjet më parë, kur realizoi një vepër në Gjakovë. Ka tre vjet që ai është njohur Kosovën dhe vizitës së parë këtu do t’i paraprinte një takim me një mik kosovar në Shqipëri, i cili do të insistonte me ngulm që ai ta vizitonte Kosovën. Që atëherë, përgjatë tre vjetëve do të rikthehej dhjetëra herë.

“Mund të them që kam rënë në dashuri me këtë vend. Për tre vjet kam bërë afro 20 vajtje-ardhje. Kam takuar njerëz shumë të mirë. Është e mahnitshme, të gjithë me flasin shqip dhe është shumë e mrekullueshme se sa shumë të rinj ka këtu”, thotë ai.

Por, për Sade One, Prishtina tani duket të jetë një stacion që nuk po i shqitet dot, pasi që bashkë me mikun e tij ka plane konkrete që synojnë t’i shërbejnë skenës alternative të artit në Kosovë.

“Bashkë me mikun tim Barlet Gega po punojmë në një platformë artistike e cila do të quhet ‘Pellg’ për artistët e Ballkanit, dhe natyrisht do të jetë ndihmesë për artistët nga Kosova që të depërtojnë jashtë vendit. Ju keni një kulturë të madhe, një energji të freskët, ndryshe nga vendi prej nga vij. Kam përshtypjen se ju e keni në dorë të ardhmen tuaj”, thotë Colombani.

Përveç platformës “Pellg”, e cila pritet të lansohet në javët në vazhdim, ai synon që artistëve të rinj në Kosovë që kanë afinitet me teknikën e grafitit, t’u ofrojë mbështetje përmes masterklasave.

“Grafiti është mënyrë jetese”, thotë Sade One në pauzë derisa realizon grafitin në bufenë e KOHË-s, të enjten më 28 mars, 2024 (Foto: Driton Paçarada)

“Prishtina do të jetë Berlini i ardhshëm në Evropë”

Tek vendos detaje zbukuruese në grafitin për KOHËN, si hijezimet që krijojnë iluzionin e dimensionit dhe pikat që e bëjnë atë të duket sikur shndrit, ai thotë se synon që emrin e Kosovës ta bëjë të njohur jashtë vendit. Thekson përparësitë që ofron ajo për artistët.

“Unë flas ndërkohë me miqtë e mi artistë nga vendet e ndryshme si Franca e Anglia dhe u tregoj se Prishtina do të jetë Berlini i ardhshëm në Evropë. Para 25 vjetësh Berlini ka qenë një vend ku ke mundur të marrësh atelie shumë më lehtë se në vendet tjera dhe e njëjta gjendje është edhe këtu. Njerëzit duhet të njihen me mundësitë që ofron ky vend”, thotë Sade, derisa sprejin s’e lëshon nga dora.

Kosova, e cila siç e konfirmon ai, e ka pritur mirë dhe i ka ofruar atij lirinë artistike për artin që zanafillën e ka te ilegaliteti. Tash arti i dikurshëm i rrugës është subkulturë. Prishtina me “Meeting Of Styles” dhe Ferizaj me “MuralFest” janë shndërruar në pikëtakime emrash të njohur si puna e Sades. Të dyja ngjarjet fuqizojnë muralet e grafitet si gjuhë universale që tejkalon kufijtë.

Rastet si ky i Sade One, ku artistët gjejnë veten në vende të ndryshme të cilëve fillimisht u duket se nuk u përkasin, dëshmon se arti vjen edhe si deklaratë e guximshme e individualitetit në një botë që shpesh me a pa qëllim tenton ta homogjenizojë dhe të heshtë zëra.

“Energjia këtu është shumë e mirë, ndihem shumë i sigurt, ndihem rehat, njerëzit janë shumë të sjellshëm. Nuk është e njëjta gjë në vendin prej nga vij unë. Ka shumë zemër në çkado që bëni dhe kjo më emocionon shumë pasi që shumë vende evropiane momentalisht janë shumë më të ftohta, më vetjake, ndërsa këtu nuk e ndiej atë, së paku nga koha që kam kaluar këtu”, thotë Colombani.

 “Lirinë që ta jep është e mrekullueshme, nuk pyet askënd, vetëm krijon”, thotë Sade One emri i vërtetë i të cilit është Nicolas Colombani (Foto: Driton Paçarada)

Arti ilegal me lirinë artistike si kundërvlerë

Gjuhën e artit të rrugës, Sade One nisi ta mësonte qysh e ri.

“Në moshën 14- vjeçare zbulova grafitin, kisha mundësinë që të shkoja në New York dhe ta shihja, u impresionova shumë, por nuk e kuptoja mirë, por pastaj në Paris ishte gjenerata e parë e artistëve të grafitit dhe më kujtohet teksa shihja punët e tyre dhe aty kisha vendosur që unë do të bëhesha artist i grafitit. Si në çdo fillim, edhe unë isha i ngathët, por ishte një nisje e një trendi në Paris, ishim pak në numër, por prej atëherë ky numër vazhdon e rritet”, thotë Colombani. Në kryeqytetin francez thotë se tashmë është rikthyer në praktikë që çdo tre vjet të dalin gjenerata të reja të artistëve të grafitit, ndryshe nga dikur kur numri i tyre ishte më i kufizuar.

Sipas tij kjo teknikë e të shprehurit përmes artit është një mënyrë jetese, me plot sfida, por që në këmbim, ka lirinë maksimale.

“Është mënyrë jetese, sepse për shembull kur gjenerata ime ka filluar të merret me grafitin, ne nuk e kemi menduar kurrë që do të merremi profesionalisht me të, nuk e kam menduar se do të më shërbente diçka përveç përmbushjes shpirtërore. Tash, është ndryshe, është shumë më i popullarizuar”, thotë mjeshtri i grafitit që ka edhe anën tjetër të medaljes.

“Por prapëseprapë, grafiti është një art që sjell telashe më shumë se sa benefite. Shumë herë ndodh që të ndiqesh nga njerëzit, gjobitesh, në shumë vende është veprimtari ilegale. Por, lirinë që ta jep është e mrekullueshme, nuk pyet askënd, vetëm krijon”, thotë ai teksa e rikonfimon se për një artist liria është shumë e rëndësishme.

Procesi i krijimit të veprës duket të jetë po aq i rëndësishëm se vetë vepra e finalizuar. Për të ajo dallon shumë nga puna e tij si dizajner grafik, e cila kërkon përpikëri dhe ka tjetër natyrë. Në grafit thotë se ndihet i lirë, duke thyer të gjithë kufijtë e mundshëm.

 “Kur dua të punoj një grafit, vetëm dal dhe e bëj. Nuk pyes askënd dhe është interesante sepse kanë kaluar 30 vjet dhe ende e bëj me shume qejf. Është momenti kur shkyçem nga bota totalisht dhe grafiti zakonisht ka përmasa të mëdha dhe krijohet përshtypja se je duke punuar brenda një flluske nga e cila asgjë nga jashtë nuk mund të ndikojë”, thotë Sade One derisa bën retë e radhës në grafitin e tij. Në flluskën e fundit ka futur emrin “KOHA”. Sade ka një lidhje të tërthortë me gazetarinë.

Pas përfundimit të rrugës akademike me master në komunikim, do të angazhohej si dizajner grafik në projekte të ndryshme dhe më pas udhëhoqi anën artistike të shumë projekteve nga fusha të ndryshme si moda e kinematografia.

E kaluara e tij me dizajnin grafik vazhdon të mbetet edhe sot një element me ndikim në punën e tij. Përtej dizajnit dhe punës në kanavacë e grafite, veprimtaria e tij zgjerohet edhe në prodhimin e filmit. “Five Thirteen” i vitit 2010 në Los Angeles, ka qenë edhe një përvojë tjetër që e ndihmoi atë në formimin e stilit të tij, i cili tani shfaqet si një dyzim i kulturës së rrugës dhe botës së dizajnit që bashkërisht luajnë me kodet e komunikimit. Në krijimtarinë e tij janë dhe pikturat dhe skulpturat të cilat sërish përkojnë me stilin e tij në grafitë. Ato janë ekspozuar nëpër galeri të ndryshme në Evropë si “La Foire de Lille” dhe “The Secret Gallery” në Paris, “Samhart” në Zvicër, “Galeria Francis Noel” në Belgjikë, “Artraction” në Gjenevë dhe “Modernity Cruise” në Itali.

Sade kaloi shumë vjet duke zhvilluar një stil arti që përmbledh sfondin e tij të grafitit, ndërsa e rriti atë me një pamje të re për në kanavacë dhe skulpturë. Ideja ishte që të dilte nga muri duke i bërë grafitet e tij në skulptura për të ofruar më shumë thellësi dhe vëllim.

“Më është dashur kohë që të kaloj në dimensione të tjera, pasi që jam munduar të bëj diçka origjinale, jo vetëm ta realizoj në kanavacë atë që e punoj njëjtë edhe në murale. Dhe kështu kam krijuar disa skulptura të cilat luajnë me dimensionin. Ideja është që të duket sikur grafiti po del nga muri duke marrë tjetër dimension”, ka thënë ai. Tredimensionaliteti del në pah edhe në grafitin te “KOHA” që e ka transformuar bufenë.

Teksa dielli ka kohë që ka perënduar, Sade bëhet gati për detajet e fundit në veprën e tij në mbi 40 metra katrorë. Krahas nënshkrimit të tij në të majtë të grafitit, në cepin tjetër ai jetëson me ngjyrë të zezë “KOHA”. Vëmendjen me të parë grafitin shumëngjyrësh e merr flluska e mesazhit – propozuar nga kryeredaktorja e KOHË-s, Brikenda Rexhepi – që bart moton domethënëse mbi të cilën ndërtohet etika e punës së mediumit: “Trust in the Truth!”. “Kjo është për ju KOHA”, thotë Sade Onë tek zbret shkallët.