Kulturë

“Përmirësime” minore në buxhet për projekte kulturore, shpërthejnë akuzat

Prej listës preliminare në atë përfundimtare, pak të dukshme janë përmirësimet e shifrave të buxheteve të OJQ-ve që do të marrin përkrahjen e Ministrisë së Kulturës për sivjet. Më i dallueshmi është ai për “EtnoFestin” të cilin MKRS-ja në qershor s’e kishte ndërmend ta financonte, e tash e ka përkrahur me 12 mijë euro. Tash, kur kanë dalë listat e fundit, akuzat janë edhe më të zëshme. “Multimedia” ia ka kthyer 5 mijë eurot, bashkë me një varg kritikash. Procesin e ka quajtur të kompromentuar e të politizuar

Gjithsej 145 projekteve të organizatave joqeveritare u është dhënë drita e gjelbër për t’u mbështetur financiarisht nga shteti. Ministria e Kulturës ka publikuar listën me rezultatet përfundimtare të përzgjedhjes së projekteve sipas Thirrjes Publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore-artistike në përputhje me rrethanat pandemike të COVID-19 për OJQ.

Duke pasuar listën preliminare që ishte publikuar më datën 23 të muajit të kaluar me 139 projekte (në vlerë prej 647, 600 eurosh), tani rezulton se institucioni më i lartë kulturor në vend nga “qesja” e vet ka përkrahur 145 projekte në vlerë prej 662, 100 eurosh. Kësaj shume i shtohet edhe ajo prej 245 mijë eurosh për 117 projekte individuale sa figurojnë në listën preliminare, për të cilën ende nuk ka rezultate përfundimtare.

Por derisa Ministria e Kulturës ende nuk e ka zbardhur shumën përfundimtare për shkak të procesit të shqyrtimit të ankesave, disa nga aplikuesit janë ankuar për proces të kompromentuar të ndarjes së fondeve publike e disa të tjerë edhe për mbështetje organizatash anonime. Shuma totale për atë që njihet si skenë e pavarur, me e pa rezultate përfundimtare, sillet po aty: rreth 890 mijë euro, por që, siç ka raportuar gazeta edhe më parë, i bie 600 mijë euro më pak sesa vitin e kaluar, kur 447 projekte qenë përkrahur me 1.5 milionë euro.

Në përfundim të shqyrtimit të ankesave

Kështu, për rreth tri javë kjo ministri ka shtuar për financim edhe 6 projekte të reja (OJQ “Proplus” me projektin “Promovimi i Kulturës 2021” me 4 mijë euro; Unionin e Ansambleve dhe Shoqërive Kulturore Artistike të Kosovës me projektin “International Kosova Folk Dance Festival” me 2500 euro; Uluslararas Sanatla Uyanmak me “Festivali ndërkombëtar ‘Zgjimi me art’” me 3 mijë euro; OJQ “Mana” me projektin “Qerim Kelmendi” me 2500 euro; “Sythi” me “Etno Fest 2021” me 12 mijë euro, si dhe “Sheshi” me “Fiction Fest” me 2500 euro).

Po kështu, sipas listës përfundimtare del se festivalit folklorik “Jehona e Anadrinit” me projektin “Festivali folklorik ‘20 vjet traditë Anadrinia Jehon 2021’” i është rritur financimi në 6 mijë euro nga 3500, sa i kishte në listën preliminare të qershorit, ashtu sikurse edhe festivalit “Anibar” me 15 mijë euro, nga 11 mijë sa i kishte.

E në Ministrinë e Kulturës, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, kanë bërë me dije se pas procesit të shqyrtimit të ankesave, i cili është në përfundim e sipër, “do të dihet shuma përfundimtare e përkrahjes për projektet kulturore”.

“Shteti të reflektojë më shumë”

Fillimisht në listën e qershorit MKRS-ja nuk e kishte përkrahur edicionin e 11-të me radhë të festivalit “Etno Fest”. Por në listat e së martës ky institucion ka bërë me dije se OJQ-së “Sythi” i është miratuar shuma prej 12 mijë eurosh për “Etno Fest 2021”.

Sipas këshilltares për media të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, Zana Fetiu, mospërfshirja e këtij projekti kishte ndodhur për shkak se kjo organizatë e kishte pasur të “pambyllur obligimin paraprak të përkrahjes financiare nga MKRS-ja”.

“Ndërkohë gjatë periudhës së ankesave, OJQ ‘Sythi’ ka përmbyllur të gjitha obligimet ndaj MKRS-së dhe ankesa e parashtruar është miratuar meqë në momentin e verifikimit të avancës obligimet janë shlyer”, ka thënë Fetiu.

Kur ishin publikuar listat, MKRS-ja e kishte veçuar arsyen e mos përkrahjes së “EtnoFestit” dhe një gjë e tillë qe cilësuar edhe si linçim publik.

Ndërkohë, themeluesi i festivalit “Etno Fest”, dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj e ka arsyetuar mosmbylljen e avancës me atë se organizata nuk i kishte marrë mjetet me kohë.

Duke folur për ndihmën tash të akorduar nga shteti, ai ka thënë se pritjet i kanë pasur për përkrahje më të madhe “të paktën si festivalet e tjera në vend”.

“Duke marrë parasysh shpenzimet dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës, kjo shumë është e pamjaftueshme për të realizuar programin e sivjetmë voluminoz”, ka thënë Hysaj. “Megjithatë, shpresojmë që shteti do të reflektojë e të kuptojë se ne po e bëjmë atë që do të duhej ta bënte vetë shteti, e që është promovimi i kulturës materiale”.

“Multimedia” s’i merr 5 mijë euro: “Jua kthejmë mbrapsht me neveri”

Megjithëse ishte ankuar qysh në qershor, qendra “Multimedia” sërish ka mbetur me përkrahjen e njëjte. I janë ndarë vetëm 5 mijë euro për festivalin ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, por jo edhe për programin vjetor teatror.

Por, kjo qendër ka vendosur që t’ia kthejë Ministrisë së Kulturës ndihmën prej 5 mijë eurosh si shenjë proteste ndaj atij që e ka vlerësuar si “proces i kompromentuar i ndarjes së fondeve publike”.

Nëpërmjet një letre të hapur, “Multimedia” ka shigjetuar akuza të ashpra në adresë të institucionit më të lartë të kulturës në vend.

“5 mijë euro! Jo faleminderit, po jua kthejmë mbrapsht me neveri!”, shkruhet në fillim të kësaj letre.

“Qendrës ‘Multimedia’ kjo ministri ia kishte ndarë vetëm 5000 euro për edicionin e 11-të të ‘Polipit’, Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë që mbahet në Prishtinë, ndërkohë që projekti ynë i rëndësishëm teatror ‘Balkan Bordello’ nuk ishte në atë listë. Duhet ta nënvizojmë: ky është bashkëprodhimi i vetëm teatror ndërkombëtar për vitin 2021. Pra, edhe një herë: i vetmi bashkëprodhim ndërkombëtar në fushën e teatrit. Bashkëprodhim i qendrës ‘Multimedia’ nga Prishtina dhe ‘La MaMa-s’ nga Nju Jorku, që është njëri prej teatrove më të njohura në botë”, është thënë në letrën e “Multimedias”.

“Proces i komprometuar i ndarjes së fondeve publike”

Gjithnjë sipas letrës, kjo qendër kishte qenë e vetëdijshme se Ministria mund të kapej për “kritere ligjore e administrative”, teksa kanë dhënë shembuj se në listën e publikuar preliminare të projekteve të mbështetura Ministria nuk kishte qenë strikte në përfilljen e këtyre kritereve.

“Mes projekteve të financuara sërish nuk është ‘Balkan Bordello’. Kjo na mbush me mllef e neveri. Por, në të njëjtën kohë, na mbush mend dhe na kthjell, se në Ministrinë e Kulturës në Kosovë nuk ka ndodhur kurrfarë ndryshimi. Ajo ministri vazhdon të prodhojë politika kulturore krahinore e lokaliste, politika të akraballëkut (që ndonjëherë peshojnë deri edhe 15,000 euro) dhe se kriteret e deridjeshme për njohje politike – si parakusht për qasje në fondet publike – vazhdojnë të jenë kritere edhe të sotme”, ka vijuar më tej letra.

Në vazhdim është theksuar se refuzimi i mbështetjes nga MKRS-ja për “Multimedian” nuk vjen vetëm si refuzim që “të bëhet pjesë e një procesi të komprometuar të ndarjes së fondeve publike”.

“Refuzon ta bëjë këtë me një ministri të këtillë të Kulturës, e cila ia shpërfill me kaq arrogancë aktivitetin e kredibilitetin e saj gati 20-vjeçar në fushën e teatrit e letërsisë. Si rrjedhojë, 5000 eurot të cilat MKRS na i ka ndarë ne si ‘Qendra Multimedia’ i kthejmë mbrapsht – MKRS mund t’ia japë ‘Manifestës’, së cilës në kurriz të skenës kulturore ia ka ndarë 700,000 euro, pra me këtë ‘donacion’ tonin le t’i bëhen 705,000”, përmbyllet kjo letër.

Hysaj: “Të dallohen ata që vërtet kontribuojnë për kulturë”

Edhe dramaturgu Fadil Hysaj u është bashkëngjitur kritikave për aspektet burokratike të ndarjes së fondeve publike gjatë përkrahjes së projekteve kulturore. Sipas tij, është e nevojshme një lloj reforme e vlerësimit të performimit të organizatave kulturore dhe ndikimit të tyre.

“Duhet të ketë më shumë dijeni për ato organizata e grupe që e mbajnë gjallë jetën kulturore dhe i japin asaj format bashkëkohor e ndërkombëtar”, ka thënë Hysaj, për të shtuar se në mesin e këtyre organizatave është edhe “Multimedia”.

Ai ka theksuar se në listën përfundimtare përkrahje u është dhënë edhe disa “organizatave anonime” që, sipas tij, nuk kanë pasur ndonjë ndikim në jetën kulturore.

“Ato shpenzojnë buxhete vit për vit por pa pasur ndonjë rezultat sa i përket kthimit të vlerave”, ka theksuar Hysaj.

Teksa ka ngulmuar që përkrahja e Ministrisë të mos jetë vetëm sa për të rehatuar grupe të caktuara, themeluesi i “Etno Festit” ka kërkuar që të ketë një diferencim midis organizatave që vërtet kontribuojnë kulturalisht për vendin.

“Mbështetja për organizata anonime është në njëfarë mënyre edhe ofenduese për organizatat që e përfaqësojnë denjësisht kulturën e Kosovës në rajon e botë”, ka thënë Hysaj. “Me mbingarkesën që vjen nga burokracia e komisionet e ndryshme, kjo mbyllje po e pengon komunikimin që do të duhej të ishte më transparent mes Ministrisë dhe atyre që krijojnë kulturë”.