Kulturë

Politika s’e kursen Panairin e Frankfurtit, Kosova në ritmin e diplomacisë

Kosova ka vite që ka të njëjtën adresë në këtë ngjarje, vazhdon traditën e nisur qysh prej vitit 2002 (Foto: SHBK)

Kosova ka vite që ka të njëjtën adresë në këtë ngjarje, vazhdon traditën e nisur qysh prej vitit 2002 (Foto: SHBK)

Liria e shprehjes është shndërruar si një lloj maksime e zëshme në hapjen e edicionit të 76-të të Panairit të Librit në Frankfurt, e shkas për këtë është bërë mysafiri i nderit – Italia. Një grup shkrimtarësh italianë, kritikë ndaj Qeverisë së Italisë, kanë kritikuar mënyrën e përfaqësimit të shtetit italian si përjashtuese të zërit të tyre. Larg një teme si kjo, Kosova vazhdon traditën jo vetëm në prezantimin e botimeve shqiptare, por edhe në rrafshin e diplomacisë kulturore

Panairi i Librit në Frankfurt ka dekada që mban primatin si më e madhja ngjarje e këtij lloji, por që nuk ndalet vetëm te libri, industria e tij. Tash e sa kohë është shndërruar edhe në platformë temash nga më të ndryshmet, tek i cili lënë shenjë zhvillimet botërore, por viteve të fundit është bërë edhe arenë debatesh politike. 

E, polemikat shpërthejnë ende pa nisur. Kësisoj ka ngjarë edhe sivjet. Zyrtarisht, edicioni i 76-të është hapur të mërkurën, Kosova mban ritmin e traditën e pjesëmarrjes duke i dhënë edhe karakter të diplomacisë kulturore. 

Liria e shprehjes është shndërruar si një lloj maksime e zëshme në hapje, e shkas për këtë është bërë mysafiri i nderit – Italia. Një grup shkrimtarësh italianë, kritikë ndaj Qeverisë së Italisë, kanë kritikuar mënyrën e përfaqësimit të shtetit italian si përjashtuese të zërit të tyre. 

Por përderisa polemika si këto sa vijnë e rriten, Panairi vëren edhe rënie interesimi të lexuesve, dhe këto janë shenjat që dallohen qysh në ditën e parë. 

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, e cila atje është si përfaqësuese e botimeve të disa shtëpive botuese e institucioneve vendore, ka thënë ta ketë hetuar këtë. Krahas diplomacisë kulturore, ka numëruar edhe disa drejtime kur ka folur për peshën e përfaqësimit. 

“Vërehet një tkurrje e lehtë, e shoqëron vit pas viti jo vetëm Panairin e Librit në Frankfurt, por në të gjitha panairet anekënd botës. Periudha e internetit gradualisht e zëvendëson domosdoshmërinë e pranisë fizike. Sido që të jetë, nuk mungojnë asnjëherë shtetet që marrin pjesë tradicionalisht dhe shtëpitë botuese ndërkombëtare”, ka thënë Zeneli për KOHËN pak orë pas hapjes së shtandeve. Tri ditët e para të Panairit iu dedikohen profesionistëve të industrisë së librit, e prej të premtes deri të dielën hapet edhe për lexues. 

Kosova ka vite që ka të njëjtën adresë në këtë ngjarje, vazhdon traditën e nisur qysh prej vitit 2002. 
“Janë mbi 7500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që marrin pjesë në Panair, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka shkruar Shoqata e Botuesve e Kosovës në njoftimin e afishuar në rrjete sociale. 

Kosova “zë vend në sallën 4.1 stenda F96, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda e vende të tjera”. 

“Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: ‘Buzuku’, ‘Koha’, ‘Faik Konica’, ‘Pema’, ‘Artini’, ‘Skanderbeg Books’, ‘Albas’, ‘Meshari’, ‘Magjia e Librit’, ‘Noa’, e të tjerë, si dhe institucioneve, si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës”, ka njoftuar SHBK-ja. 

Panairi ka një qëllim esencial të cilin e ka ritheksuar SHBK-ja. 

“Në ditët e para Panairi ka karakter profesional dhe vizitohet nga institucionet e librit mbarëbotërore për të komunikuar mbi industrinë e librit, ndryshimet dhe rëndësinë e ruajtjes së traditës thelbësore të dijes. Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi ‘Nobel’ dhe Panairi i Librit në Frankfurt”, ka shkruar SHBK-ja. 

Kur Panairi të hapë dyert për lexues e vizitorë, shtandi i Kosovës do të aktivizohet edhe më. 

“Në fundjavë, Panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore”, ka thënë Zeneli. 

Portretet e Dua Lipës, Rita Orës, Majlinda Kelmendit, Pajtim Statovcit dhe ai bardhezi i Ismail Kadaresë, janë “imazhi” i shtandit, krahas librave. 

Zeneli ka numëruar disa anë të peshës së prezantimit në këtë ngjarjeje. 

“Është Panairi më i Madh i Librit në botë dhe pjesëmarrja shërben në disa drejtime: si diplomaci kulturore, si prani e shtetit tonë po njëjtë si vendet e rajonit (Maqedonia e Veriut, Sllovenia, Kroacia etj.) Si gjë e dytë, tradita pjesëmarrëse krijon edhe raporte e njohje me profesionistët e fushës. Si gjë e tretë, vizitat e diasporës janë gjithnjë të shumta dhe mirëmbajnë raportin e gjeneratave të reja me traditën krijuese të vendit prej nga vijnë”, ka thënë Zeneli të mërkurën. 

Përderisa libri bashkon shtetet e lexuesit, Italia është “ndarë në dysh” në Panair. Shoqata e Botuesve e Kosovës ka shkruar se “Italia, si e ftuar nderi, paraqet dhe prezanton traditën e saj të gjallë letrare”. 
Por në fakt, në vend të “traditës së gjallë letrare” së paku në hapje, të gjalla kanë qenë përplasjet që zanafillën e kanë në politikën e brendshme të Italisë. Shumica e titujve të mediave botërore kanë të bëjnë me debatin që tashmë ka marrë hov. 

Agjencia e lajmeve DPA ka shkruar se vendimi i udhëheqësve të Panairit për të nderuar shtetin italian gjatë edicionit të sivjetmë nuk u prit mirë nga një numër shkrimtarësh italianë, të cilët e kritikuan ashpër trajtimin që Qeveria e tyre ua bën intelektualëve.

“Ftesa e organizatorëve për të prezantuar kulturën italiane në Frankfurt mund të jetë një mundësi e shkëlqyer, por në fakt nuk është”, citohet të ketë thënë shkrimtarja Francesa Melandri gjatë një eventi diskutimi. “Pushteti politik shtyp zërat që nuk dëshiron t’i dëgjojë”, ka deklaruar ajo. DPA-ja ka njoftuar se po planifikohet një program alternativ i ngjarjeve, i dizajnuar si kritikë ndaj paraqitjes zyrtare të Italisë. Mes lokacioneve ku do të zënë vend ngjarje të tilla është një shtand i përbashkët i botuesve italianë në sallën numër 5 të Panairit, e cila u hap të mërkurën me një fjalim nga ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli.

“U trajtova si një armik, si një qen i ndyrë”, citohet të ketë thënë Antonio Scurati, autori i një vepre me shumë vëllime për diktatorin fashist Benito Mussolini. Atij i ishte mohuar e drejta për të folur në radion shtetërore gjatë festës kombëtare të Italisë, si dhe ka përjetuar sulme personale, shpifje dhe censurë. 
“Kjo u ndodh njerëzve që e kritikojnë pushtetin”, ka thënë ai në Panair. Scurati e ka cilësuar shtandin e Italisë “të shëmtuar, vërtet të shëmtuar. I ngjan një salloni të varrimeve”.

“Liria e shprehjes dënohet në shtetin tonë. Kjo është e vërtetë, nuk është thjesht një përshtypje”, citohet të ketë thënë shkrimtari Paolo Giordano. Sipas tij, “shumë gjëra ishin bërë gabim në përgatitjen e programit zyrtar italian”. Qysh para hapjes kishte mosmarrëveshje midis autorëve italianë dhe qeverisë djathtiste të Italisë mbi atë se kush lejohej të ishte pjesë e delegacionit zyrtar.
Qeveria italiane ishte akuzuar për përpjekje për të përjashtuar zërat kritikë nga Panairi. Në një letër të hapur, më shumë se 40 shkrimtarë protestuan ndaj programit zyrtar dhe disa autorë u tërhoqën nga delegacioni zyrtar, në shenjë proteste.

Në qendër të polemikës qe Roberto Saviano, shkrimtar dhe gazetar italian i cili shquhet si kritik i ashpër i kryeministres italiane, Giorgia Meloni. Saviano, sipas DPA-së, ka thënë se do të marrë pjesë në Panair por vetëm me ftesën e shtëpisë së tij botuese, “Hanser”. Të shtunën ai planifikon të mbajë një fjalim publik mbi “shkrimin në kohë joliberale”.

Në një artikull të publikuar të martën në gazetën italiane “La Repubblica”, Saviano ka shkruar se prania e tij në Panairin e Frankfurtit “nuk është fitore, por si një formë rezistence”.

Panairi i Librit në Frankfurt i ka rezistuar kohës, njësoj si debateve të tilla. Feston për librin dhe lirinë e shprehjes. 

Vite të pashmangshme ishin ndikimet e luftës së Izraelit me Hamasin e ato u dalluan para hapjes zyrtare. Një fjalim i filozofit Slavoj Zhizhek do të bënte bujë. “Fjalët bashkojnë botën”, ishte motoja, e prej atje bëheshin thirrje për paqe. Me këtë ide edhe u nismua në vitin 1949, si një shenjë e rifillimit të jetës kulturore në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore. Në edicionin e parë numëronte 205 botues gjermanë. Sot bashkon botën e letrave dhe hap debate, qofshin edhe politike. Por i jep zë lirisë së shprehjes e fjalës së shkruar.