Kulturë

“Polip” në kapitullin e ri si fole kreative nëpër rrugën e kujtesës

Polip

Pa shumë bujë, modest, një koktej që i paraprin ngjarjes, ka qenë imazhi i hapjes së “Polipit” të premten mbrëma në teatrin “Oda”. Çdoherë i lë hapësirë programit të festivalit të bëjë jehonë. Sivjet është edicioni i parë që krahas letërsisë, përfshin edhe teatrin

“Rruga e kujtesës” është tema e edicionit të sivjetmë të “Polipit”, i cili lë prapa 13 edicione si festival ndërkombëtar i letërsisë për t’u zgjeruar edhe në teatër me synimet që të shndërrohet në fole kreative për artistë të njohur e të rinj. Pos programit qendror të ditës së hapjes, ngjarje po aq interesante dhe atraktive ka qenë ajo që njihet si “Konsultime poetike në hapësira publike”

Në ditën e fundit të edicionit të kaluar “Polipit”, njëra prej temave kishte qenë e ardhmja e festivalit. Edhe në hapje ishte paralajmëruar se edicioni i radhës do të ishte i fundit i formatit me të cilin ishte zhvilluar në 13 edicionet e kaluara. 

Në të 14-tin, prej epitetit si festival ndërkombëtar i letërsisë, i plotë është prezantuar si “Polip – Prishtina International Creative Hub”. 

“Rruga e kujtesës” është tema e sivjetme e cila kujton themelet e festivalit dhe reflekton në transformimin e tanishëm që, sipas organizatorëve, në këtë edicion është fazë e testimit. 

Pa shumë bujë, modest, një koktej që i paraprin ngjarjes, ka qenë imazhi i hapjes së ngjarjes që e përcjell atë tash e 14 edicione. Çdoherë i lë hapësirë programit të festivalit të bëjë jehonë. Sivjet është edicioni i parë që krahas letërsisë, përfshin edhe teatrin. Si arte performuese, mblidhen në “Polipin” që në hapje është vlerësuar si fole kreative që u jep hapësirë krijuesve profesionistë e atyre të rinj të projektojnë idetë e tyre. 

Dramaturgu Jeton Neziraj, udhëheqës i “Qendrës Multimedia”, i cili bashkë me shkrimtarin serb, Sasha Iliq, janë themelues të “Polipit”, ka thënë se gjithçka kishte nisur me diskutimin për sfidat e festivalit dhe mënyrën se si komunikon me audiencën dhe me formatin. 

“Morëm ide vërtet të vlefshme, sugjerime, komente të cilat na kanë ndihmuar për ta rimenduar festivalin për ta kthyer në një format të tillë që shënon edicionin e parë praktikisht, por që nuk është edicion final i formatizuar, pasi e kemi si test të shohim se në çfarë drejtimi do të shkojmë. Fakti që festivalin e kemi hapur me vlera artistike, nuk është më poezia zemra e festivalit, por e kemi kombinuar me aktivitete teatrore”, ka thënë Neziraj derisa ka treguar se deri tash festivali ka sjellë rreth 300 shkrimtarë. 

Sipas tij, qasja e re e festivalit, ku përfshihet letërsia dhe teatri, i afron ata më shumë me publikun. Në të njëjtën kohë, u mundëson artistëve të projektojnë idenë e tyre dhe të shprehen në mënyrë kreative. 

“Është një lloj laboratori artistik ku gjenerohen idetë artistike, që kanë të bëjnë me letërsinë e teatrin. Po ashtu, ngjarja është platformë për artistët e rinj ku projektojnë idetë e tyre”, ka thënë Neziraj për KOHËN. 

Ceremonisë së hapjes i ka paraprirë me “Konsultime poetike në hapësira publike” në sheshin “Zahir Pajaziti” 

Sivjet festivali zhvillon programin deri më 19 maj. Përfshin promovime librash, panele diskutimi, lexime poetike, performanca muzikore e punëtori. 

Në teatrin “Oda”, të premten si përherë kur “Polip” bën hapjet, sivjet është manifestuar me performancë që gërsheton poezinë, lojën e aktorëve dhe muzikën. Janë lexuar poezi nga Martin Camaj, Ali Podrimja, Jeton Kelmendi e poetë ndërkombëtarë. Vargjet kanë jehuar edhe në anglisht, frëngjisht e italisht. Shpesh janë zhvilluar edhe dialogë ndërmjet tyre. Si një lloj prove se njerëzit kanë aftësinë të kuptohen, përkundër dallimeve që kanë të bëjnë me përkatësinë etnike e gjuhën. 

Kanë interpretuar Arben Bajraktaraj, Julie Peigné, Albulena Kryeziu Bokshi, Nadia Saragoni, Aurita Agushi, Anne Duverneuil, Adrian Morina, Ailton Matavela, Armend Smajli, Davide Arenadhe Riccardo Ventrella dhe Linda Rukaj. Kjo e fundit ka shoqëruar në pjesën e fundit të hapjes me muzikë bashkë me kitaristin Armend Xhaferi. 

Pos programit qendror të ditës së hapjes, ngjarje po aq interesante dhe atraktive ka qenë ajo që njihet si “Konsultime poetike në hapësira publike”. 

“Është një formë e re e shprehjes ku poezi pos që recitohet, vjen në format krejt tjetër, më intim. Aktori ulet në shesh, në hapësirë publike, ka përpara një person dhe me të realizon atë që quhet konsultë. Sikur kur shkon te psikologu, por në fund nuk merr një recetë me medikamente, por një poezi. Kjo është një metodë që në Francë e Itali ka nisur qysh para katër vjetësh”, ka thënë Neziraj derisa është ndërlidhur me ngjarjen. 

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, pasdite kanë zënë vend mbi dhjetë emra të shquar të teatrit, muzikës dhe jo vetëm. Artistë vendorë e të huaj, gjë që i ka bërë kalimtarët të mos e kenë barrierë aspektin gjuhësor.

Të veshur me mantele të bardha, tërheqja e vëmendjes ka qenë gjë e sigurt. Guximi për t’u ulur përballë njërit prej tyre, tjetër temë. Por nuk kanë munguar të interesuarit për të dëgjuar poezi, muzikë a thjesht për biseda të shkurtra me figurat e shquara të skenës artistike. 

Ngjarja synon një lloj shërimi me poezi. Të paktën këtë synim e kishte kur u organizua fillimisht në Paris nga “Théâtre de la Ville”. 

Italiani Riccardo Ventrella nga “Teatro della Pergola” në Firence, në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes ka thënë se sebep për bashkëpunimin me qendrën “Multimedia” ishte festivali “Mittelfest” kur në korrik të 2022-s ishte dhënë shfaqja “The Handke Project” me tekst të Jeton Neziraj nën regji të Blerta Neziraj. 

“Jam i lumtur dhe i nderuar të jem sonte këtu, sepse për mua dhe për ne është shumë e rëndësishme, pasi është pasazhi i rëndësishëm i marrëdhënies sonë me Kosovën dhe qendrën ‘Multimedia’. E filluam në kuadër të Festivalit ndërkombëtar ‘Mittelfest’”, ka thënë ai para të pranishmëve.

Ndërsa francezja Julie Peigne nga ‘Théâtre de la Ville’ në Paris ka thënë se projekti i “Konsultimit poetik në hapësira publike” është mënyrë e re për artistët të lidhen me shoqërinë dhe të takojnë njerëz që nuk kanë takuar kurrë. Ka bërë të ditur se kjo praktikë ka lëvizur në 14 shtete deri më tash. 

“Jemi këtu së pari për shkak të projektit që e kemi filluar në vitin 2020. Qëllimi ishte të vendosnim artistët dhe poezinë kudo për popullin, jo vetëm në teatër, për të gjithë, të rinj e të vjetër. Tani janë bërë katër vjet nga projekti të cilin e kemi shëtitur në 14 shtete në Evropë dhe në Afrikë”, ka thënë Peigne para publikut. 

Aktiviteti ka ngjarë tejet atraktiv. Publiku ka pasur mundësi të takojë figura të shquara të teatrit e muzikës nga vendi dhe jo vetëm. E në fund të dëgjojë një poezi nga ta. 
Aktorja Albulena Kryeziu-Bokshi ka thënë se ideja e aktivitetit kishte qenë po ashtu që të zgjerohet audienca e teatrit. 

“Si ide ka lindur në pandemi nga ‘Théâtre de la Ville’ në Paris. Ata në kohën kur nuk kanë mundur të dalin, i kanë thirrur njerëzit në telefon dhe aktorët u kanë lexuar poezi. Me kalimin e pandemisë kanë filluar të dalin nëpër sheshet e Parisit dhe të tjerave qytete, të shkojnë në spitale dhe e kanë zgjeruar pastaj edhe në Itali. Ideja e tyre ishte që, publiku për teatër është i zgjedhur dhe ata kanë dashur ta zgjerojnë atë. Ta sjellin teatrin në shesh, nëpërmjet poezisë”, ka thënë ajo. 

Kryeziu-Bokshi që është edhe drejtoreshë e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë ka qenë njëra nga “konsultueset” e ekipit të “Polipit”. Si në Prishtinë, ngjarja ka qenë përvojë e parë edhe për të. Ajo ka vlerësuar se njeriu e gjen shpirtin me poezi. 

“Njerëzit po ndalen, po e shijojnë një poezi, një moment reflektimi për të kuptuar që nëse u kthehemi librave, poezive, i japim vetës për t’u rikthyer. Këtë ia adresoj edhe vetes. Rrjetet sociale na kanë larguar shumë nga librat, poezitë, romanet dhe shpesh na humb shpirti. Atë e gjejmë në libra, sidomos në poezi”, ka thënë Kryeziu-Bokshi. 

Paraprakisht ngjarja e këtij formati ishte organizuar edhe në Itali. Të premten është provuar edhe në Prishtinë, ndërsa sot (e shtunë) ekipi niset për në Gjilan. 

Aktorja Aurita Agushi ka thënë se ngjarja është mënyrë e mirë për ta sjellë poezinë te njerëzit. 

“Njerëzit e duan poezinë, por jo gjithmonë kanë guxim ta thonë atë ose ta njohin sa duhet. Kjo është mënyrë shumë e mirë që të ketë interaksion me njerëzit, të jenë ajo lloj traseje që njeriu të ulet të flasë me një artist për gjendjen e tij momentale dhe mandej t’ia lexojë një poezie, ta relaksojë dhe t’ia japë një emocion tjetër. Kjo është diçka e re te ne”, ka thënë aktorja Agushi, derisa ka bërë të ditur se në listën e tyre kanë poezi nga më të ndryshmet që i përshtaten secilit. 

“Po shoh se njerëzit kanë interesim, edhe pse këtu ndonjëherë ngurrojnë të afrohen, por shihet se duan të ulen dhe të dëgjojnë poezi. Ka nga ato që kanë të bëjnë me dashurinë, lirinë, protestë, të gjitha llojet e mundshme të poezisë i kemi”, ka thënë Agushi. 

“Polip” është vlerësuar si platformë për shkëmbim e rritje letrare, hapësirë guximi, pajtimi, reflektimi e kritike konstruktive.