Në rrafshin kinematografik premiera botërore e filmit të Samir Karahodës në festivalin e festivaleve është arritje kulmore. E në atë shtetëror është çuarje e Kosovës në nivelet më të larta të diplomacisë kulturore. Në Ballkan fjala “historike” është e shpeshtë. Por rrallëherë gjen vend më mirë sesa në rastin e “Rrugës”. “Premiera shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Duartrokitjet ishin të gjata dhe ishte një moment dhe ndjenjë e pashpjegueshme”, ka thënë për KOHË-n regjisori Samir Karahoda menjëherë pas premierës të premten në edicionin e 77-të të Festivalit të Filmit në Cannes
E kaluara e pasojat e pashtershme të saj afektojnë çdo ditë Ballkanin. Derivatet e viteve ’90 janë diskurs gjithandej edhe te gjenerata që praktikisht s’kanë pasur të bëjnë drejtpërdrejt me atë periudhë.
Por tensionet e vazhdueshme me kërcënime për luftëra bashkë me ngecjet ekonomike imponojnë dëshpërim. Në pak minuta por me mjeshtëri të madhe, filmi “Rrugës” përballë mbi një mijë vetave në publik, ka ndezur ekranin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, pikërisht për të treguar një rrëfim të Kosovës. Është aso tregimi që i shkon për shtat thuajse çdo vendi ballkanik e më gjerë.
Në rrafshin kinematografik premiera botërore e filmit të Samir Karahodës në festivalin e festivaleve është arritje kulmore. E në atë shtetëror është çuarje e Kosovës në nivelet më të larta të diplomacisë kulturore. Në Ballkan fjala “historike” është e shpeshtë. Por rrallëherë gjen vend më mirë sesa në këtë rast.
Karahoda: “Një moment dhe ndjenjë e pashpjegueshme...”
Ora 11:00 e së premtes në teatrin “Debussy” të Pallatit të Festivalit në Cannes ka qenë termin i rezervuar për premierat e filmave të kategorisë së shkurtër që garojnë për “Palmën e Artë”. Aty qe edhe “Rrugës” nën regji të Samir Karahodës, me skenar të tij dhe të të birit, Miron Karahoda, që ka edhe rol në film. Njërin prej roleve kryesore.
Nga pamjet e atjeshme duket se reagimi i publikuar ka qenë spektakolar. Kanë parë një rrëfim që sipas sinopsisit të publikuar nga Festivali, gjatë një udhëtimi 15-minutësh me makinë një fëmijë e babai i tij bëjnë muhabet kompleks duke ofruar qartë realitetin me të cilin përballet shoqëria e sotme kosovare. Bëhet fjalë për babë e bir që janë rrugës për në aeroport për të marrë një dhuratë që vjen nga kumbari i djalit.
“Midis pengesash burokratike me pak a hiç shpresë për ndryshime politike e sociale në vend, ata gjejnë rehati dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen”, shkruhet në përshkrimin që ia ka bërë Festivali filmit. Biseda që zhvillohet në makinë, nxjerr në pah telashet e tanishme që pandashmërisht janë të lidhura me të kaluarën. “Aroma” e luftës është edhe brenda mjetit transportues. Sipas asaj që shihet në “trailer”, djali që luhet nga Miron Karahoda pyet të atin, aktorin (Ylber Mehmeti) për mundësinë që të ketë prapë luftë. E përgjigjja shpjegon shumëçka.

“Edhe ndonjë ditë s’ka me mbet kush me luftu.......edhe ata (serbët v.j. janë duke ikur). Bëhet fjalë për dialog që zbërthen shumë. Përfshin vitet ’90, gjendjen e tanishme e më pas në aeroport preket edhe një shembull praktik i ngecjes. Maltretohen nëpër procedura për të tërhequr një dhuratë.
“Premiera shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Duartrokitjet ishin të gjata dhe ishte një moment dhe ndjenjë e pashpjegueshme”, ka thënë për KOHË-n regjisori Samir Karahoda menjëherë pas premierës. Sipas tij, komentet kanë qenë shumë pozitive.
“Deri më tani komentet janë shumë mbresëlënëse dhe të shtunën mbrëma presim vlerësimin e jurisë”, ka thënë Karahoda.
Juria e kategorisë së filmave të shkurtër sivjet është në përbërje të kryetares Lubna Azabal, aktore belge dhe anëtarëve, regjisores franceze Marie-Castille Mention-Schaar, programerit italian, Paolo Moretti, regjisores franceze, Claudine Nougaret dhe regjisorit serb, Vladimir Perishiq.
“Rrugës” me montazh të Enis Saraçit dhe me producentë Samir Karahodën e Eroll Bilibanin është në konkurrencë me “Volcelest” të francezit Éric Briche, “Ootid” të lituanit Razumaitė Eglė, “Sanki Yoxsan” të regjisorit azerbajxhanas, Azer Guliev, “Les Belles Cicatrites” të francezit Raphaël Jouzeau, “Across the Waters” të kinezit Viv Li, “Perfectly a Strangeness” të kanadezit Alison McAlpine, “Tea” të amerikanit Blake Rice, “Yellow” të brazilianit André Hayato Saito, “The Man Who Could Not Remain Silent” të kroatit, Nebojša Slijepčević dhe “Bad For a Moment” të portugezit Daniel Soares.
Përfaqësim i dinjitetshëm dhe një rekord i regjisorit Karahoda
Samir Karahoda është kinematograf i njohur për qarqet e festivaleve të mëdha, sidomos për atë të Cannes. Me “Pa vend” ai bëri histori, duke qenë i pari produksion vendor që garoi për “Palmën e Artë”, në Festivalin e Filmit në Cannes, në korrikun e vitit 2021, ku u dha premierë botërore. U bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Filmit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Qe filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Ishte në garë edhe për çmimet e Akademisë Amerikane. S’u ndal as më 2022, kur në “Sundance Film Festival” mori çmimin e jurisë në kategorinë e filmave të shkurtër.
Bashkëproducenti Eroll Bilibani derisa ka folur për pritjen që i është bërë filmit, ka thënë se Karahoda ka një rekord në raport me Festivalin që po zhvillon edicioni e 77-të në rivierën franceze.
“Samir Karahoda është regjisori i dytë në historinë e Festivalit të Cannes që ka film për herë të dytë në garë zyrtare”, ka thënë ai. Historia e Festivalit njeh edhe regjisorë që kanë fituar nga dy herë edhe “Çmimin e madh” dhe “Palmën e Artë”. Karahoda me rezultatet e deritashme del të jetë regjisori më i suksesshëm kosovar e përtej shtetit më të ri në Evropë.
Para se të nisen për në Cannes, bashkëproducenti Eroll Bilibani, kishte thënë se e mira është që në Cannes do të jenë për të përfaqësuar Kosovën.
“Filmat e tjerë nuk i kemi parë dhe nuk duam t’i ngremë pritshmëritë. Por mendoj që e kemi një film të mirë. Ndoshta më i miri i Samirit në karrierën e tij. Do të bëjmë një përfaqësim të dinjitetshëm dhe do të shohim verdiktin e jurisë”, kishte thënë ai.

Kosova sivjet është shtandi më i rëndësishëm, shkaku që filmi i Karahodës është në garë zyrtarë. Paraprakisht shteti më i ri i Evropës ka mbledhur mysafirë në një pritje të organizuar bashkë me Ambasadën e Kosovës në Francë.
“I gjithë organizimi u bë për ta respektuar regjisorin Samir Karahoda dhe aktorin kryesor të filmit, që është Miron Karahoda”, kishte thënë të martën vonë Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, e cila ka vazhduar traditën e përfaqësimit në “Marché du Film”, që konsiderohet si më i madhi treg i filmit në botë. Zeqiri është atje qysh prej hapjes së Festivalit të martën e kaluar.
“Ishte një atmosferë e bukur, sepse pati shumë mysafirë të rëndësishëm të industrisë së filmit, sidomos kemi pasur frekuentim të madh të programerëve të disa prej festivaleve më të mëdha të botës dhe kjo ka qenë diçka që na ka gëzuar shumë”, kishte përshkruar Zeqiri. E lista e mysafirëve vjen hiç më pas sesa prej festivaleve të kategorisë A.
“Kishte programerë nga ‘Sundance’, ‘Berlinale’, Venecie, Tallini, Sarajeva, Toronto dhe të tjerë”, kishte thënë Zeqiri.
Festivali që sivjet mbahet prej 14 deri me 25 maj zë vend në kohë jo të lehta e rrallëherë me një ambient global më të polarizuar. Është nën hijen e luftës Rusi-Ukrainë e atë të konfliktit midis Izraelit e Hamasit. Në anën tjetër, tendencat për autoritarizëm janë në rritje gjithandej. Regjisori iranian Mohammad Rasoulof, filmi i të cilit “The Seed of the Sacred Fig” që sivjet kishte premierën botërore në Cannes është dënuar me 8 vjet burg nga Gjykata Revolucionare Islamike. Rrëfimet me mungesën e lirisë së shprehjes nuk qenë të pakta në Cannes.

Eksplorimi goditës nacionalizmit dhe emigracionit
Telashet e rajonit të Ballkanit sivjet në Festival shpalosen nëpërmjet “Rrugës”. Platforma mediatike që mbulon zhvillimet kinematografike në Evropë, “Cineuropa” të enjten ka shkruar se i rikthyer në garën e Cannes pas me “Pa vend” të vitit 2021 regjisori nga Kosova me filmin “Rrugës” eksploron idetë e nacionalizmit dhe emigracionit dhe temat e ngjashme me projektet e tij të mëparshme.
“Derisa një regjisor e çon djalin e tij në aeroport për të marrë dikë, një numër devijimesh gjatë rrugës shërbejnë si një reflektim i përgjithshëm absurd mbi realitetin modern. Protagonisti lavdërohet për tërheqjen e vëmendjes ndaj vendit dhe ai gjithashtu dënohet që nuk kërkon një ‘punë të vërtetë’ - mungesa e së cilës bën që shumë grupe njerëzish të udhëtojnë në vende të tjera në kërkim të një jete të re dhe më të begattë. Siç pritej, është një film me shumë humor, por edhe këtu ka goditje të mprehta me satirë dhe zemërim të vërtetë”, ka shkruar “Cineuropa” derisa ka përshkruar disa filma të kategorisë së filmave të shkurtër.
Samir Karahoda e ka mprehtësinë që të “luajë” me tema krejt lokale e muhabete që në realitetin kosovar janë të pranishme pak a shumë në çdo tavolinë. Mjeshtëria e tij i nxjerr ato në pah, duke i artikuluar nëpërmjet gjuhës së filmit, e duke u dhënë karakter social që të komunikojnë me audienca të ndryshme. Edhe me atë të selektorëve të Cannes. Kësisoj, për të dytën herë çon atje Kosovën jo veç si rrëfim telashesh që prekin të kaluarën e të tashmen. Por edhe si vend ku talentet janë aso që i bëjnë konkurrencë botës që traditën në film e ka të vjetër sa vetë ky medium. Çon atje një film si “Rrugës” që pret ta bëjë rrugën e kthimit me “Palmën e Artë”. Do të ishte e para për vendin e tij.