Kulturë

Poezia për luftën dhe vuajtjen e Kosovës flet finlandisht

Shtëpia botuese “Kulttuuritarha” në Helsinki e ka bërë poezinë shqipe nga Kosova të flasë për të parën herë në gjuhën finlandeze me “Musta sade” të Sali Bashotës

Shtëpia botuese “Kulttuuritarha” në Helsinki e ka bërë poezinë shqipe nga Kosova të flasë për të parën herë në gjuhën finlandeze me “Musta sade” të Sali Bashotës

“Musta sade” për “Shiu i zi” është përmbledhje me poezi e Sali Bashotës e botuar në gjuhën finlandeze”. “Jam shumë i nderuar dhe i respektuar që poezia ime edhe në gjuhën finlandeze do të ketë lexuesit e vet. Interesimi i shtëpisë botuese ka qenë që të botojë një autor nga Kosova për herë të parë në gjuhën finlandeze. Janë poezi që e kanë për temë luftën dhe dhimbjen njerëzore e kombëtare. Janë disa tema që u kanë interesuar botuesit dhe përkthyesit”, ka thënë Bashota

Rrëfimi për luftën e vuajtjen e Kosovës rimon finlandisht nëpërmjet poezisë së poetit e studiuesit Sali Bashota. Përmbledhja me poezi “Shiu i zi” e përkthyer nga Muharrem Miftari, nga e enjtja mund të lexohet edhe në Finlandë. Shtëpia botuese “Kulttuuritarha” në Helsinki e ka bërë poezinë shqipe nga Kosova të flasë për të parën herë në këtë gjuhë. “Musta sade” – siç titulli në finlandisht – është një lloj koleksioni poezish të përzgjedhura nga opusi i Bashotës. Veprat e tij “Dalje nga trishtimi” i vitit 1999, “Bukuri e nëmur” i 2006-s e “Dorëshkrimi i ngjallur” i 2011-s janë ndër ato që e ndërtojnë rrëfimin e botimit.

Bashota, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ka thënë se për të si krijues është kënaqësi e veçantë kur përkthehet krijimtaria e tij letrare.

“Poezia në gjuhë kuptohet njësoj. E ka ndjeshmërinë, kënaqësinë estetike dhe shumë mundësi të tjera që artikulohen brenda artit poetik. Kësaj radhe edhe botimi i librit tim ka dalë dje nga shtypi. Është kënaqësi për mua si poet, i cili përpiqem që ndjenjat, mendimet, preokupimet, shqetësimet e mia t’i paraqes në formën time përmes, stilit, gjuhës, figuracionit dhe elementeve të tjera që e përbëjnë një kuptim të artit tim poetik”, ka thënë Bashota.

Ka bërë të ditur se shtëpia botuese në Helsinki ishte vendosur për të botuar për të parën herë një autor nga Kosova. Është shprehur i nderuar që ky autor ka qenë ai.

“Jam shumë i nderuar dhe i respektuar që poezia ime edhe në gjuhën finlandeze do të ketë lexuesit e vet. Interesimi i shtëpisë botuese ka qenë që të botojë një autor nga Kosova për herë të parë në gjuhën finlandeze. Janë poezi që e kanë për temë luftën dhe dhimbjen njerëzore e kombëtare. Janë disa tema që u kanë interesuar botuesit dhe përkthyesit”, ka thënë Bashota.

Për shkak të stilit të shkrimit e figuracionit që e karakterizojnë poezinë si gjini letrare, përkthimi i saj në një tjetër gjuhë ka edhe sfida.

Poezitë janë përzgjedhur nga shtëpia botuese dhe, siç bën të ditur autori Bashota, trajtojnë tema nga lufta, dashuria dhe jo vetëm.

“Temat që kam trajtuar, sidomos tema e luftës, e dhimbjes, dashurisë, por edhe tema të tjera, që në një mënyrë a tjetër e paraqesin realitetin ose ambientin e Kosovës, përkthyesit i kanë pëlqyer si i kam artikuluar këto ide, ndjenja, botëkuptime, stilin dhe mënyrën e të shkruarit. Pastaj ka qenë i interesuar të botojë librin dhe natyrisht interesimi i botuesit është të promovojnë në Helsinki librin dhe natyrisht të krijohet një lloj debati në lidhje me përmbajtjen, mesazhin e librit”, ka thënë ai në një bisedë për KOHËN.

Ka shtuar se aty janë edhe vuajtjet e poetëve.

“Edhe në Kosovë me librin kuptohet fati i Kosovës dhe jeta e poetëve që para lufte janë ballafaquar edhe me ekzistencën e tyre për mënyrën sesi kanë paraqitur idetë e tyre”, ka thënë më tej Bashota.

“Nga zemra duhet të dalë një fjalë që prek zemrën!” titullohet parathënia e librit e shkruar nga shkrimtari iranian Kiamars Baghbani, që jeton e vepron në Helsinki. Ai thekson vështirësitë e përkthimit të poezisë.

“Shumëkush e konsideron të pamundur përkthimin e poezisë. Megjithatë, poezitë e poetëve të njohur botërorë janë përkthyer në gjuhë të tjera dhe vazhdojnë të përkthehen. Pa dyshim, aftësia e përkthyesit për të kuptuar poezinë në gjuhën burimore dhe zotërimi i tij i gjuhës së synuar ndikojnë shumë në cilësinë e rezultatit. Ndonjëherë distanca midis gjuhëve dhe, sigurisht, kulturave e vështirëson përkthimin e poezisë”, shkruhet në parathënie.

Por vlerëson se përmbledhja poetike “Musta Sade” është përkthyer me mjeshtëri.

“Poeti ka referenca historike në shprehjen e tij. Kujtesa historike e kombeve ruan mirë momentet e hidhura dhe të ëmbla, edhe pse mund të mos i ketë shfaqur ato për një kohë të gjatë. Ndonjëherë në lajme shohim çfarë ndodh në ndonjë cep të botës. Është mirë të reflektojmë si poeti për arsyet e konflikteve dhe rrënjëve historike”, shkruan shkrimtari Kiamars Baghbani.

Kjo parathënie është edhe analizë e poezisë së Bashotës.

“Gjuha e poetit të njohur shpreh gjithashtu dhimbjen historike. Poeti nis të flasë në poezi për dashurinë, por në fund ajo arrin te shprehja e vdekjes, si në poezinë ‘Guri i dashurisë’”, ka shkruar Baghbani për njërin fragment të veprës së përkthyer të Sali Bashotës, autor i veprave me poezi, prozë poetike, studime për letërsinë dhe kritikë letrare. Është përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës dhe është përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij janë promovuar në festivale ndërkombëtare të poezisë, si dhe është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Veprat e tij kryesore janë: “Albumi i grisur” (1986), “Kuteli, prozator, poet, kritik” (1999), “Dalje nga trishtimi” (1999), “Bukuri e nëmur” (2006), “Dorëshkrimi i ngjallur” (2011), “Në fillim ishte Drita” (2017), “Lutja e parë e shpirtit” (2020), “Proza e filleve të modernitetit” (2006), “Enigma e shkrimit” (2018) e të tjera.  Veprat e tij gjithashtu janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Midis tyre janë “Exilul Sufletului” (2004), “Schalte das magische Licht ein” (2004), “Only Death is White” (2005), “När himlen tystnar” (2012), “Allume la lumière magique” (2012), “Il gioco delle foglio” (2015), “Laŝtono de la amo” (2017) e “Shispering Agony” (2020).