Kulturë

Prapaskena e animacionit fsheh pasion, kreativitet e botë tjetër

“Fanzinë komike” është punëtoria e udhëhequr prej animatorit Marko Djeshka

“Fanzinë komike” është punëtoria e udhëhequr prej animatorit Marko Djeshka

Filmat në ekranet e mëdha janë ana më e dukshme e Festivalit ndërkombëtar të filmit “Anibar”, por punëtoritë nuk janë vetëm prapaskena deri te konkretizimi i animacionit. Aty marrin frymë pasioni, kreativiteti, që nuk njohin moshë, siç çon krye edhe një tjetër mendësi dhe krejt këto ngjajnë në festivalin që thërret “Shembe patriarkatin!”. Animatori kroat, Marko Djeshka, synon që të prekë nervin kreativ të të rinjve. Te britaniku që jeton në Kroaci, Thomas Johnson Volda, animohen personazhe të një bote tjetër. Mbi të gjitha, punëtoritë bashkojnë të rinj e të tjerë me një tjetër botë

Dikur, Shkolla e Mesme Profesionale e Artit në Pejë, tash shkolla e mesme e lartë e arteve aplikative “Odhise Paskali” ka qenë prej institucioneve më me nam të artit në ish-Jugosllavi. Aty kanë ndjekur mësimet emrat që kanë vënë bazat e artit pamor në Kosovë, prej Muslim Mulliqit, Rexhep Ferrit e shumë të tjerë. E hapur pas Luftës së Dytë Botërore, ishte institucion me të cilin qyteti perëndimor mburrej. E kishte letërnjoftim jo veç të arsimit e kulturës për Pejë, por edhe të përkushtimit të Krahinës Autonome të asokohshme për zhvillim në krejt sferat e jetës. Në objektin e vjetër të Shkollës gjatë këtyre ditëve po praktikojnë e zënë mësim për art edhe fëmijë, adoleshentë e të rritur. Por kësaj radhe për një fushë tjetër të artit: atë të animacionit. E shfrytëzuar nga fondacioni “Bonevet” këtë javë një pjesë e ish-ndërtesës së Shkollës është vënë në dispozicion të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar”. Janë rreth 60 të rinj të moshave të ndryshme që po mësojnë teknika të ndryshme. Festivali, si dikur Shkolla, tash është prej letërnjoftimeve artistike, jo veç të Pejës, por edhe të Kosovës. Namin e ka të madh. Mundohen që të nxisin kreativitet edhe te të rinjtë. “Klasat” me tavolina të rrumbullakëta “vlojnë”. Në njërën prej tyre rreth dhjetë veta vizatojnë e shkruajnë. 

Animatori kroat, Marko Djeshka, duket se e ka pasion punën me të rinj. Mbi tavolinë janë qindra skica e vizatime. Ai synon që të prekë nervin kreativ të të rinjve jo duke i sforcuar ata, por duke dëgjuar me kujdes propozimet e tyre.  

“Për pesë ditë do të punojmë me të rinjtë. Ideja është që të kemi një ‘fanzinë’, e cila është e pavarur dhe e lehtë për t’u punuar, në kuptimin teknik bëhet me pak mjete në një studio të thjeshtë printimi”, ka thënë ai për revistën me ilustrime figurash e dialogë edhe me shkrim ku paraqiten marrëdhënie të ndryshme njerëzore, rrëfime e përshkrime situatash. Njëfarë lloji i romanit grafik. Thënë ndryshe është vetë animacioni, por më statik. 

“Qëllimi është që të nxisim fëmijët që të punojnë rrëfime me shkrim dhe ilustrime. Ata nuk e kanë këtë eksperiencë dhe po mundohemi që moshave të ndryshme t’ua nxisim kreativitetin. Një prej tyre për shembull ka bërë një intervistë me një mysafir e të tjerët kanë qejf të vizatojnë”, ka treguar Djeshka. Sipas tij, nuk pretendohet për ndonjë “fanzinë” të nivelit të lartë, por një produkt vullnetarësh.

“Po përgatisin storie individuale e disa po ndërtojnë storie grupore. Të them të drejtën janë kreativë dhe nuk kemi nevojë të provokojmë shumë kreativitetin e tyre”, ka treguar animatori i njohur kroat. Në “klasën” e tij vizatimet kanë marrë hov dhe krejt të pranishmit e moshave të ndryshme e konsultojnë shpesh. Rrëfimet pritet të jenë prej përvojave personale e aso të imagjinuara. 

Te britaniku që jeton në Kroaci, Thomas Johnson Volda, tavolina është e mbushur me duar të formateve e materiale të ndryshme. “Duart – një punëtori e avancuar për krijimin e kukullave dhe stop-motion” është punëtoria që udhëheq ai

Ndërsa te britaniku që jeton në Kroaci, Thomas Johnson Volda, tavolina është e mbushur me duar të formateve e materiale të ndryshme. Një kukull që është personazh filmash të animuar gjendet aty tashmë si  “veterane” e animacioneve. Aty qëllimi është që të rinjtë prej moshave të adoleshencës deri në mbi 20 vjeç të përparojnë në përgatitjen e duarve të personazheve pasi bëhet fjalë për gjymtyrë që bien shumë në sy gjatë skenave të ndryshme.  

“Janë disa hapa prej telave, më pas plastelinës, kallëpeve e deri te silikoni për produktin përfundimtar”, ka sqaruar Johnson Volda. 

Aty është edhe studentja e vitit të katërt të Fakultetit të Arteve, Gresa Gashi. Studion skulpturë në klasën e profesorit Ismet Jonuzi. Përvojën me materialet që përdoren në “Anibar” e teknikat që mëson aty i sheh fort të dobishme. 

“Mua më pëlqen skulptura, dhe përse të mos kemi edhe këtë përvojë gjatë kësaj jave”, ka thënë ajo derisa po bënte gati një kallëp për duar të një madhësie të vogël. Puna me tela është fillestarja për të shkuar më tutje. Në shikim të parë realizimi i një personazhi duket tejet i rëndë kur bëhet fjalë për animacione me kukulla. Por edhe adrenalina e punimit të personazheve është e lartë. Në këtë punëtori do të bëhen dhjetëra duar si bazë për ndonjë nga të rinjtë që mund të punojë në të ardhmen me animacion ose edhe nëse veç do ta ketë si përvojë kreative. 

Përvojat e që i ofron “Anibar” tash e 15 vjet janë të shumta. Stimulimi i të rinjve mbetet fokus, por edhe sfidë e përhershme. Punëtoritë nuk kanë të bëjë me temën e sivjetme, “Shembe patriarkatin!”. Të rinjtë kapen pas rrëfimeve që i shkojnë për shtat moshës së tyre e ëndrrave që mund t'i kenë personazhet e tyre në kokë. 

Fëllanza Taraku, e cila është  koordinatorja e komponentit të edukimit në “Anibar” gjatë gjithë kohës është në punë e sipër. Në mesditën e së premtes, midis të tjerash po merrej edhe me vizitën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka paralajmëruar në “Anibar” për sot (e shtunë). Edhe e bija e tij për disa orë planifikohet të jetë në punëtori.  

Taraku që dikur ishte vullnetare në Festival, ka treguar se janë pesë punëtori  që mbahen te ish-Shkolla e Artit dhe një tjetër që mbahet në zyrat e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. 

“Marrin pjesë fëmijë prej moshës tetëvjeçare e deri më mbi 18 vjet. Punëtoritë janë të ndara, një është me teknikën ‘stop motion’, me xhirim e fotografim...”, ka thënë ajo.  Në harkun kohor prej një jave pritet që të finalizohen edhe punëtoritë. Sipas Tarakut, interesimi është goxha i madh sidomos në Pejë, por ka edhe prej të rinjve nga qytetet e ndryshme. Edhe te mosha, fasha është e gjerë.  

“Janë 24 persona të rritur që kanë ardhur për të mësuar animacion”, ka treguar Taraku. Krejt kjo bëhet në periudhën kur të rinjtë kanë mundësi të shohin filma të animuar në kategorinë që u dedikohet atyre, e po ashtu edhe prodhime studentore. Edhe këto kategori veç indirekt prekin temën e sivjetme “Shembe patriarkatin!”. Por çojnë ujë në civilizim e reflektim artistik. Prekin kreativitetin, imagjinatën e synojnë emancipim që në mënyrë indirekte të edukojnë breza që nuk kanë ngarkesë as patriarkatin.

“Anibar” gjatë krejt javës këtë e bën në mënyra të ndryshme, kurse te të rriturit s‘ka kompromis.

Thirrja është rigoroze: “Shembe patriarkatin!”.