Kulturë

Portreti i Kadaresë – kryevepra e “Mural Festit” në Tiranë

Ismail Kadare

Portreti i Ismail Kadaresë në Tiranë është realizuar prej artistit argjentinas me famë botërore, Maximiliano Bagnasco

Portreti i Ismail Kadaresë është përjetësuar në murin e një pallati në Tiranë. Është njëra prej veprave të finalizuara që në fillim të edicionit të gjashtë të festivalit ndërkombëtar të muraleve “Mural Fest”, dhe të dielën kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar foton e muralit që ka zënë vend pranë ish-Stacionit të Trenit. Është realizuar prej artistit argjentinas me famë botërore, Maximiliano Bagnasco. Në edicionin e sivjetmë marrin pjesë artistë nga 11 shtete të botës. Dhe pos portretit të shkrimtarit të madh shqiptar, do të realizohen edhe 14 murale të tjera. Tematika e “Mural Festit” për sivjet është “Inteligjenca artificiale”.

Maximiliano Bagnasco, i lindur më 1981, nuk është emër i panjohur në Tiranë. Në qendrën spitalore “Nënë Tereza” vitin e kaluar ka realizuar edhe muralin e famshëm të Leo Messit. Zë vend në faqen e një prej konvikteve të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Bagnasco – që ka realizuar edhe muralin e Maradonës në Napoli e Miami – shquhet për qasjen realiste në pikturë dhe në këtë frymë ka realizuar edhe muralin e gjigandit të letërsisë shqipe.

“U bind me thënë të drejtën duke parë personalitetin e jashtëzakonshëm të Ismail Kadaresë dhe ndarjen e tij nga jeta. E studioi për dy muaj dhe na prezantoi një projekt. Jam i bindur që do jetë një portret i jashtëzakonshëm, sepse sot për sot ky artist është një nga portretistët muralistë më të mirë dhe më të famshëm të botës”, ka thënë Helidon Haliti, tash e katër vjet kurator i “Mural Festit”.

Ai ka folur edhe për përzgjedhjen e vendit për këtë vepër dhe është optimist që do të shndërrohet në atraksion.

“Ky kënd këtu është nga më interesantët e Tiranës, ka shumë kujtime Stacioni i Trenit i vjetri, do të bëhet atraksion absolut turistik ku do ta shijojnë jo vetëm vendësit, por edhe turistët me ndihmën e medias”, ka thënë Haliti për mediat e Shqipërisë.