Për studimin e saj, antropologia norvegjeze, Berit Backer, do të ndalej në Isniq të Deçanit. Do të fokusohej në formimin dhe evolucionin e strukturave familjare në këtë zonë e do të shkruante në bazë të punës së kryer në terren nga autorja. Ishte viti 1975. Gjysmëshekulli pas, vepra vjen e botuar e plotë në shqip. “Prapa mureve të gurit: Ndryshimet në organizimin e familjes te shqiptarët e Kosovës”, është cilësuar si vepër ikonike për Kosovën dhe shqiptarët
Gjysmë shekulli më parë, antropologia norvegjeze, Berit Backer, do të ndiqte organizimin e familjes te shqiptarët. Jeta familjare e farefisnore shqiptare, çështjet kanunore e tradita do të ishin temat që do ta tërhiqnin, por edhe ritualet. Krejt këto si objekt studimi përmblidhen në librin “Prapa mureve të gurit: Ndryshimet në organizimin e familjes te shqiptarët e Kosovës”. Në promovimin e botimit në shqip, të enjten pasdite, është vlerësuar si vepër ikonike për Kosovën dhe si më i plotësuari midis botimeve antropologjike.
Për studimin e saj, Backer u ndal në fshatin Isniq të Deçanit. Do të fokusohej në formimin dhe evolucionin e strukturave familjare në këtë zonë e do të shkruante në bazë të punës së kryer në terren nga autorja. Ishte viti 1975.
Botuesi e antropologu, Arsim Canolli, në fjalën e tij në promovim, ka thënë se ish-Jugosllavia e atëhershme qe interesante për t’u hulumtuar nga antropologët e huaj.
“Jugosllavia e atëhershme, ajo komuniste, ishte interesante për antropologët e huaj sepse ishte një vend i painkuadruar, midis lindjes dhe perëndimit. Ishte po ashtu një vend që kishte një sistem specifik socialist, ajo që njihet si vetëqeverisje, po ashtu edhe njëfarë diversiteti etnik goxha të madh, kështu që edhe transformimet rurale që kanë ndodhur në Jugosllavinë e atëhershme, por edhe në Kosovë, kanë qenë po ashtu njëfarë teme shumë e rëndësishme për antropologët, sepse është parë mënyra se si nga një jetë krejt rurale ka filluar një industrializim specifik modernist brenda Jugosllavisë”, ka thënë ai.
Ka thënë se me mbylljen totale të Shqipërisë në kohën e regjimit komunist, adresë për hulumtimin e jetës sociale të shqiptarëve qe Kosova.
“Shqipëria ishte totalisht e mbyllur kështu që për t’i studiuar shqiptarët mbeti vetëm Kosova dhe Berita erdhi në Kosovë të cilën e vazhdoi deri në vitin 1993 kur vritet tragjikisht, por puna e saj si humaniste është po ashtu shumë e madhe”, ka thënë Canolli më tej.
Libri “Prapa mureve të gurit” vjen i plotë në bibliotekën e lexuesit në Kosovë në shqip nga botimet “Cuneus“, pasi në anglisht ishte publikuar e botuar me dy kapituj mungesë.
“Lexuesi tash për herë të parë do t’i ketë dy kapituj që s’kanë qenë në versionin anglisht, pasi kam biseduar edhe me Robert Elsie dhe ka konsideruar se ka çështje shumë private, pasi i bëhet analizë strukturës së familjes, gjendjen ekonomike dhe i kanë shmangur ata dy kapituj, pra të pestin dhe të gjashtin. Ne, bashkë me vajzën e saj jemi marrë vesh dhe kemi biseduar me Arsimin që në versionin shqip do ta kemi të plotë dhe fokusi do të jetë në tezën e saj origjinale të paredaktuar”, ka thënë antropologu Tahir Latifi, i cili është edhe redaktor i librit të përkthyer në shqip.
Edhe vetë ai ndoqi gjurmët antropologjike të studimit të Backer në Isniq. Gjatë qëndrimit të tij aty ka treguar se antropologia norvegjeze njihej edhe si Bleta nga banorët që kishin takuar studiuesen.
“Në një kafe në Isniq, kur u thashë se pse kam shkuar atje, pleqtë që mbanin mend kohën kur ajo ishte aty, disa e quanin Berita, disa Bleta, sepse për ta ishte vërtetë bletë. Është një punë e jashtëzakonshme sa i përket fushës së antropologjisë. Ka qenë ndër të parat studiuese të huaja që ka ardhur, bashkë me Janet (Reineck v.j.) e të tjera. Ka pasur edhe studime më herët, edhe pas, por me synim që të studiohet jeta e qytetarëve të Kosovës në atë kohë, nën Jugosllavisë socialiste. Ka qenë një prej studimeve unike”, ka treguar Latifi në promovimin e mbajtur në librarinë “Dukagjini”.
Në parathënien e botimin në shqip, ai shkruan se Backeri ka hulumtuar familjen shqiptare, me fokus relacionet mes anëtarëve brenda familjes, “raportet breznore dhe ndërbreznore ndërmjet anëtarëve të familjes; për të zotin e shpisë, zojën e shpisë (baçicën); për burrat, gratë, djemtë, vajzat dhe fëmijët; për fejesën, martesën; për rendin e magjes, punët e burrave dhe të grave; për bukën, për ushqimet e zakonshme; për punimin dhe ujitjen e tokës, për bujqësinë, blegtorinë, dhe transhumancen”.
“Ajo ka bërë analizë të thellë të marrëdhënieve farefisnore dhe relacionet mes anëtarëve të familjes, barkut/vllaznisë dhe mahallës; për lidhjet e gjakut dhe të qumështit (lisi i gjakut dhe i tamblit); për kryeplakun dhe pleqësinë dhe raportet e tyre me familjet dhe pushtetin/partinë (Partinë Komuniste, autoritetet udhëheqëse të Kosovës në Jugosllavinë socialiste); për ndarjen e pasurisë dhe të drejtën në pronë; për kanunin (të drejtën zakonore), ligjin shtetëror dhe sheriatin (për të cilin siç thotë, nuk është gjetur se në cilat raste praktikohet)”, ka shkruar ai.
“Prapa mureve të gurit” fillimisht qe tezë masteri në Institutin e Antropologjisë Sociale në Universitetin e Oslos në Norvegji në prill të 1979-s.
Backer ishte antropologe dhe etnografe sociale pioniere norvegjeze puna e së cilës, sipas biografisë, la gjurmë të pashlyeshme në kuptimin e kulturës dhe strukturave familjare shqiptare, veçanërisht në Kosovë. Si drejtuese e Institutit të Kërkimeve të Paqes (PRIO) midis viteve 1978 dhe 1982, Backer ia kushtoi jetën kauzës së të drejtave të njeriut dhe studimit të çështjeve kombëtare shqiptare. Gjatë viteve ‘80, ajo u bë aktiviste kryesor e të drejtave të njeriut, veçanërisht në mbrojtje të kauzës dhe të drejtave të shqiptarëve të Kosovës.
Aktivitetet e saj në emër të Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit dhe mbështetja e saj aktive për refugjatët shqiptarë të Kosovës në Norvegji, e bënë të pamundur për të gjetur kohë për të përgatitur një formë përfundimtare për botimin e tezës gjatë jetës së saj. Ajo u vra nga një sulm me thikë më 7 mars 1993 në Norvegji.
Latif Mustafa nga libraria “Dukagjini” ka thënë se dashuria e saj për shqiptarët lindi në fund të viteve ’60 të shekullit të kaluar.
“Dashuria e parë për shqiptarët ka lindur gjatë një vizite në Shqipëri në vitin 1969 dhe më pas në vitet ’70 ka nisur një studim në Isniq. Libër ky që është botuar në vitet ’80 dhe ne sot e kemi në duar pas 50 vjetësh falë profesorit Tahir që ka vazhduar të ndjekë gjurmët e kësaj hulumtueseje”, ka thënë Mustafa, i cili e ka moderuar diskutimin për librin.
Libri në shqip u përkthye nga Enes Lekiqi dhe ilustrohet me fotografi të përzgjedhura nga Ann Christine Eek. Versioni origjinal “Prapa mureve të gurit” është botuar në vitin 2003 dhe më 2015. Krejt në fillim të tij shkruhet: “Ky libër i dedikohet Hajrisë, Miradisë, Mirushes dhe Rabisë – vajzave që shokuan fshatin duke shkuar në shkollë”.
Një tjetër promovim i librit është paralajmëruar gjatë këtij muaji në Isniq të Deçanit. “Prapa mureve të gurit: Ndryshimet në organizimin e familjes te shqiptarët e Kosovës” është vlerësuar si vepër ikonë dhe referencë e rëndësishme studimore.