Procesi pesëmujor për zgjedhjen e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me një kapitull dështimi është drejt përmbylljes. E vetmja që kishte kaluar testin me shkrim qe Blerina Rogova-Gaxha, si e vetmja kandidate midis 13 vetave që ka arritur deri tek intervistimi për këtë pozitë. Ajo është poete, eseiste dhe studiuese e letërsisë, njëherësh doktore në shkencat filologjike
Studiuesja e letërsisë dhe poetja Blerina Rogova-Gaxha pritet që të zyrtarizohet si drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ajo është e vetmja kandidate midis 13 vetave që ka arritur deri tek intervistimi për këtë pozitë dhe rrjedhimisht del të jetë më e vlerësuara. Intervistimi nga Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është bërë të enjten, përderisa pritet që Ministria e Kulturës të dalë me njoftim zyrtar.
Fiks 13 veta kanë konkurruar në konkursin e fundit. Por, ajo që në gjuhën administrative është “verifikim paraprak” ka bërë që veç 11 prej tyre t’i plotësojnë kushtet për t’i vazhduar procedurat e tjera të rekrutimit në shërbimin publik.
E vetmja që e kishte kaluar testin me shkrim qe Blerina Rogova - Gaxha. Pragu ishte 50 pikë.
“Sot e kemi pasur intervistimin. Nuk është zyrtarizuar ende” , ka thënë të enjten mbrëma Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të BKK-së, i pyetur për finalizimin e procesit.
Blerina Rogova-Gaxha ka thënë se nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve të KOHËS pasi ende nuk e ka një vendim të nënshkruar apo të publikuar.
“Kur këto të përfundojnë sipas procedurave të Ministrisë, ju përgjigjem menjëherë”, ka thënë ajo të enjten në mbrëmje.
Blerina Rogova-Gaxha, e lindur në Gjakovë më 1982, është poete, eseiste dhe studiuese e letërsisë, njëherësh doktore në shkencat filologjike. Sipas biografisë së saj publikuar te PEN-Qendra e Kosovës, ajo është laureate e çmimit ndërkombëtar për letërsinë “Crystal Vilenica Award” në Slloveni, 2015, dhe e Çmimit kombëtar për veprën më të mirë në poezi në vitin 2020. “Autorja ka pasur prezantime të shumta në festivalet e letërsisë dhe në panairet e librit në Gjermani, Austri, Zvicër, Kroaci, Slloveni, Irlandë, Maqedoni, etj. Shkrimtare mysafire në rezidencat ndërkombëtare të shkrimtarëve në Vjenë, Split dhe Novo Mesto”, shkruhet në biografi. Sipas biografisë, poezitë dhe esetë i janë përkthyer e botuar në disa gjuhë të huaja. Pos disa vëllimeve poetike, ajo është edhe autore e monografisë “Vdekja në letërsinë moderne shqipe: Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli” dhe e veprës “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-1999 në letërsinë shqipe në Kosovë”.
Në konkursin e fundit kriteret për të vazhduar me procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të BKK-së i kishin plotësuar: Murteza Osdautaj, Izet Çelaj, Rushit Jeta, Akif Shkreta, Bukurije Haliti, Blerina Rogova-Gaxha, Lulzim Nika, Gjon Berisha, Ismail Gagica, Sylë Ukshini dhe Imer Hakaj. Emrat e dy kandidatëve që nuk janë kualifikuar nuk janë bërë publikë.
Konkursi paraprak kishte prodhuar diçka të paparë. Prej 13 konkurrentëve 7 kishin hyrë në testin me shkrim, asnjëri nuk kishte kaluar.
Blerina Rogova-Gaxha, Bukurije Haliti, Defrim Gashi, Fazli Gajraku, Gjon Berisha, Murteza Osdautaj, Qazim Azizi, Samir Sallahu, Shefqet Gjocaj e Shukrije Rama kanë qenë dhjetë kandidatët të cilët, sipas “njoftimit për verifikim paraprak” të datës 21 mars, i kishin “plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tej”. Akif Shkreta, Flamur Maloku e Ismail Gagica ishin refuzuar. Konkursi ishte hapur prej 9 shkurtit deri më 9 mars. Defrim Gashi, Murteza Osdautaj dhe Samir Sallahu nuk kishin shkuar në test.
“Konkursi është anuluar, sepse asnjëri nga kandidatët nuk i ka arritur pikët”, kishte thënë Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Testi kishte pasur 70 pikë. Kandidatët duhet të kenë së paku 50 që ta kalojnë atë.
“Pyetje nga letërsia dhe juridiku. Po ashtu edhe drejtshkrim”, kishte thënë njëri prej kandidatëve. “Ka pasur detyra për ndreqje gabimesh drejtshkrimore e përdorim fjalësh në fjali. Njëra prej pyetjeve ka qenë se cili është libri i parë i regjistruar në Bibliotekë me tri opsione: ‘Meshari’ i Buzukut, ‘Çeta e profetëve’ e Bogdanit, ‘Historia e Skënderbeut’ e Barletit”, kishte ilustruar kandidati, i cili nuk kishte pranuar ta komentonte procesin.
Këshilli Drejtues, sipas Ligjit për Bibliotekat, zgjedh dhe shkarkon drejtorin. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, drejtori i Bibliotekës Universitare dhe drejtori i Bibliotekës Komunale duhet të ketë së paku diplomë universitare. Mandati i drejtorit është katërvjeçar (4) me mundësi të rizgjedhjes”, shkruhet në nenin 11 të Ligjit. Në këtë ligj, sikurse edhe në Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë të Punës, në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në Statutin e BKK-së ishte hapur edhe konkursi.
“Diplomë universitare në: Fakulteti i Arteve, Fakulteti Filologjik, Fakulteti Filozofik, së paku gjashtë (6) vjet përvojë pune profesionale, përfshirë së paku tre (3) vjet në pozita drejtuese”, është kriteri i parë te “Shkollimi i kërkuar, përvoja, aftësitë dhe karakteristikat personale”. Mandati është katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje.
“Udhëheq, organizon dhe mbikëqyr veprimtarinë dhe funksionimin e Bibliotekës, ia propozon Këshillit Drejtues planin vjetor dhe planin financiar; Për punën e tij i raporton dhe i përgjigjet Këshillit Drejtues. Merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Drejtues pa të drejtë vote; Përfaqëson Bibliotekën brenda dhe jashtë vendit; Ushtron detyra dhe autorizime të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi”, janë gjashtë prej dymbëdhjetë “detyrave dhe përgjegjësive” të përcaktuara edhe me konkurs.
Fazli Gajraku për tetë vjet ka qenë drejtor i BKK-së. Ia kishte mësyrë edhe një mandati pasi i kishte skaduar i dyti më 25 mars të këtij viti. S’e kishte kaluar testin.
Ngjashëm sa u përket pozitave në institucione kulturore ka qenë edhe Shefqet Gjocaj, i cili për dy mandate ka qenë drejtor i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”.