Kulturë

Poezia si mjet për fuqizim e solidaritet midis grave

Femart

Tema “Zëri i poeteshave: solidaritet dhe fuqizim përmes poezisë” i ka mbledhur disa poete të Kosovës në panelin e festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt” në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Poetet Naime Beqiraj, Ilire Zajmi, Shqipe Malushi, Brikenë Ceraja-Beka, Xhejlane Tërbunja e Gili Hoxhaj kanë sjellë përvojat e tyre prej krijuesesh bashkë me vargjet e poezive

Rrugëtimi poetik i tyre është sa i bukur, aq edhe fisnik. Jo veç për shkak të momentit të veçantë në karrierë, por se ato kanë ecur para duke anashkaluar paragjykimet e shoqërisë e rrethanat që mund ta ndalnin misionin e tyre

Kur poetet flasin për veprimtarinë e tyre, rrëfimi i secilës hapet me fillimin e formimit të portretit të tyre prej krijueseje. Jo veç për shkak të momentit të veçantë në karrierë, por se ato kanë ecur para duke anashkaluar paragjykimet e shoqërisë e rrethanat që mund ta ndalnin misionin e tyre. Rrugëtimi poetik i tyre është sa i bukur, aq edhe fisnik.

Tema “Zëri i poeteshave: solidaritet dhe fuqizim përmes poezisë” i ka mbledhur disa poete të Kosovës në panelin e festivalit ndërkombëtar të artisteve dhe aktivisteve “FemArt” në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë. Poetet Naime Beqiraj, Ilire Zajmi, Shqipe Malushi, Brikenë Ceraja-Beka, Xhejlane Tërbunja e Gili Hoxhaj kanë sjellë përvojat e tyre prej krijuesesh bashkë me vargjet e poezive.

Në panel të dielën paradite është konsideruar se poetet janë solidare me njëra-tjetrën.

“Vashat e Kosovës sot nuk garojnë për vendin e parë, të dytë a të tretë, dhe çfarë është më e bukura, ato nuk janë në garë me njëra-tjetrën, kanë shumë solidaritet. Ndoshta nuk jemi shoqe që nuk pimë kafe çdo ditë, por jemi shoqe që nuk luftohemi. Mund të numërojmë femra nga Kosova që mund të themi pa dilemë se e përbëjnë elitën e poezisë kosovare”, ka thënë poetja Naime Beqiraj. 

Beqiraj, që është edhe drejtoreshë e institucionit ku është mbajtur ngjarja e parë e ditës së pestë të festivalit “FemArt”,  ka thënë se pos solidaritetit midis poeteshave, poezia më elitare shkruhet nga gratë. Ka përmendur botimet e tyre të para në vend.

“Libri i parë me poezi i femrave është botuar nën përkujdesjen e Ramiz Kelmendit me titullin ‘Femrat shkruajnë’. Libri i parë i botuar nga një grua është Fadile Emerllahu, poeteshë nga Presheva, pastaj është Sevdije Zajmi nga Prizreni, mandej Flora Brovina, Edi Shukriu, Sheherzade Shkreli dhe vazhdojmë me emra të ndryshëm të krijimtarisë, nga të cilat Edi dhe Flora kanë vazhduar dhe janë konsoliduar. Ato mund të themi se janë edhe emrat fuqizues të gruas”, ka thënë më tej poetja Beqiraj, e cila e ka moderuar panelin.

Ndër vite media ka qenë njëri prej kanaleve që ka promovuar profilet e veprat e krijuesve. Beqiraj ka thënë se “e vetmja media që u ka dhënë hapësirë grave krijuese ka qenë KOHA, gjegjësisht KTV-ja dhe Koha Ditore”.

Për poeten Ilire Zajmi fillimi i krijimit të opusit poetik ka hasur në ato paragjykime për të cilat vërente se bënin që të zhduknin emrat e krijueseve gra nga letërsia.

“Ajo çfarë më ka bërë përshtypje në atë kohë kanë qenë gazetat dhe revistat letrare të asaj kohe, gazetat që dilnin në kuadër të ‘Rilindjes’ dhe shumë emra grash që kanë qenë aktive në atë kohë përnjëherë zhdukeshin nga ajo bota e letërsisë. Më ka bërë përshtypje prej çfarë pengesash ato gra janë ndalur ose ndoshta i ka bërë jeta të mos merren me letërsi. Por vetë kam përjetuar diçka të atillë”, ka thënë poetja Ilire Zajmi.

Kishte hasur vështirësi në botimet e poezive të para.

“Në vitin e dytë erdha në ‘Rilindje’- ndoshta pasi isha pak kureshtare të dija si funksiononte redaksia. Prej momentit që e kam takuar redaktorin, që ishte shumë mosbesues, i cili derisa është bindur se unë jam i njëjti person që i shkruaj poezitë, e besa në atë kohë bëja edhe përkthime letrare nga anglishtja, nuk m’i ka botuar. Ai nuk u bind derisa u pranova në Shoqatën e Shkrimtarëve, nëse nuk gaboj ka qenë viti 1996. Atëherë si duket u bënë disa kapërcime, u pranuan disa poete gra “, ka thënë Zajmi.

Duke u ndërlidhur me temën e diskutimit, ka përmendur Sazana Çapriqin e Edi Shukriun si figura që kanë qenë zëra të fuqishëm dhe kanë kontribuuar në solidarizim me gratë.

“Do të përmendja disa emra që kanë kontribuar në motërzimin dhe solidarizimin me gratë: Sazana Çapriqin me revistën ‘Sfinga’, e cila në atë kohë ka qenë zë i fuqishëm që ka mbledhur emra të shquar jo vetëm nga Shqipëria, mirëpo edhe nga letërsia botërore, Edi Shukriun, akademiken e parë femër. Natyrisht se pas luftës është një situatë më e mirë, ka më shumë organizata e shoqata që e promovojnë këtë letërsi”, ka thënë më tej Zajmi.

Poetja Shqipe Malushi në panel ka thënë se është poete e vetvetes dhe jo e publikut.

“Unë jam poete që as nuk lexohet, as nuk botohet. Unë shkruaj për vete, sepse unë shkruaj për vdekjen dhe për të padrejtën, prandaj iu dhemb. Librin e parë që e kam botuar sebep kanë qenë Safete Rogova dhe Kumrija mysafire tek unë, e kemi menduar një shfaqje gjatë periudhës së para luftës. Ato, aty e kanë parë manuskriptin në dhomë të fjetjes dhe e kanë marrë me vete pa më pyetur dhe e kanë dërguar për botim”, ka kujtuar poetja Malushi botimin e librit të parë.

“Unë shkruaj për vete, e kërkoj zbulimin e shpirtit dhe të jetës shpirtërore në një drejtim të ngritjes dhe zbulimit të bukurisë, dashurisë, mirësisë”, ka thënë ajo derisa e ka përmbyllur fjalën e saj në panel.

Poetja Brikenë Ceraja-Beka ka thënë se babai i saj, poeti i shquar Jakup Ceraja, ka qenë një lloj reference.

“Për rrugëtimin e botimeve e të prezantimeve në media gjithmonë ka pasur hapësirë, por edhe nuk ka pasur ndoshta. Por për mua ndoshta ka qenë fat i mirë që vij nga një poet siç është Jakup Ceraja dhe ma ka trasuar rrugën më të lehtë, pavarësisht ideve dhe atyre që kanë thënë se ‘pse i shkruan babai nuk do të thotë që edhe ajo di të shkruajë’”, ka thënë Ceraja-Beka derisa ka kujtuar edhe fillimin e rrugëtimit drejt poezisë.

“Pas të 2000-s e kam botuar librin e parë dhe veç kam filluar rrugëtimin nëpër manifestime. Dy çmime i kam marrë në Gjakovë, duke i falënderuar publikun, pasi ato janë gjithmonë mendime më të sinqerta dhe më të fuqishme sesa komisioni, pasi aty është gjithmonë çështje shijesh”, ka thënë ajo më tej.

Xhejlane Tërbunja ka thënë se duke qenë aktore e ka parë veten shumë afër teksteve e karaktereve të ndryshme. Më pas e ka gjetur veten në poezi.

“Duke qenë aktorë mendoj se dimë të shkruajmë duke qenë shumë afër teksteve e karaktereve të ndryshme, lexojmë shumë, deshëm e nuk deshëm. Duke qenë në jetën e plot personazheve dhe duke përjetuar shume gjëra, dëshiron t’i nxjerrësh ato jashtë. Kështu që poezinë unë kam filluar ta shkruaj thjesht duke dashur të shpreh diçka që po më mblidhej brenda dhe që dua ta shpreh jashtë. Mandej duke shkruar, duke shkruar, dikush më tha poete dhe më erdhi turp, duke qenë këtu e ulur me poete që shkruajnë shumë bukur”, është shprehur Tërbunja.  

Poetja Gili Hoxhaj ka thënë se poezitë që janë tejet personale jo domosdo kuptohen në thelb. 

“Poezitë burojnë përbrenda dhe njerëzit shpesh thonë se poezia është shumë e mirë por se nuk kanë kuptuar asgjë. Kjo, pasi është një perspektivë ndryshe nga të tjerët dhe se nuk ka dy lexues të njëjtë. Secili e pranon poezinë nga shija e tij, përjetimi apo gjendja momentale. Secili e lidh me përvojat e tij”, ka thënë ajo.

Para se të lexojë një prej poezive të saj, ka thënë se për të “motërzimi është edhe lidhja e kontakteve midis poeteve të reja me ato me përvojë të gjatë”. Poezi kanë lexuar edhe poetet e tjera të pranishme.