Hekurudha është një prej shesheve të xhirimit ku është bërë bashkë një ekip i madh.
Xhirimet e filmit “Një fëmijë” janë finalizuar, pas një pune intensive treditore. Filmi i shkurtër, me regji të Bekim Gurit, shtjellon pritjet e shoqërisë kosovare pas martesës dhe ekranizon tabunë e sterilitetit.
Ilir Hasanaj, producent i filmit të përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, thotë se xhirimet janë finalizuar me sukses dhe flet për planet për pjesëmarrje në festivale të njohura, raporton “Express” i KTV-së.
Rolet kryesore në filmin “Një fëmijë”, portretizohen nga Agron Shala dhe Makfire Miftari. Aktorja, e cila luan rolin e një nëne që i nënshtrohet presionit për të pasur fëmijë, flet për përvojën e saj në këtë projekt.
“Një fëmijë” është filmi i katërt i regjisorit Bekim Guri, i cili nëpërmjet këtij mediumi trajton fatin e gruas në shoqërinë kosovare.
Guri, po ashtu, shpalos planet për filmin e tij të ri.
Filmi “Një fëmijë” është prodhuar nga “Unseen Films”.