Kulturë

“Poloneza” zë vend në UNESCO

Valles shekullore polake i është dhënë vend në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s. “Poloneza” madhështore u interpretua në ballo aristokratike dhe festivale fshati dhe frymëzoi kompozitorë si Frederic Chopin.

Elegante, e këndshme dhe e futur thellë në histori.

Kjo është ”Poloneza”, vallëzim tradicional polak që daton në shekullin e 18-të.

Muzika e saj fitoi njohje ndërkombëtare përmes punës së kompozitorit polak Frederic Chopin.

Dhe tani vallja madhështore gjithashtu ka vulosur rëndësinë e saj - në dhjetor ajo iu shtua Listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.

“Kur po përgatitej mocioni, kjo nismë pati një mbështetje të madhe në mediat sociale. Mijëra njerëz në Facebook dhe në media të tjera sociale mbështetën hyrjen në UNESCO, thotë Joanna Cicha-Kuczynska nga Ministria polake e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare.

Grupi që performon sot është nga Teatri i Vallëzimit të Universitetit të Varshavës “Warszawianka”, me muzikë të kompozuar nga Witold Jarosinski dhe koreografi nga Jan Losakiewicz.

Kërcimtarët kanë ide të qarta se çfarë i jep Polonezës karakterin e saj të veçantë.

“Gjëja më e rëndësishme në polonezë është që i gjithë grupi të mund ta kërcejë së bashku koreografinë dhe ndër veçoritë personale, më e rëndësishmja është dinjiteti i burrave dhe natyra eterike e grave”, thotë balerini Marcin Pracki.

Disa e vlerësojnë jetëgjatësinë e kërcimit me rolin politik që pati ndër vite.

Kjo valle me ritëm të ngadaltë evoluoi nga një formë popullore e quajtur “vallja e ecur”.

Nga shekulli i 18-të, nën emrin francez “Polonaise” - ose polake – luhej gjerësisht midis fisnikërisë evropiane.

Poloneza frymëzoi kompozitorë të shquar të kohës, si: Johann Sebastian Bach, Georg Philipp Telemann ose Wolfgang Amadeus Mozart dhe më vonë Chopin dhe Pyotr Tchaikovskyn.

Ajo ende hap sezonin e karnavaleve në Ballon e Operës së Vjenës.