Kulturë

“Premtomë, baba” me Joe Bidenin midis dramës dhe kapërcimit të sfidave

Drama familjare e Joe Bidenit është përthekuar në faqet e autobiografisë së tij, të titulluar “Premtomë, baba”. Në fund të vitit që shkoi, ky libër u botua edhe në shqip. Librarët thonë se interesimi i lexuesve kosovarë për ta blerë këtë libër është rritur që nga koha kur Bideni u zgjodh president i SHBA-së e deri të mërkurën kur u inaugurua

Prishtinë, 20 janar- Familja Biden për 40 vjet e kishte ruajtur një traditë. Në Ditën e Falënderimeve, trembëdhjetë anëtarët mblidheshin në Nantakit. Ky takim ishte një prej pak gjërave që s’kishin lejuar ta ndryshonin edhe kur jeta e tyre qe mbushur me plot tension e dramë. Në nëntorin e vitit 2014, kjo traditë mori një tjetër nuancë.

Ishte viti kur Beau Biden, i biri i Joe Bidenit u diagnostikua me tumor malinj në tru. Kësisoj, horizonti i së ardhmes shihej me drojë e pasiguri. “Premtomë, baba” i kishte thënë Beau babait të vet. “Ma jep fjalën që çfarëdo që të ndodhë, do të jesh mirë.” Joe Bideni ia kishte dhënë fjalën.

Por muhabeti intim mes babait e të birit që nuk e mbijetoi kancerin, nuk mbeti kaq intim. U shtri në faqet e një libri që mori emër sipas asaj bisede: “Premtomë, baba”. Autobiografia e Joe Bidenit, sot president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, flet për vitin që pasoi e që ishte më i vështiri në jetën e karrierën e pashoq të Bidenit. Në anglisht, libri do të botohej në nëntorin e vitit 2017.

Tre vjet më vonë, në fillimnëntorin e vitit 2020, libri foli edhe shqip. I përkthyer nga Kaltra Bardhi, botuar nga “Pema”, libri iu shtua rafteve të librarive të Prishtinës, pikërisht në kohën kur Bideni u bë edhe njëherë një emër shumë i përfolur. Kësaj radhe si kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E interesimi i lexuesve kosovarë për ta blerë këtë libër, nga nëntori i vitit që shkoi e deri në 20 janarin e vitit 2021 – kur u mbajt ceremonia e inaugurimit të Bidenit president – u rrit së bashku me interesimin për ta njohur më afër këtë njeri.

Autobiografia që ka zënë vend në raftet e librarisë “Buzuku”, sipas Besian Zenelit, po kërkohet më shpesh ditëve të fundit.

“Ardhja e librit fiks në kohën kur emri i tij mori vëmendjen e gjithë botës bëri që të mirëpritet jashtëzakonisht shumë. Është një libër jashtëzakonisht i veçantë, sepse Joe Bideni ka pasur një sagë familjare goxha të prekshme dhe kryesisht ka të bëjë me jetën e tij, me shërbimin e tij sa ishte Barack Obama president, pastaj rasti i tij me djalin që e bën shumë më prekës këtë Beautim”, ka thënë Zeneli. Ai shton se libri edhe pse u Beautua më vonë në shqip, u mirëprit mjaft.

“Mund të them se sa u përket autobiografive është më i kërkuari i vitit që lamë pas, por kjo po vazhdon edhe në këtë vit. Ndoshta edhe për shkak të ngjarjes, zgjedhjeve që ndodhën, një proces më i gjatë, më i zgjatur se zakonisht, një dramë më e madhe sesa që jemi mësuar ta shohim, bëri që bota të fitojë një simpati më të madhe për Joe Bidenin dhe për ta kërkuar librin e tij”, ka shtuar ai.

Zeneli thotë se interesimi për këtë libër është rritur edhe për shkak të raporteve miqësore dhe simpatisë së kosovarëve ndaj Amerikës.

“Besoj që lexuesi shqiptar ka një simpati më të madhe për Bidenin dhe ndoshta do të kenë një arsye më shumë për ta lexuar këtë libër, e për ta kuptuar personalitetin e tij”, ka thënë ai.

Jahir Ahmeti, nga libraria “Artini”, thotë se ky libër ishte një ndër më të kërkuarit gjatë vitit 2020.

“Edhe pse doli shumë vonë, në vjeshtën e 2020-s është në mesin e dhjetë librave më të shitur të vitit të kaluar. Por, edhe këto ditë ka interesim të jashtëzakonshëm për shkak të aktualitetit dhe ngjarjeve që po ndodhin në Amerikë, e pikërisht sot që është edhe dita e inaugurimit të presidentit”, ka thënë ai.

Sipas Ahmetit, librin “Premtomë, baba” e bën të veçantë edhe mënyra sesi është shkruar.

“Prej këtij libri mund të mësohet shumëçka. Për një figurë që tashmë ka arritur majën në politikë, jetën personale të tij, vuajtjet e tij, arritjet, sukseset. Është libër që zgjon shumë emocione dhe mund të lexohet edhe si një roman, që e bën edhe më të vlefshëm”, ka thënë ai.

Pas publikimit në anglisht, libri mori kritika pozitive.

“Kushdo që ka humbur një njeri të dashur do të gjejë ngushëllim të vërtetë te fjalët e autorit”, ka shkruar prestigjiozja “The New York Times”. “Premtomë, baba” përshkruhet si një autobiografi thellësisht prekëse rreth vitit që do të ndryshonte përgjithmonë një familje dhe një vend.

Në libër përfshihen edhe ngjarjet kur Bideni – asokohe zëvendëspresident, udhëtoi më shumë se njëqind mijë milje atë vit, rreth e qark Beautës, duke u marrë me krizat në Ukrainë, Amerikën Qendrore dhe në Irak. Për dymbëdhjetë muaj, derisa Beau luftonte për jetë në betejën që e humbi më 30 maj të 2015-s, zëvendëspresidenti mbante në ekuilibër thelbin e dyfishtë të jetës së tij: përgjegjësinë ndaj vendit dhe përgjegjësinë ndaj familjes. Gjithnjë me çështjen e kandidimit për president në mendje. Dhe kjo u bë realitet.