Akademik Rexhep Ismajli, linguist, profesor universitar, dhe njëri nga themeluesit e Seminarit të Prishtinës, për të pranishmit në mbi një orë ofroi një pasqyrë rreth zhvillimit të studimeve albanistike në Kosovën e ish- Jugosllavisë. E në Seminarin i cili ishte themeluar në vitin 1974 i karakterizuar me kontribut substancial qysh atëherë, akademik Ismajli ligjërimin e tij “Studimet e shqipes në ish-Jugosllavi” e nisi dhe e përfundoi duke e ndërthurur vazhdimisht kontekstin social e kulturor krahas zhvillimit të shkencës së albanologjisë prej themelimit të Jugosllavisë e deri në vitet ‘90
Historia e studimit të gjuhës shqipe në ish – Jugosllavi ka qenë boshti qendror mbi të cilën u mbështet një sesion krejt i veçantë këtë të enjte në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili po vazhdon me aktivitetet akademike. Akademiku Rexhep Ismajli, linguist, profesor universitar, dhe njëri nga themeluesit e Seminarit të Prishtinës, për të pranishmit në mbi një orë ofroi një pasqyrë rreth zhvillimit të studimeve albanistike në Kosovën e në ish- Jugosllavisë.
E në Seminarin i cili ishte themeluar në vitin 1974, i karakterizuar me kontribut substancial qysh atëherë, akademik Ismajli ligjërimin e tij e nisi dhe e përfundoi duke e ndërthurur vazhdimisht kontekstin social e kulturor krahas zhvillimit të shkencës së albanologjisë prej themelimit të Jugosllavisë e deri në vitet ‘90.
Banovinat si shthurëse të entitetin gjuhësor shqiptar
Ai e nisi me paralajmërimin se këto studime shtrihen përgjatë gati një shekulli, dhe se si ligjëratë përkon me një temë të ngjeshur e cila kërkon më shumë hapësirë kohore. Ka folur fillimisht për përkufizimin e studimeve albanistike, përqendrimin në vetë horizontin e gjuhës shqipe, por natyrisht ka përmendur se kemi të bëjmë me një sërë fushash të tjera të cilat ngërthejnë shtigje më të gjera shkencore e studimore që ndërlidhen domosdoshmërish me popullin shqiptar. Nuk kanë munguar as njohuritë mbi vetë historinë e zhvillimit të Jugosllavisë si koncept e ideologji në raport me gjuhën e kulturën shqiptare.
E kur jemi te kjo histori, akademiku ka piketuar disa aspekte konkrete politike e sociale të cilat, sipas tij, kanë pasur ndikim direkt në gjuhën shqipe dhe në albanologjinë. Ka folur dhe për diskurset e kohës nëpër qarqet akademike jugosllave për shqiptarët e Kosovës, në periudhën e hershme jugosllave.
“Për shembull, ndarja territoriale e Mbretërisë së Jugosllavisë në fillim të shekullit XX nëpërmjet banovinave ishte një ndarje e cila shthuri, ndër të tjera, dhe entitetin gjuhësor shqiptar. Pastaj diskursi për shqiptarët ishte pak a shumë i prodhuar në Serbi dhe dominonte nëpër Jugosllavi. Aty dominonin ‘shqiptarët janë popull anarkik, i pazot për të ndërtuar shtet’, ‘popull baritor’, pastaj elementet e futur në ideologjitë e ‘Stara Serbia’ si ‘shqiptarët veprojnë si lumë shkretues’, ‘shqiptarët e Kosovës dallojnë nga shqiptarët e Shqipërisë së vërtetë, ata nuk kanë një gjuhë dhe një alfabet. Pastaj të tilla si; ’shqiptarët e Kosovës janë serbë të shqiptarizuar, dhe kjo përdoret ende edhe sot, e të tjera”, ka thënë Ismajli, duke përmendur edhe terminologjinë prerogative të cilën serbët kanë përdorur për të diferencuar shqiptarët e Kosovës me ata të Shqipërisë.
Por zhvillime më ndryshe ishin ato pas Luftës së Dytë Botërore. Akademiku ka shpalosur zhvillimet e asaj periudhe që shtynë para disa aspekte të studimeve albanologjike në Jugosllavi.
“Pas vitit 1945 Kosova funksionoi si krahinë, në kuadër të Republikës Federale të Serbisë ekzistonin një sasi të drejtash, u hapën shkolla fillore dhe të mesmet, shqipja kishte status të një gjuhe me përdorim të pjesshëm, u hapën dhe kurse kundër analfabetizmit. Atë periudhë nisën dhe botimet e para në Kosovë, si gazeta ‘Rilindja’”, ka shtuar Ismajli.
Fakulteti Filozofik si kthesë
Viti 1960 kishte trokitur në botën shqiptare në Jugosllavi me zhvillime të reja të cilat më tej mundësuan zgjerimin e shtigjeve të albanologjisë. Themelimi i Fakultetit Filozofik si degë e Universitetit të Beogradit me një departament të gjuhës shqipe, të anglishtes, historisë dhe shkencave ekzakte bashkë me juridikun dhe ekonomikun në Prishtinë, kishte qenë hap më vete i zhvillimit akademik.
“Mësimdhënia ishte në gjuhën serbe, përveç në Departamentin e Gjuhës Shqipe. Ndërkaq në vitin 1962, ky departament i gjuhës dhe letërsisë shqipe me në krye Idriz Ajetin nisi botimin e revistës ‘Gjurmime Albanologjike’. Në vitin 1966 pati një fazë liberalizimi në Jugosllavi, u përmbys sistemi policesk i mëparshëm dhe Kosova e shqiptarët fituan nga kjo klimë. U rrit numri i studentëve në Degën e Gjuhës Shqipe, u rritën dhe institucionet e tjera, filloi në vitin 1967 u themelua Instituti Albanologjik, ndërsa në 68-tën Instituti bashkë me Degën e Gjuhës Shqipe organizuan konsultën ku u morën vendimet përfundimtare për shqipen standarde të jetë e njëjtë me atë në Shqipëri”, ka thënë ai, duke shtuar se po atë vit ishte organizuar dhe një konferencë për 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Akademik Ismajli u ndal dhe te politikat gjuhësore që kishin dalë si rezultat i këtyre zhvillimeve. Përcaktimi i gjuhës dhe zhvillimet e kohës rreth saj kishin qenë preokupime serioze të asaj kohe.
“Shënimet te gazeta ‘Rilindja’ sugjeronin dyshime lidhur me caktimin e një gjuhe të re të shkruar për pakicën kombëtare për Republikën Federale të Jugosllavisë. Në një artikull të ‘Rilindjes’ mbledhja shihej si përgjigje për propagandën nga Tirana, që hamendësohej të kishte qenë ekspozuar ndaj imperializmit sovjetik, dhe citoj: ‘justifikon gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në Shqipëri; ankesa themelore ishte tjetër dhe thoshte ‘zhvillimi i gjuhës shqipe ndër shqiptarët e vendit tan nuk po shkon paralel me zhvillimin e jetës shoqërore politike e kulturore të Jugosllavisë socialiste, kështu që po ndihet një vobektësi e fjalorit për të shprehur një realitet të tan shoqnuer’”, ka prezantuar Ismajli.
Tutje aty u nda fakti se në vitin 1968 Instituti Albanologjik dhe Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e Fakultetit Filozofik kishin organizuar konsultën publike gjuhësore të intelektualëve dhe studiuesve të gjuhës. E për ecurinë e kësaj iniciative, akademiku Ismajli shpalosi detaje të tjera.
“Pas tre ditësh diskutime, pas një raporti të Idirz Ajetit në të cilin kërkohej njësimi i drejtshkrimit në të gjitha çështjet përveç tri-katër çështjeve, konsulta miratoi rezolutën me nëntë pika. E ky njësim shihej si rezultat i natyrshëm i proceseve në shoqërinë shqiptare. Aty kërkohej dhe zbatimi i projektit të drejtshkrimit të botuar në Tiranë në vitin 1967 dhe vërejtjet t’i dërgoheshin Universitetit të Tiranës. Kjo rezolutë u botua 4 vite më vonë në materialet e Kongresit”, ka shtuar ai.
Rreziku nga qarqet jugosllave
Akademik Ismajli ka thënë se në një rishikim të bërë rishtas të kësaj dosjeje ai ka parë që asnjë element nga ato diskutime nuk ishte marrë parasysh.
“Shqiptarët e Jugosllavisë duhej të luftonin për gjuhën e tyre, kjo e ka përcaktuar dhe politiken e këtushme. Zhvillimet në Kosovë duhet parë në tërë kompleksitetin e tyre, në Prishtinë ka pasur 3 herë reagime për vendimet që merreshin në Tiranë në vitin 1952, 57 dhe 64, kur u botua ortografia e fundit e shqipes për gegnishten, por asnjëherë nuk ka pasur reflektim nga ana tjetër, s’ka pasur reagime, thjesht janë injoruar. Ndërkaq në këtë anë, ballafaqimet dhe përpjekjet kishin qenë evidente. Ka pasur plane për ndarje të atilla në qarqe të caktuara jugosllave”, ka qenë pohimi i Ismajlit.
Ai tutje ka thënë se studimet gjuhësore në hapësirën shqiptare në Jugosllavi përqendroheshin më tepër në fushën e historisë së gjuhës, dialektologjisë, sintaksës, të leksikut, të kontakteve me gjuhët e tjera.
“Zhvillimi i shpejtë i UP-së i pavarësuar më 1979, hapja e bashkëpunimit me universitetet e jashtme solli një klimë të re dhe u themeluan edhe studimet e shkallës së tretë në gjuhën shqipe. Më 1974 u themelua kjo qendër, seminar i kulturës ndërkombëtare e kulturës shqiptare i cili solli dhe manualin e parë të mësimit të shqipes sipas vendimeve të Kongresit. Nëpër udhën midis viteve ‘70 dhe ‘90 në Kosovë dhe Jugosllavi studimet albanistike po zhvilloheshin në drejtime të ndryshme, Instituti Albanologjik vazhdonte me projektet për mbledhjen dhe botimin e traditës, të kulturës popullore, etj. Ndërkaq studimet e teksteve të vjetra, studimet e gjuhësisë historike vazhdonin më shumë në universitet. Nisën hulumtimet për fonologjinë dhe strukturën e shqipes bashkëkohëse. Të gjitha këto mbështeteshin me studimet e shkallës së tretë dhe të doktoratës”, ka thënë ai.
Ismajli arriti deri në vitet më të afërta sa i përket zhvillimit të kësaj shkence. Nuk la pa përmendur dhe qasjet e viteve ‘90, bashkë me kontekstin politik e shoqëror, që sërish, dhe një herë e kishin përcjellë albanologjinë në këto anë.
“Studimet për shqipen në vitet ‘90 e këndej kanë marrë rrugë tjetër, edhe me meritën e institucioneve si Instituti Albanologjik, Akademia e të tjera. Të gjitha bashkë kanë marrë rrugën e një shkence të integruar të albanologjisë, por që në të ka mendimtarë të ndryshëm dhe të gjithë kanë të drejtë të kenë idetë e tyre e jo të shabllonizuar si ide shqiptare e ide serbe, polake apo kushedi. Por ide shkencore që secili mund ta ketë, por duke mbajtur përgjegjësi”, ka përfunduar ai.
Rexhep Ismajli më 1993 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Tre vjet më vonë u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitin 2002 Ismajli u zgjodh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Salzburg. Në vitin 2006 u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa më 2010 anëtar nderi i saj. Ka qenë i angazhuar rreth botimit të revistave shkencore, si: Dituria, Recherches albanologiques 1-4, Prishtinë (frëngjisht), Studia humanistica, Prishtinë, Godišnjak društava za primenjenu lingvistiku Jugoslavije, Beograd, Studime, ASHAK, Filologji, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, Thema, revistë e sociologjisë, Prishtinë, etj.; bashkëthemelues dhe redaktor i botimeve Fryma, (mbi 70 vëllime në fushën e dijeve shoqërore), Rozafa (letërsi), Dukagjini Balkan Books (frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht), të shtëpisë botuese Dukagjini.
Në fillim të vitit 2018 u zgjodh anëtar i Linguistic Society of America dhe në prill të atij viti u zgjodh International Honorary Member (Honorary Member) of The American Academy of Arts and Sciences (Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave).