Kulturë

“Permanent...” fut në lojë jetën në përsëritje të përhershme

“Permanent...” fut në lojë jetën në përsëritje të përhershme

“Permanent Raging Presence” në thelb trajton sferat e punës dhe kohës së lirë, duke marrë për shembuj ato që quhen si personazhe jo-luajtës. Në kuadër të saj qëndron vepra “Hardly Working”

Nëpërmjet personazheve të padobishme të video-lojërave, “Permanent Raging Presence” qëmton jetën e cila zhytet në një cikël përsëritjeje deri diku kotësie. Është një qëmtim ekzistencial për kushtet e punës njerëzore dhe përditshmërinë e personazheve në ciklin e tyre të pandalshëm të punës. Vepra e kolektivit “Total Refusal” në “Galerinë 17”, shndërrohet në pasqyrë për njeriun si makinë në jetën reale

Në veprën “Permanent Raging Presence” ilustrohet prania e palëkundur e bezdisshme që reflekton edhe në jetën e njeriut. Artistët e kolektivit “Total Refusal”  nga Austria pyesin për ekzistencën dhe arsyen e saj. Është një vështrim antropologjik e pasqyrë ku njeriu ndeshet me personazhet e padobishme të videolojërave. Në “Galerinë 17” artistikisht janë shpërfaqur algoritmet e punës dhe riprodhimit të fuqisë punëtore.

Të enjten mbrëma, dy vepra të kolektivit austriak janë ekspozuar për publikun. Personazhet shumëngjyrëshe të ekspozuara nga imazhet e projektuara me përmasa të mëdha, vallëzojnë nën ritmet e muzikës brenda mureve të galerisë së veshur me të zeza. Ambienti komunikon me objektet që sjellin rrëfimet. Personazhet janë karaktere të videolojërave. Aktivitetet e tyre janë përherë në përsëritje. Një ekran i përmasave më të mëdha e ilustron ambientin ku gjenden, një klub nate shumëngjyrësh.

“Permanent Raging Presence” në thelb trajton sferat e punës dhe kohës së lirë duke marrë për shembuj ato që quhen si personazhe jo-luajtës. Në kuadër të saj qëndron vepra “Hardly Working” si videoinstalacion që eksploron kushtet e punës njerëzore dhe përditshmërinë e personazheve në ciklin e tyre të pandalshëm të punës. Ndërsa vepra që projekton atmosferën është shoqëruese dhe shfaq pistën e vallëzimit për personazhet jo-luajtëse apo siç u referohen artistët, si NPC (non-plaing characters) me titull “Club Stahlbad” si spektakël i argëtimit të obliguar.

Artisti austriak, Robin Klengel, ka thënë se karakteret i kanë sjellë në formë antropologjike, duke shpërfaqur rezistencën dhe një pjesë të mënyrës së jetesës.

“‘Hardly Working’ është një vepër për të ashtuquajturën personazhe jo-luajtëse në një videolojë. Ne kemi katër portrete karakteresh dhe i kemi observuar ato në jetën reale. Personazhet joluajtëse janë sfondi i videolojërave dhe jo karaktere kryesore. Ka shumë njerëz që nuk luajnë role të mëdha. Ne i sjellim në një formë antropologjike duke sjellë rezistencën dhe mënyrën e jetesës. Ata shkojnë në punë çdo ditë, por në të njëjtën kohë nuk mund të kenë ndonjë impakt, sepse loja është hapësirë që nuk mund të ndryshohet”, ka thënë ai.

Veprat sjellin punëtorët idealë që nuk ndalojnë së punuari

Sipas artistit Klengel, personazhet janë pasqyra e njeriut si makinë në jetën reale te të cilët publiku mund të reflektojë.

“Janë lloje makinash që kanë ngecur thjesht për ekzistencë dhe derisa i observojmë dhe studiojmë, mund t’i shihni dhe t’i identifikoni se janë njerëz, ta shihni veten te ta dhe të reflektoni se përse ekzistoni. Kjo na bën të mendojmë shumë se si shoqëria dhe vetë jeta jonë është organizuar në përsëritje të pafund dhe në mënyrën e ekzistencës, nuk mund ta ndryshojmë apo të arratisemi nga ajo”, është shprehur Klengel, artist e antropolog kulturor që veprimtarinë e shtrin midis kryeqytetit Vjenës dhe vendlindjes së tij, Graz.

Sipas biografisë së tij, ai hulumton, shkruan tekste, mban ligjërata dhe kurse realizon filma në fushën e kërkimit artistiko-shkencor mbi hapësirat urbane dhe digjitale. Ka studiuar antropologji kulturore në Graz dhe Berlin. Që nga viti 2021, është bashkëkryetar i hapësirës ndërdisiplinore të artit dhe kulturës “Forum Stadtpark” në Graz. Është bashkëthemelues i kolektivit “Total Refusal” në vitin 2018.

Klengel ka thënë se është dashur t’i përcjellin këto personazhe për shumë kohë.

“Në një mënyrë është e çuditshme që nuk mund të studiosh personazhet joluajtëse sepse nuk mund të flasësh me ta. Ata nuk kanë identitet, janë makina, janë reprezentues të njeriut, kështu që ne i sollën në një mënyrë ‘retro’. Ishte eksperiencë shumë interesante. Ne i kemi përcjellë personazhet joluajtëse për shumë ditë dhe shumë më shumë të tillë sesa shfaqen në vepër. Duhej të kalonim shumë kohë me ta, por kjo ishte eksperiencë shumë specifike”, ka thënë ai.

Veprat sjellin punëtorët idealë që nuk ndalojnë së punuari. Artistja tjetër austriake, Sussana Flock, ka thënë se videolojërat i përpunojnë duke i përdorur për qëllimet e tyre. Me to sjellin konceptet e narrativat që përshtaten me jetën përreth.

Sipas saj, vetë videoloja që përdorin është objekti i hulumtimit të tyre.

“Loja që kemi përdorur për ‘Hardly Working’ është ‘Red dead redemption 2’, një aventurë perëndimore me armë, ku kryesisht luhet heroi dhe historia kryesore, por ajo që bëmë ne, u dhamë rëndësi karaktereve të tjera që nuk luajnë dhe te të cilat vetëm kalon gjatë aventurës. Është interesante, sepse duke kaluar kohën, duke parë se çfarë po bëjnë, mund të të vijnë ide për njerëzit që kanë ngecur në këto situata. Pra mund të them se ky është gjithë i studimi dhe hulumtimi kryesor që është bërë në lojë, pra personazhet joluajtëse”, ka thënë artistja Flock.

Ajo vepron kryeqytetin austriak si artiste vizuale mediatike. Ka studiuar në Universitetin e Artit dhe Dizajnit në Linz dhe në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë.

Veprat e saj fokusohen në fenomene të internetit përmes videos dhe videoinstalacioneve. Vitin e kaluar ajo ka marrë çmimin “Cité internationale des arts residency of BMKÖS”, “Viktor-Fogarassy-Price” e të tjera dhe bursë në  Akademie Schloss Solitude. Iu bashkua kolektivit në vitin 2020.

“Total Refusal” është kolektiv artistësh, studiuesish dhe kineastësh që ripërdorin burimet e videolojërave kryesore për të krijuar narrativa politike në formën e videove, ndërhyrjeve, performancave dhe ligjëratave. Temat e tyre bazohen në studimet kritike të lojërave dhe teorinë sociale, me synimin për të promovuar dhe popullarizuar një të majtë kundër-hegjemonike. Veprat e tyre janë shfaqur në mbi treqind festivale filmi dhe arti, si dhe në hapësira të ndryshme ekspozimi. Që nga themelimi i tyre në vitin 2018, “Total Refusal” ka marrë mbi 65 çmime dhe mirënjohje speciale veçanta.

Ekspozita vjen në kuadër të temës “Techne” të “Galerisë 17”, në bashkëpunim me festivalin “Ars Electronica” nga Austria.

Laura Welzenbach nga ky festival ka thënë se ekspozita shënon bashkëpunimin e tretë me fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”.

“’Ars Electronica’ është një organizatë me seli në Linz të Austrisë dhe ne jemi më shumë të njohur si festival i artit të medias. Për të tretin vit rresht po bashkëpunojmë me fondacionin ‘Shtatëmbëdhjetë’ për serinë e ekspozitës së quajtur ‘Techne’. Sivjet kemi ftuar kolektivin e artistëve ‘Total Refusal’ të cilët punojnë me lojëra, videolojëra me qasje publike dhe me ato i sjellin rrëfimet e tyre. Ata krijojnë historitë e tyre me këto karaktere në këto lojëra”, ka thënë ajo.

Derisa ka folur për veprat, ka thënë se ato reflektojnë në rutinën ditore dhe pyet se ku qëndron jeta e njeriut.

“Në këtë vepër, është një lloj punishteje dhe aty janë karakteret që punojnë, për shembull, ata pastrojnë rrugët. Gjëja interesante është që kjo punë riprodhohet, ripërsëritet në një përsëritje konstante që reflekton lehtë edhe me përvojën tonë të përditshme që ngrihemi, punojmë, biem të flemë. Në një formë edhe pyet se ku qëndron jeta dhe koha jonë të cilën duhet ta investojmë në punë”, është shprehur Welzenbach të enjten mbrëma derisa ekspozita ka qenë e hapur.

“Ars Electronica” është platformë që vepron në ndërthurjen mes artit, teknologjisë dhe shoqërisë përmes organizimit të ekspozitave, programeve edukative dhe projekteve kërkimore të përqendruara në të ardhmen e shoqërive tona.

Veprat janë punuar po ashtu edhe nga austriaku Leonard Müllner dhe ai britanik Michael Stumpf.

Ekspozita “Permanent Raging Presence” do të qëndrojë e hapur në “Galerinë 17” deri më 30 maj.