Për pianistin e njohur italian, Nazareno Ferruggio, epoka e barokut është më e bukura, hyjnore, e lidh universin, muzikën kozmike. “Ndiej kënaqësi, duke e luajtur këtë muzikë”, ka thënë ai pas koncertit në natën e dytë të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Me tinguj hyjnorë e kozmikë ai e ka veshur Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve me sonatat e Domenico Scarlattit të cilat, sipas kritikës, kërkojnë teknikë të jashtëzakonshme në interpretim. E Ferruggio shquhet jo vetëm për lojën mjeshtërore
Në dëgjim, mozaiku me sonatat e italianit Domenico Scarlatti tingëllon rrugëtim i lumtur muzikor e melankolik. Pianisti italian Nazareno Ferruggio ka mbërthyer ansamble tingujsh në dhjetë sonata të kompozitorit të shquar dhe një nokturnë të Chopinit. “Kronikë e sonatave” ka qenë faqja e dytë e kapitullit të 19-të të Festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM” që është shpalosur në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
Për festivalin “DAM” dhe për çdo ngjarje kulturore të mundshme, hapësira është sfida kryesore. Muzikantë me nam në botë interpretojnë në salla pa skenë, pa akustikë të duhur, ku ndarja midis publikut e solistit në skenë është formalitet e improvizim. Imazhi duket dëshpërues, ndonëse entuziazmi dhe pasioni i publikut për secilin protagonist të ngjarjes është kryefjala.
Në mbrëmjen e dytë të “DAM”-it, pianisti Nazareno Ferruggio ka interpretuar në pianon modeste, në të njëjtën dysheme ku publiku qëndron disa metra lart tij, ku muret e sheshta të sallës janë mbuluar me perde të zeza. Megjithatë, shenjat e festivalit dhe dritat me ngjyra e kanë bërë më atraktive. Dritat janë ndalur dhe një e vetme e ka ndriçuar pozicionin e Ferruggios. Organizatorët marrin mundin që krejt këto t’i mbulojnë me dekore, por imazhi i Ateliesë është i largët me një sallë të thjeshtë koncertale.
Gjithsesi kjo nuk e ndalon jetën kulturore në Prishtinë, e as festivalin “DAM”. Të enjten mbrëma, koncerti i dytë i këtij edicioni ka sjellë kryevepra nga repertori i muzikës klasike të epokës së barokut e romantizmit.
Seria e sonatave ka qenë e para në repertor. Janë dhjetë të tilla që mbajnë vulën e kompozitorit Domenico Scarlatti. Jo rastësisht, pasi misioni i Ferruggios është të sjellë kulturën italiane kudo që interpreton, ndonëse muzika italiane përqafohet në gjithë botën e muzikës klasike.
Titulli “Kronikë e sonatave” mbërthen dhjetë të tilla. Ferruggio ka interpretuar “Sonata K. 380” “Sonata K. 64 ‘Gavotta’”, “Sonata K.159”, “Sonata K. 20”, “Sonata K.9”, “Sonata K.438”, “Sonata K. 141 ‘Toccata’”, “Sonata K. 531”, “Sonata K. 466” dhe “Sonata K. 1”.

Pianisti Nazareno Ferruggio i ka sjellë ato mjeshtërisht. I konsideron hyjnore këto vepra.
“Po mundohem të sjell muzikën italiane. I luaj shumë sonatat e Scarlattit, kompozitorit nga Napoli dhe mendoj se epoka e barokut është më e bukura, hyjnore, e lidhin universin, muzikën kozmike, ndiej kënaqësi duke e luajtur këtë muzikë”, ka thënë Ferruggio, i cili i ka konsideruar ato më ritmike për dallim nga kompozitorët e tjerë.
“Shumë prej sonatave nga Scarlatti janë shumë instrumentale, për dallim nga Bachu që shkruante muzikë vokaliste. Mendoj se muzika është më shumë si vallëzim, ka strukturë ritmike. I jep interpretuesit mundësi t’i japë veprës ngjyra të ndryshme dinamike”, ka thënë pianisti Nazareno Ferruggio.
Sonatat tingëllojnë të ngjashme midis njëra-tjetrës. Duket se përbëhen nga sesione të përafërta tingujsh të cilat përsëriten brenda sonatave. Kryesisht kanë hyrje të lehtë dhe temp të ngadalshëm. Meloditë ritmike dhe të lumtura nuk kanë kthesa të papritura, por zhvillohen në drejtimin me të cilin nisin. Rrallë ngjan që tingujt të trazohen e të bëhen të paqartë. Në këto raste janë tingujt në qendër që vijnë të definuar e të lehtë.
Për pianistin është hera e parë që interpreton në Prishtinë. Ka thënë se e ka shijuar këtë moment.
“Për mua është hera e parë që performoj këtu dhe vërtet e kam shijuar fillimisht koncertin, e më pas, edhe pse nuk kisha shumë kohë ta vizitoja qytetin, por e kam shijuar ushqimin e shijshëm këtu dhe shoqërinë me njerëz të mirë. Sonte koncerti mendoj se ishte i suksesshëm dhe jam shumë e lumtur”, ka thënë më tej Ferruggio, i cili konsiderohet pianist i rafinuar italian.
U diplomua me rezultate të shkëlqyera në konservatorin “Niccolo Piccinni” në Bari. Pas studimeve pasuniversitare në Mannheim dhe Bern, ai ndoqi masterklasë me figura të dalluara. Ka performuar në të gjitha kontinentet dhe ka debutuar në “Carnegie Hall” në vitin 2006. Është fitues i tetëmbëdhjetë çmimeve të para në konkurse kombëtare e ndërkombëtare si dhe ka luajtur me orkestra shtetërore të vendeve të ndryshme.
Ai gjithashtu ka bërë një turne të gjerë në Indonezi, ku mbajti masterklasa. Së fundi ka realizuar një turne koncertesh në Afrikën e Jugut.
Në Prishtinë, ka luajtur edhe “Nocturne in B-flat minor, op.9, No.1” nga Frederic Chopin ndërsa krejt në fund të koncertit, në bis ka interpretuar një pjesë nga kompozitori francez Eric Satie dhe një etyd nga finlandezi Jean Sibelius.

Bashkëthemeluesja e festivalit “DAM”, Rreze Kryeziu-Breznica, ka thënë se ai ka zbatuar programin me vepra që kërkojnë shkathtësi e që kanë kërkesa teknike.
“E konsiderojmë të suksesshëm koncertin marrë parasysh reagimin që e jep audienca jonë tashmë me një shije të kompletuar do të thosha sa i përket ndjekjes së aktiviteteve të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me muzikën klasike apo profesionale siç e njohim ne. Sonte kishim kënaqësi të kemi një nga pianistët e dalluar italianë i cili erdhi me një program mjaft të vështirë sa u përket kërkesave teknike siç janë sonatat e Scarlattit, kompozitorit të barokut të vonshëm”, ka thënë ajo.
Muzikologia Kryeziu-Breznica i ka vlerësuar sonatat e Scarlattit të cilat janë luajtur të enjten mbrëma si novatore dhe se të rrallë janë muzikantët që zgjedhin të luajnë një numër të konsiderueshëm nga ky repertor.
“Janë sonata që njihen për sjelljen e inovacionit qoftë në kërkesa teknike në interpretimin e tyre dhe në të njëjtën kohë edhe për strukturën e veçantë që ato bartin më vete. Të realizuara mjaft mirë, mjeshtërisht, të rrallë janë edhe në ditët e sotme dhe që nga shekulli XVIII performuesit të cilët zgjedhin të luajnë në një koncert të vetëm një numër të konsiderueshëm të sonatave të tij, shpeshherë edhe më shumë sesa dhjetë të cilët i solli sot Nazzareno”, ka thënë ajo më tej.
Kompozitori Memli Kelmendi e ka vlerësuar repertorin të bukur e interesant.
“Një koncert shumë i bukur, shumë i lezetshëm të cilin të them të drejtën, bash e shijova. Programi ishte tepër interesant me pjesët e Domenico Scarlattit, pastaj pjesa e Chopinit, por edhe biset ishin të bukur, veçanërisht Erik Satie. Një program interesant, që përmban stil të veçantë të interpretimit. Më pëlqeu shumë pianisti dhe dua të përgëzoj organizatorët, stafin e festivalit ‘DAM’ që çdoherë e mban në frymë dhe krijon motiv shtesë edhe për një artist tjetër”, ka thënë Kelmendi.
Sopranoja Adelina Paloja ka thënë se në dy mbrëmjet muzikore është sjellë fryma muzikore me të cilën shquhet festivali “DAM”. Theksin e ka vënë në kushtet në të cilat mbahet ky festival.
“Jam e lumtur që kjo po ndodh në Prishtinë dhe publikut po i sillet në qendër një nivel i artistëve ndërkombëtarë që po vijnë të interpretojnë. Dihet, po duhet të improvizojmë në këto sallat tona të cilat as për së afërmi nuk e përmbushin atë se ku janë mësuar këta artistë të performojnë në botë. Është momenti i fundit dhe një reflektim serioz duhet të bëhet që sa më shpejt t’u ofrohet komoditeti këtyre emrave të mëdhenj që vijnë në Kosovë”, ka thënë Paloja.
Të premten mbrëma, harpistja Bujana Ameti dhe kitaristi Urim Maliqi kanë interpretuar në qendrën “Barabar” në koncertin “Generation Next” të festivalit, kushtuar gjeneratës së re të muzikantëve.