Kulturë

“Pianisti i Ri” midis pasionit dhe zbulimit të talenteve

Emanuel Turhani

Emanuel Turhani nga Shqipëria ka marrë çmimin kryesor “Pianisti i Ri”

Maratona treditore e festivalit “Pianisti i Ri” ka sjellë 140 pianistë të rinj. Ka kulmuar me ndarjen e çmimeve. “Pianisti i Ri” është shpallur Emanuel Turhani nga Shqipëria, i cili në mot do të luajë me Filharmoninë e Kosovës. Një “shpërblim” si ky, përtej çmimeve, dëshmon se “Pianisti i Ri” harmonizon pasionin me zbulimin e talenteve të reja dhe hapjet e dyerve për një gjeneratë të re pianistësh

Në vitin 2008, pianistët vendorë në shoqatën “Bell'Arte Kosova” do të bashkoheshin për një nismë e cila vinte si vazhdimësi e “Takimeve të talenteve të Kosovës”, që organizoheshin në qytetin e Mitrovicës nga kompozitori tashmë i ndjerë, Fahri Beqiri. Si formacione fillestare këto ngjarje u kushtoheshin seksioneve të ndryshme të muzikës klasike, por festivali “Pianisti i Ri” kishte filluar si hapësirë ekskluzive kushtuar pianos dhe talenteve të reja. 

Ky edicion i 16-të për tri ditë ofroi për pjesëmarrësit hapësirë për avancim në piano në bashkëpunim me jurinë krahas karakterit garues që e shënjon motivin e kësaj gare. Nata finale të mërkurën mbrëma u finalizua edhe me ceremoninë e ndarjes së çmimeve pas 19 performancave të njëpasnjëshme të cilat nisën nga kategoria “A1”, e cila përkonte me grupmoshën nga 4 deri në 6 vjet e deri te kategoria “E” me moshat 19 dhe 20 vjeç. Secili nga pjesëmarrësit ka pasur lirinë të zgjedhë se me çfarë pjese do të prezantohet, e krejt mbrëmja ka qenë një repertor epokash e stilesh të ndryshme prej klasikëve botërorë e deri te veprat shqiptare si “Valle e xhuxhave” nga Tonin Harapi.

Emanuel Turhani nga Shqipëria ka marrë çmimin kryesor “Pianisti i Ri”. Bashkë me këtë vlerësim Turhani do të ketë mundësinë të performojë vitin që vjen në “DAM Festival”, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës. 

Çmimin e parë e ka marrë Klaudia Gjini nga Shqipëria, përderisa të dytin Yll Haliti e të tretin Lir Hajrizi, që të dy nga Kosova. Yll Haliti gjithashtu tok me çmimin e dytë u shpërblye dhe me çmimin “Gjiroclassica”, që ndahet nga Kristina Petrollari-Laco, anëtare e jurisë dhe pjesëtare e kryesisë së festivalit të muzikës klasike në Gjirokastër, “Gjiroclassica”. Për herë të parë në festival u nda dhe një çmim nga shkolla e muzikës në Prishtinë “Prenk Jakova”, për Orajën Popa, nga drejtoresha e shkollës Jeta Dida-Bujari.

Nata finale të mërkurën mbrëma u finalizua edhe me ceremoninë e ndarjes së çmimeve pas 19 performancave të njëpasnjëshme të cilat nisën nga kategoria “A1”, e cila përkonte me grupmoshën nga 4 deri në 6 vjet e deri te kategoria “E” me moshat 19 dhe 20 vjeç

Me traditë të konsoliduar tashmë, për çmimin “Pianisti i Ri” kanë garuar 140 garues, të ndarë në 11 kategori sipas grupmoshave. Kanë dominuar garues nga Kosova e Shqipëria, por nuk mungoi dhe pjesëmarrja nga vendet si Turqia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Këtë festival e vlerësoi si një mundësi të mirë dhe të nevojshme për talentet e reja në piano kompozitori Valton Beqiri, i cili njëherësh ndau dhe çmimin stimulues “Fahri Beqiri” për Diell Pashën, pjesëmarrësi më i ri në këtë edicion, i cili fitoi simpatinë e të gjithëve me pasionin e treguar gjatë performancës së tij me “Tarantella” të Burgmüller. 

“Realisht mendoj që instrumentistët e rinj e kanë ndoshta një motiv shtesë që të merren në vazhdimësi me muzikën, sepse këto i motivojnë posaçërisht ata që fitojnë çmime, edhe pse çmimet nuk janë relevante, me rëndësi është pjesëmarrja, rrjetëzimi, të dëgjojnë njeri-tjetrin, të shohin konkurrencën e tyre, dhe natyrisht kjo i motivon ata që t’i përkushtohen muzikës. Kështu ky festival përmbush misionin e tij të zbulimit të talenteve përveç garës, të cilët më vonë marrin pjesë në koncerte e recitale të ndryshme nëpër botë”, ka thënë Beqiri, duke shtuar se këtë festival e sheh si trashëgimtare të iniciativave të ngjashme të dekadave të mëhershme në Kosovë. 

Për Vlora Barutin, drejtoreshë e Festivalit, ky vit përtej sfidave ka qenë i veçantë për nga simbolika, pasi që i është kushtuar dhe 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, por edhe një date tjetër të veçantë. 
“Këtë vit kemi menduar të jemi me dedikim për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, edhe si festë e shtetit, edhe si festë e pianistit të ri. Kemi pasur një datë të caktuar që është mbajtur në qershor festivali, por këtë vit kemi vendosur të nisë më 25 mars dhe të mbarojë më 28 mars, pikërisht në ditën kur festohet Dita Ndërkombëtare e Pianos”, ka thënë Baruti. 

Juria e përbërë nga tri profesioniste të fushës si pianistja nga Kosova, Lule Elezi kryetare, Nadjezhda Porodini Jole dhe Kristina Petrollari-Laço nga Shqipëria, kishin punuar me konkurrentët gjatë ditëve të festivalit duke kaluar nëpër disa faza vlerësuese.

Për pianisten Lule Elezi, ky festival përtej karakterit garues paraqet një pasqyrë të entuziazmit të të rinjve për pianon. 

“Ka qenë vërtet një maratonë e bukur pianistike. Së bashku me dy koleget e mia në juri nuk e kishim aspak të lehtë, kanë qenë talente të mrekullueshme dhe besoj shumë në të ardhmen e tyre. Është dashur t’i vlerësojmë disi dhe mendoj që kemi punuar me shumë përkushtim në këtë drejtim”, ka thënë Elezi. 

Nadjezhda Porodini-Jole, e cila kishte qenë pjesë e jurisë Edhe në edicionin e 15-të të festivalit, e ka vlerësuar këtë edicion për nga aspekti profesional dhe talenti i fëmijëve pjesëmarrës. 

“Jam e lumtur që jam pjesë e kësaj jurie për herë të dytë, isha edhe në edicionin e 15-të para dy vjetësh, dhe kam kënaqësi të madhe të kthehem që të shoh një ndryshim të mrekullueshëm, një pjesëmarrje fantastike, një punë serioze dhe kualitative. Një lojë shumë të bukur të nxënësve që asnjëherë nuk bëhet vetëm, por bëhet nën drejtimin e mësuesve të tyre”, është shprehur Porodini-Jole.