Mungesa e kushteve, premtimet për një objekt të ri a protestat me muzikë, janë refreni tashmë i njohur për shkollën e mesme të lartë të muzikës, “Prenk Jakova”. Por në 75-vjetor, ky institucion ka vendosur të festojë. E koncerti festiv ka qenë kontrasti jo vetëm i kushteve të shkollës, por edhe i sallave e skenave vendore për ngjarje si këto. Yjet në ngritje kanë lënë në hije “kapitullin” e mungesës së infrastrukturës, duke dëshmuar se prej tyre do të dalin muzikantë që do të shkëlqejnë jo vetëm në skena vendore
Nëse koncerti dëgjohet nga ndonjë kthinë, zor se mund t’i shkojë kujt mendja se interpretojnë fëmijë prej 10 deri në 18 vjeç. Me program sfidues, saktësi të admirueshme e goxha mjeshtëri prej muzikantësh nxënësit e shkollës së mesme të lartë të muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë kanë festuar 75-vjetorin e themelimit të institucionit. Kanë nisur me “Allegro” duke i dhënë jetë klasicizmit nëpërmjet Wolfgang Amadeus Mozartit.
Qysh në fillim është parë se për këtë koncert është punuar shumë. Mësimdhënësit Lirjona Sylejmani dhe Fatbardh Duboci për një kohë të gjatë kanë përgatitur koncertin që pos Prishtinës, do të luhet edhe në Zagreb e Lubjanë.
Koha e parë e “Koncertit për piano nr.20 në D-mol” e Mozartit ka qenë introja e mbrëmjes në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Salla e Shkollës s’ka kushte për këtë organizim. E as Atelieja ku mban koncertet e Filharmonia e Kosovës. Të martën në disa pjesë ka depërtuar edhe shiu. Por ka qenë e vështirë ta marrë vëmendjen e koncertit.

Orkestra e Shkollës me solistin nga Tirana, pianistin Orajën Popa, fitues i çmimit “Prenk Jakova” vitin e kaluar kanë futur publikun në ritmin e Mozartit e të klasicizmit. Popa, nëse vazhdon të punojë duket të jetë një virtuoz në ardhje, pa përjashtuar as shumë anëtarë të orkestrës. Kanë zbërthyer veprën mjeshtërisht, duke futur të pranishmit e shumtë në një rrugëtim magjik muzikor.
Dyshja Sylejmani e Dubovci kanë konceptuar program sfidues për dy arsye: të prekin limitet e nxënësve, e njëkohësisht të nxjerrin në pah talentin e tyre. Sylejmani e ka dirigjuar koncertin. Pas Mozartit ka qenë radha e Johann Sebastian Bachut. Kalimi në Barok nuk është i lehtë as për muzikantë të avancuar. “Vivace & Allegro” nga “Koncerti për dy violina në D-mol” ka qenë në radhë. Solistët Princ Fanaj dhe Elton Syla kanë dëshmuar se janë muzikantë premtues. Të dy nxënës të mësimdhënësit Ferdi Fanaj i kanë dhënë jetë muzikës së Barokut duke i zbërthyer kohët mjeshtërisht. Përtej lojës së bukur, vullneti i tyre është dëshmi e pasionit që kanë për muzikën. E këtë duket se e ka secili në Orkestrën e Shkollës që deri tash ka nxjerrë alamet emrash që janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës, por edhe përtej shtetit.
Koncerti ka vazhduar me “Adagio – Moderato” nga “Koncerti për violonçel në E-mol” i Edward Elgar. Me soliste Bleta Martinajn, nxënëse e mësimdhënësit Adorel Kondi, vepra që nxjerr në pah violonçelin ka sjellë freski në koncert për t’u hapur rrugë veprave korale të interpretuara nga Kori i Shkollës. Të paktën në këtë koncert, Orkestra ka dominuar në raport me interpretimin e Korit, i cili po ashtu ka qenë i përgatitur dhe ka interpretuar vepra sfiduese si ato të Anton Bricner, Camile Saint Saëns e Rafet Rudit. Janë veçuar me veprën e Rudit, “Ishin dy kunata” të cilën e kanë interpretuar mjeshtërisht. Padyshim se në Kroaci e Slloveni, Orkestra dhe Kori do të tingëllojnë shumë më mirë.
Shkolla “Prenk Jakova” është prej atyre më kushtet më të dobëta në vend sa u përket hapësirave ku mbahet mësimi e sidomos atyre koncertale.
Drejtoresha e këtij institucioni, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se zakonisht koncertet e fundvitit apo ato festive në përvjetorë, janë të jashtëzakonshëm. Ka thënë të jetë shumë krenare dhe e privilegjuar që drejton një Shkollë të tillë ku ka aq shumë talente siç janë parë edhe në koncert.
“Sonte në këtë koncert është vërejtur se nga shkolla e muzikës gjithmonë dalin artistë të mëdhenj që japin kontribut në çdo sferë të artit muzikor në vend dhe jashtë vendit, pasi kemi artistë muzikorë që janë shkolluar në ‘Prenk Jakovë’ dhe tash janë profesorë eminentë në universitete të ndryshme të botës. Ky fakt na gëzon shumë”, ka thënë ajo. Sipas Dida-Bujarit, nxënësit e Shkollës “Prenk Jakova” janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës dhe ky është një zinxhir i cili duhet të përkrahet nga institucionet shtetërore. Kohëve të fundit është lajmëruar se shpejt do të nisin procedurat për ndërtimin e objektit të ri.
“Mungon ndërtesa e Filharmonisë ajo e Fakultetit të Arteve, ajo e Shkollës së Muzikës. Kështu që inkurajoj të gjithë politikëbërësit që të mendojnë për këtë fakt që është dashur të përmbushet gjithsesi”, ka thënë ajo.
Dirigjentja Lirjona Sylejmani ka treguar se bashkë me kolegun e saj Fatbardh Dubovcin, i cili është edhe përshtatës i veprave të koncertit, tash e tre vjet janë munduar që të përfshijmë vepra sa më sfiduese për moshën e nxënësve që janë pjesë e Orkestrës dhe Korit që t’i zhvillojnë sa më shumë profesionalisht dhe të kaliten sa janë të vegjël, në mënyrë që talentet të avancojnë shpejt.
“Përzgjedhja e veprave është bërë prej Barokut e tutje. Të gjithë muzicientët e dinë që të luash barok nuk është e lehtë ndërsa nga klasicizmi të luash Mozart është krejtësisht një tjetër botë. Jam shumë e lumtur me interpretimin e nxënësve të cilët me përpikëri kanë dëgjuar këshillat e mia dhe kanë qenë me një energji jashtëzakonisht pozitive dhe shumë të etur për të pranuar informata”, ka thënë ajo. Sipas saj, suksesi i koncertit është falë atyre që kanë dëgjuar dhe kanë punuar. Ka parashikuar se e ardhmja e këtyre instrumentistëve është absolutisht shumë e ndritur.
“Jam e lumtur shumë që jam dirigjentja e parë e tyre dhe do të ngelem në kujtesën e tyre edhe kur t’i shkelin skenat botërore, pasi janë në këtë rrugë. Solisti më i vogël është 10 vjeç. Mosha më e madhe është 18 vjeç. Është një mesatare shumë e re për të treguar këtë sukses”, ka thënë ajo. Kushtet më të mira për punë e koncerte i ka parë si të domosdoshme. E fundit në program ka qenë vepra vokalo-instrumentale “Tico-Toco no Fuba” për fizharmonikë, kor dhe orkestër” e Zequinha De Arbreut, me solist Eris Laçin, nxënës i Shkumbin Miftarit. Me këtë vepër, Orkestra dhe Kori bashkë ia kanë dalë që të plotësojnë mozaikun jo të lehtë që përmban ky krijim i brazilianit të njohur për kompozim i cili jetoi midis dy shekujve të kaluar.
Orkestra dhe Kori i Shkollës – që si institucion daton prej vitit 1950 – u kanë dhënë jehonë mjeshtërisht veprave të shekujve të kaluar. Dhe, njëkohësisht kanë treguar se janë e ardhmja e muzikës serioze në Kosovë.