Ignacy Czwartos, artisti i zgjedhur që në fillim për ta përfaqësuar Poloninë në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, tashmë nuk e mban atë pozicion. Arsyeja: kundërshtonte qeverinë. Tani ai do të ketë ekspozitë personale të titulluar “Polonia Uncensored”(Polonia e pacensuruar).
Ekspozita do të hapet më 20 prill në një hapësirë private në “Viale IV Novembre”, që ndodhet pranë hapësirës ekspozuese Giardini ku ndodhet Pavijoni Kombëtar i Polonisë.
Masa vjen pasi paraqitja fillestare, e cila përfshinte 35 piktura, u kundërshtua si rrjedhojë e zgjedhjeve të tetorit që ndikoi te zyrtarët e partisë së ekstremit të djathtë polak “PiS”, të cilët kishin miratuar pavijonin me të cilin do të prezantohej shteti.
Plani fillestar i pavijonit kishte nxitur kritika të shumta për paraqitjen e imazheve që e shfaqnin Poloninë të shtypur historikisht nga Gjermania dhe Rusia gjatë shekullit XX. Ministri i sapozgjedhur i Kulturës në Poloni, Bartłomiej Sienkiewicz, e ndali projektin në fund të dhjetorit.
Zëvendësimi i artistit Czwartos për ta përfaqësuar vendin është bërë me “Open Group”, një kolektiv ukrainas i artistëve i themeluar në vitin 2012 që përfshin Yuriy Biley, Pavlo Kovach dhe Anton Varga.
Ndryshimi e çoi artistin në pretendimin se ekspozita u anulua për shkak të tendencës për të kontrolluar artin. Ai është në fund të të 50-ave dhe kryesisht punon variacione të ndryshme të autoportreteve. Ekspozita e re, e organizuar nga qendra për art bashkëkohor “Ujazdowski Castle” në Varshavë, do të shfaqë disa nga të njëjtat imazhe që ishin propozuar fillimisht.
Pasi pushteti i kaluar i Polonisë kishte pranuar propozimin e Czwartos për ekspozitën, tre anëtarë të jurisë përzgjedhëse të qeverisë që mbikëqyrnin planin e pavijonit kishin anashkaluar detyrën. Anëtarët kishin lëshuar një deklaratë duke argumentuar se paraqitja e Czwartos bie ndesh me temën e Bienales të titulluar “Foreigner Everywhere”, e cila është përqendruar në konceptet e lidhura me krizat ndërkombëtare dhe migrimin.
Në deklaratën e tyre, juria kishte pohuar më tej se artisti nuk përfaqësonte skenën lokale të artit bashkëkohor në Poloni dhe kishte kritikuar veprat për pozicionimin e Polonisë si “viktimë”.
Në nëntor, Joanna Warsza, kuratore e Pavijonit të Polonisë në vitin 2022, kishte thënë se në prezantimi i Czwartos ishte “loja e fundit e tetë vjetëve të sundimit të krahut të djathtë”.
Në një njoftim për media që bënte të ditur detaje nga “pavijoni i ri”, Czwartos e kishte përshkruar anulimin si një “formë të re censure” në Poloni. Ai gjithashtu kishte pretenduar se Qeveria e re po përpiqet të shtypë aspektet e historisë së ushtrisë së Polonisë në mes të shekullit XX, aluzione të cilat paraqiten në pikturat e tij. Referencat për periudhën, siç pohon ai, “që po fshihet nga mediat publike dhe nga institucionet e shtetit”.