Kulturë

Piktura milionëshe e vjedhur e Francis Bacon gjendet në Spanjë

Pikturë e Francis Bacon

Piktura e rikuperuar është një nga pesë portretet e bankierit spanjoll José Capelo që vlejnë gjithsej 25 milionë euro (27.1 milionë dollarë). Pikturat u vodhën nëntë vjet më parë, që besohet të jetë vjedhja më e madhe në historinë spanjolle

Një pikturë nga artisti Francis Bacon që u vodh në vitin 2015 është gjetur në Madrid nga policia spanjolle.

Piktura e rikuperuar është një nga pesë portretet e bankierit spanjoll José Capelo që vlejnë gjithsej 25 milionë euro (27.1 milionë dollarë). Pikturat u vodhën nëntë vjet më parë, që besohet të jetë vjedhja më e madhe në historinë spanjolle.

Tri nga pesë pikturat e vjedhura u gjetën në vitin 2017. Përgjatë nëntë vjetësh janë arrestuar 16 persona, përfshirë edhe atë që mendohet se ka orkestruar krimin. Autoritetet janë ende në kërkim të një pjese të mbetur të veprave. 

“Po vazhdojnë hetimet për lokalizimin e punës së mbetur dhe të arrestojmë ata që e kanë në zotërim, me fokus në shtetasit spanjollë të lidhur me grupe të organizuara nga Evropa Lindore”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga policia spanjolle.

Bacon është një nga piktorët më me ndikim të shekullit të 20-të. Puna e tij ka arritur shuma të pabesueshme në ankand, me tre studimet e tij triptike të Lucian Freud (1969) duke shitur për më shumë se 142 milionë dollarë në “Christie's” në New York në vitin 2013. Në atë kohë, ishte piktura më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë. Kohët e fundit, në “Sotheby's” New York në maj të vitit të kaluar, piktura e tij “Portrait of George Dyer Crouching” e vitit 1966 u shit për 27.7 milionë dollarë.

Piktori Bacon u lind në Irlandë. Njihet për imazhet e tij të papërpunuara dhe të turbullta. Duke u fokusuar në formën njerëzore, subjektet e tij përfshinin kryqëzime, portrete të papëve, autoportret dhe portrete të miqve të ngushtë, me figura abstrakte ndonjëherë të izoluara në struktura gjeometrike. Duke hedhur poshtë klasifikime të ndryshme të veprës së tij, ai ndërtoi reputacion si një nga gjigantët e artit bashkëkohor me stilin e tij unik. 

Që nga vdekja e tij, më 1992, reputacioni i Baconit është rritur vazhdimisht dhe vepra e tij është ndër më të vlerësuarat, më të shtrenjtat dhe më të kërkuarat në tregun e artit. Në fund të viteve ‘90, një numër veprash të mëdha, që supozoheshin se ishin shkatërruar, duke përfshirë pikturat e papës në fillim të viteve ‘50 dhe portretet e viteve ‘60, u rishfaqën me  çmime rekord në ankand.