Për më shumë se dy vjet prej premierës, shfaqja e cila e portretizon si mohues gjenocidi e mik të Sllobodan Millosheviqit i ka ikur nga radari, por tash, kur është dhënë në Paris ku jeton prej shumë vjetësh, nobelisti austriak, Peter Handke, është zgjuar. Nëpërmjet avokatit të tij, ka kërcënuar me masa ligjore teatrin ku në fundjavë është dhënë “The Handke Projekt” me tekst të Jeton Nezirajt në regji të Blera Nezirajt. Teatrit i është kërkuar ta ndryshojë njoftimin për shfaqjen, e ekipi i saj, letrën e avokatit e ka bërë pjesë të shfaqjes. “Letra e avokatit drejtuar teatrit ku do të luhej shfaqja jonë dhe kërkesa e tij për t’i hequr pjesët ‘inkriminuese’ për Handken, është në të vërtetë vetëm një përpjekje dëshpëruese, për t’ia ‘pastruar e ruajtur’ biografinë, një shkrimtari që, fatkeqësisht, ka qenë i rreshtuar në anën e krimit dhe të kriminelëve”, ka thënë dramaturgu Neziraj
Kontributi i Peter Handkes për dramën “The Handke Project” është i jashtëzakonshëm. Të bëmat e tij janë “përkthyer” në shfaqje. Por nobelisti ka dhënë prapë kontribut duke e pasuruar shfaqjen që është produksion i qendrës “Multimedia”.
Këto ditë “The Handke Project” ka çuar pluhur deri te vetë subjekti që e trajton. Peter Handke si personazh i dramës është mohues i gjenocidit. Reagon ashpër. Por edhe jashtë shfaqjes, vazhdon me të tijën. Shkrimtari austriak, fitues i çmimit “Nobel” për letërsi ka reaguar ndaj portretizimit që i bën shfaqja nga Kosova me autor dramaturgun Jeton Neziraj. Handke ka kërcënuar me masa ligjore institucion teatror ku shfaqja është dhënë shfaqja. Fituesi i çmimit “Nobel” për letërsi më 2019, Peter Handke është aktivizuar duke thënë të mos quhet mohues i gjenocidit. Por edhe reagimi i tij në realitet është bërë pjesë e shfaqjes. Ka ndikuar në pasurimin e projektit teatror.
Peter Handke jeton në periferi të kryeqytetit francez. E në fundjavën e kaluar, shfaqja që ka bërë xhiro thuajse në krejt Evropën, është dhënë edhe afër tij. “Theatre-Studio” në Alfortville të shtunën dhe të dielën qe nikoqir i produksioneve teatrore të “Qendrës Multimedia”, “Kthimi i Karl Majit” dhe “The Handke Project”.
“Theatre-Studio” në platformat e veta kishte lansuar datat e shfaqjeve e po ashtu kishte bërë edhe nga një përshkrim për këto produksione. Krejt kjo ka bërë që avokati i Handkes t’i drejtohet me letër institucionit teatror.
“Dy shfaqje të një drame të titulluar ‘The Handke Project’ janë lansuar në faqen tuaj, por edhe me e-maile dhe padyshim në mjete të tjera. Në këto njoftime bëhet e ditur se shfaqja është ‘një broshurë teatrale, si reagim ndaj çmimit ‘Nobel’ dhënë Peter Handkes – ky i fundit gjithmonë ka mohuar apo minimizuar krimet e Millosheviqit në ish-Jugosllavi’. Kjo e bën Peter Handken një mohues dhe si të tillë dëshmojnë se janë seriozisht shpifëse. Ky i fundit më kërkon t‘ju kujtoj se ‘Nouvel Observateur’ u dënua për shpifje publike ndaj tij, për një artikull që thoshte saktësisht të njëjtën gjë”, shkruhet në letrën e avokatit Luc Brossolet drejtuar drejtorit të “Theatre-Studio”, Christian Benedetti. Avokati në letër ka kërkuar që të rishikohet njoftimi zyrtar për shfaqjen. Si institucion i vogël teatror, duke pasur parasysh se në aspektin ligjor ka dallim nga ajo që shfaqet në skenë dhe njoftimet për media, Tetari ka vendosur që ta revidojë njoftimin, duke e cilësuar Handken si autor të njohur “për veprat e tij të shumta por edhe për qëndrimet e tij polemike”. Stafi i Qendrës “Multimedia” e ka kuptuar Teatrin por nuk e kanë lënë me kaq. Letrën e Handkes e kanë bërë pjesë të shfaqjes.
“Letrën në fjalë ne e kthyem në material teatror. Vendosëm ta lexojmë të plotë, para përfundimit të shfaqjes. Çuditërisht, kjo letër bizare, e bëri shfaqjen tonë edhe më të fuqishme, edhe më aktuale e edhe më bindëse. Prandaj, si asnjëherë më parë, kur aktorët në përmbyllje të shfaqjes thirrën ‘Fuck You Peter Handke’, publiku parisien u bashkua si në kor dhe thërriste bashkë me aktorët. Salla jehoi me këtë thirrje, alla-huliganeske, por të merituar, dhe kjo gjë ishte e mrekullueshme, çliruese…”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj. Kësisoj, Handke e ka pasuruar edhe pak shfaqjes që ia heq maskën atij si mohues i gjenocidit.
“The Handke Project” zhvesh nobelistin si një mohues e mbështetës të gjenocidit të Slobodan Milosheviqit. Shfaqja e dhënë premierë në Prishtinë në qershor të vitit 2022, shkon deri në atë nivel, saqë Handke qëndron mbi një varr dhe nis të shfaqë dyshimet se a bëhet fjalë për një të tillë apo jo. Shfaqja është luajtur në disa qytet evropiane e edhe në Beograd në teatrin “Bitef”.

Në këtë projekt teatror, me pyetjet e tij, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur Masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandës kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë. Ironia shkon deri në atë masë që Handke i ndryshon edhe situatat që bota i ka parë të xhiruara. Si në rastin kur serbët e detyrojnë boshnjakun e quajtur Ramo që ta thërrasë djalin e tij, Nermin, të zbresë nga kodrina “pasi është i sigurt me serbët”. Në shfaqje mësues i tij ideologjik është dora e djathtë e Adolf Hitlerit, shefi i propagandës naziste, Joseph Goebbels.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se ishin pak të befasuar që Handke reagoi tani, pas gati dy vjetësh qëkur e kanë realizuar shfaqjen.
“Megjithatë, duket se ‘radari’ i tij është ndezur duke qenë se shfaqja jonë tash po luhej në Paris, ku ai dhe jeton prej sa vjetësh. Letra e avokatit drejtuar teatrit ku do të luhej shfaqja jonë dhe kërkesa e tij për t’i hequr pjesët ‘inkriminuese’ për Handken, është në të vërtetë vetëm një përpjekje dëshpëruese, për t’ia ‘pastruar e ruajtur’ biografinë, një shkrimtari që, fatkeqësisht, ka qenë i rreshtuar në anën e krimit dhe të kriminelëve. Dhe këtë pozicion të tij, këtë anë të errët të Handkes, s’mund t’ia pastrojë asnjë avokat, fatkeqësisht, as me kërcënime e letra të kësaj natyre”, ka thënë ai.
Sipas Nezirajt, me librat dhe qëndrimet e tija Handke ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish-Jugosllavi. Ka thënë se intervenimet politike të Handkes, “të cilat ai vetë shpesh i quan thjesht si ‘letërsi’, mbajnë erë fashizmi”.
“Në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ‘nuk e di të vërtetën’ dhe se prandaj është ‘këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë’. ‘Vuajtjen’ e serbëve Handke e ka krahasuar me vuajtjen e jahudinjve në kohën e nazizmit”, ka thënë Neziraj.
Sa u përket teatrove të Parisit, historinë me Handken e kanë të njohur. Marcel Bozonnet prej vitit 2001 deri më 2006 ka qenë drejtor i institucionit me nam “Comédie-Française”. Ai më 2006 kishte ardhur në përfundim se shfaqjet që kanë për bazë tekstet e Handkes nuk duhet të zënë vend në institucionin prestigjioz të themeluar më 1680. Bozonnet që në fundjavë ka parë shfaqjen “The Handke Project”, kishte marrë vendim që të ndalojë prodhimin e shfaqjeve me autorësi të Handkes.
“Unë nuk e ndalova prodhimin e Peter Handkes, por po refuzoj të ftoj në ‘Comédie-Française’ një njeri që nuk respekton vlerat thelbësore”, kishte thënë ai i pyetur për vendimin e marrë. E mosrespektimin e vlerave e kishte elaboruar deri te mohimi që Handke u bën krimeve serbe në Ballkan.
Shfaqja “The Handke Project” kishte ngjallur reagime të forta në Podgoricë vitin e kaluar.
Juria e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ (FIAT) e kishte vlerësuar shfaqjen si një përballje të dhimbshme sa i përket pozicionimit të krijuesve në raport me pushtetet duke e vlerësuar si me Çmimin për shfaqjen më të mirë. Pos kësaj, Çmimi aktori më i mirë në edicionin e 38-të i ka takuar aktorit nga Kosova me karrierë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj.
“Kjo shfaqje është një përballje e dhimbshme me enigmën shekullore të pozicionimit të krijuesve dhe intelektualëve kundër pushtetit – duke vënë në dukje përgjegjësinë problematike të intelektualëve. Projekti ‘Handke’ është e kundërta e paradigmës. Ansambli i shfaqjes i drejtuar nga Blerta Rrustemi-Neziraj krijoi një shfaqje që është një mozaik skëterrë, që na lë të habitur”, shkruhej në arsyetimin e jurisë së Festivalit në përbërje të shkrimtarit dhe drejtorit të Teatrit të Qytetit të Podgoricës, Stevan Koprivica (kryetar), dhe anëtarëve Jelena Miniq, aktore e Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, dhe Edin Jasharoviq, producent dhe dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike në Cetinë. Asokohe, mediat nacionaliste menjëherë kishin nisur propagandën për kapitull të kërcënimeve për “tradhti, fushatë antiserbe a skandal” e deri te cilësimet se ky qe një “sulm” me një shfaqje nga “Kosova terroriste”.
Titujt sensacionalë, si ai “Skandal në Mal të Zi! Shqiptarët nga Kosova e Metohia në Podgoricë organizojnë shfaqjen antiserbe”, i tabloidit “Alo.rs” qenë të pranishëm. Aty shënjestrohej edhe dramaturgia serbe Bilana Srblanoviq, që ka bashkëpunuar me ekipin e shfaqjes. Po ashtu, edhe institucioni nikoqir i shfaqjes në kryeqytetin e vendit të shkëputur prej Serbisë më 2006, anëtar i NATO-s e aspirues për Bashkimin Evropian, por që shpesh sfidohet edhe prej partive parlamentare serbe, të cilat në programe kanë edhe tërheqjen e njohjes së Kosovës. Një imazh si ky ishe gati kopje e atij të qershorit të vitit 2022 kur shfaqja u dha në Beograd. Disa tabloideve në Serbi – si “Srpski Telegraf” – do t’u dilte punë me shfaqjen duke e cilësuar “provokim të rëndë” njësoj sikurse edhe intervista e aktorit Arben Bajraktaraj, të cilin publiku serb e njihte, ndër të tjera, nëpërmjet serialit televiziv “Besa”. Intervista e tij për revistën “NIN” ishte “analizuar” në detaje, njësoj sikurse edhe shfaqja. Anash qasjes së tabloideve, në këtë temë kishin folur edhe figura që nuk janë pa emër në qarqet kulturore në Serbi.