Aty ku prej pranverës së sivjetme ka pikturuar qiellin me “Abetare”, Petrit Halilaj tash i shndërron në skulptura e piktura bankat shkollore të Kosovës. Me to zbërthen ëndrrat. “Abetare (Klasa Zhurmëtare)” është titulli i ekspozitës së hapur të enjten mbrëma. “Për herë të parë bankat nga shkolla të ndryshme bashkohen e krijojnë një formë jo në dysheme, por nëpër mure të galerisë”, ka thënë ai për KOHËN pak para hapjes solemne të ekspozitës ku ai ka pasur edhe një befasi për vizitorët
Kur Petrit Halilajt ia prek diçka atë dellin krijues, ai nuk ndalet. Ka arritur në qiejt në New Yorkut në këtë pranverë me ëndrra, dëshira e dëshpërime nxënësish nga Kosova. Vizatimet e tyre në bankat shkollore i ka kthyer në forma të ndryshme skulpturore. Me “Abetare” vazhdon të mbajë të pushtuar qiellin e kësaj kryeqendre, nga tarraca e njërit prej institucioneve më prestigjioze të artit në botë – Muzeut Metropolitan. Tash në New York ka dërguar edhe një klasë. “Abetare (Klasa Zhurmëtare)” është titulli i ekspozitës personale në galerinë “Kurimanzutto”. Titulli i ekspozitës përmend librin në të cilin fëmijët mësojnë shkronjat në klasën e parë e po ashtu titullin e një tregimi brenda tij.
Tash ndërron hesapi. Bankat i ka bashkuar në mure duke formuar skulptura. Mund të ngjajnë edhe me piktura ku filloristët shpërfaqin botën e tyre. Për Halilajn krejt këto janë artefakte qysh prej vitit 2012, kur derisa po rrënohej shkolla në fshatin e tij, Runik të Skenderajt, mblodhi banka për të arkivuar histori të treguara sinqerisht nga fëmijët nëpërmjet “shkarravinave”.
“Në galerinë ‘Kurimanzutto’ Halilaj rikrijon një klasë shkollore, ku skulpturat reflektojnë mbi gjuhën, rininë dhe komunitetin në kontekstin e historisë së Kosovës, si dhe fuqinë e fantazisë për ta tejkaluar një mësim të mërzitshëm shkolle ose kërcënimin e luftës”, ka bërë të ditur galeria që zë fill prej viteve ’90 dhe tash ka qendra në disa qytete botërore.

Sipas galerisë, “Klasa zhurmëtare” shënon një moment të ri në artikulimin artistik të Halilajt.
“Kjo është hera e parë që bankat shfaqen si objekte skulpturore të varura në mur. Më parë bankat ishin elemente të integruara në instalacione më të mëdha, por asnjëherë nuk janë kombinuar dhe modifikuar për t’u bërë vepra të pavarura arti”, shkruhet në njoftim. Aty përmendet se Halilaj ka thënë se “për ‘Klasën Zhurmëtare’ është rikthyer te rrënjët” dhe kjo pasqyrohet në vetë hapësirën e galerisë, e cila është transformuar në një klasë tradicionale frymëzuar nga kujtimet dhe përvojat personale të artistit.
“Për dallim nga klasat e zakonshme, Halilaj mbush muret me banka të shkollave të vizatuara nga fëmijët. Nga larg ato duken si piktura minimaliste, por në vështrim më të afërt vizatimet dhe skicat e fëmijëve bëhen të dukshme mbi sipërfaqet e drurit”, bën të ditur galeria e themeluar nga treshja Mónica Manzutto, José Kuri dhe Gabriel Orozco.
Pak para hapjes së ekspozitës në mbrëmjen e së enjtes, Halilaj i ka thënë KOHËS se “Klasa Zhurmëtare” nga “Abetare” është ekspozita e parë personale në galerinë “Kurimanzutto”, e cila sjell në New York bankat shkollore të një klase. Sipas tij, kjo ekspozitë e vazhdon apo e plotëson projektin që ende është prezent në tarracën e Muzeut Metropolitan.

“Për herë të parë bankat nga shkolla të ndryshme bashkohen e krijojnë një formë jo në dysheme, por nëpër mure të galerisë. Duken sikur i referohen e bisedojnë me referenca historike të pikturës abstrakte në Amerikë e deri te Theaster Gates dhe përdorimi i materialeve nga ai për t’i marrë format e reja si piktura apo skulptura”, ka thënë ai derisa ka përmendur veprat e artistit amerikan i cili njëherësh është profesor i artit në Universitetin e Chicagos. Në hyrje të galerisë ka vendosur edhe një yll, sikurse ata të “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin” mbi hotelin “Grand”, e vetmja vepër si shenjë e bienales nomade “Manifesta 14” në verën e vitit 2022.
“Në harmoni me qytetin e Prishtinës ka një vallëzim të dritës kur dielli të ikë”, ka thënë ai. Ka treguar se shumica e bankave kanë qenë të gjetura nëpër qoshe, nënkulme e bodrume të shkollave.
“Po ashtu një ëndërr që e kam në plan është që për shkollën ‘Shote Galica’ në Runik të krijoj një donacion nga shitja e ndonjë pune në galeri dhe të krijojmë bashkë me fondacionin ‘Hajde’ një program kulturor me nxënësit e shkollës”, ka thënë Halilaj. Në ekspozitën e re ai shkon përtej bankave.
Galeria ka njoftuar se krahas bankave janë edhe skulpturat e njohura prej bronzi nga seria “Abetare”, që përfaqësojnë motive të përsëritura si zemra, shtëpi, yje.

“Së bashku, skulpturat dhe bankat krijojnë një logjikë të veçantë hapësinore: ato luajnë nëpër muret, dyshemenë dhe tavanin e galerisë, duke rikrijuar klasën si një peizazh ëndrrash”, ka njoftuar galeria.
Artisti ka ftuar kuratoren shqiptare Eriola Pira për të organizuar një seri prej tri punëtorish gjatë kohëzgjatjes së ekspozitës, duke aktivizuar klasën si një hapësirë për të përjetuar dhe mishëruar me gjuhën shqipe.
“Përmes aktiviteteve dëgjimore, gojore dhe të bazuara në lëvizje, pjesëmarrësit e të gjitha moshave janë të ftuar të rikrijojnë dhe përjetojnë një kujtim formativ huazuar nga fëmijëria e Halilajt dhe e Pirës në Kosovë dhe Shqipëri. Duke jetuar në diasporë, ky bashkëpunim nderon rolin që intelektualët dhe artistët shqiptarë të diasporës kanë luajtur në themelimin, praktikimin dhe qëndrueshmërinë e gjuhës shqipe gjatë historisë”, ka njoftuar galeria.

Përjetimet, zhgënjimet, shpresat e imagjinata e fëmijëve që dikur jetonin në Kosovë si krahinë të ish-Jugosllavisë e mandej në vitet ’90 nën okupim, tash kanë strehë në galerinë e njohur shitëse.
“Për mua këto banka janë sikur artefaktet e rëndësishme. Mbajnë vite e gjenerata të tëra dhe i tregojnë në gjuhët e folura në shkolla ëndrrat dhe realitetin nëpërmjet vizatimeve. Thjesht, i dua. Kënaqna me humorin që e mbajnë në vete ato vizatime. Janë gjithçka që pres nga një dimension ilegal i shkarravinave”, ka thënë për KOHËN artisti që në hapje të ekspozitës është paraqitur si zog.
Zogjtë e Petrit Halilajt ka kohë që kanë shtegtuar nëpër muze të njohur botërorë. Në Meksiko City ekspozita e tij në muzeun “Tamayo” vjet kishte mbushur hapësirën me zogjtë e Runikut të Kosovës. Emri i fshatit të tij qe edhe titull i ekspozitës së kuruar nga José Esparza Chong Cuy. Por ekspozita e parë e Halilajt në Amerikën Latine nuk përfundoi me kaq. Arti i tij fluturoi edhe në qiellin e dy Amerikave. “Nga Runiku me dashuri” ishte porosia që bartte një avion “Boing 737”. Kishte për ilustrim veprat e artistit nga Kosova. Një pulë ishte ilustruar në të dyja anët e avionit.
Halilaj i lindur më 1986 në Runik të Skenderajt, vazhdimisht përcjell mesazhe paqeje nëpër botë. Veprat e këtij artisti që përfaqësoi Kosovën në debutimin e saj në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia më 2013, janë pazgjidhshmërisht të lidhura me vendlindjen. Çojnë anekënd botës përvoja të luftës dhe nevojën për një tjetër realitet – atë të lirisë.
E kësaj radhe këtë e bën me ëndrrat e fëmijëve. Me ato të kohës së okupimit, luftës e të lirisë.
