Zbulimi i botës në “DokuFest” vjen edhe prej rrëfimeve personale. Prej aty preket përjetimi. Ato reflektojnë edhe në çështjet globale. Por narrativa është unike më vete. Ekrani i Festivalit
Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër me filmat në Garën Ballkanike kthen në kohërat e pasluftës, të brutalitetit, të njeriut që e ndërron koha.
Pas rrugëtimit ndërkombëtar, filmi “Afterwar” me regji të danezes Birgitte Staermose, të hënën mbrëma i ka projektuar imazhet e tij në ekranin e kinemasë “Lumbardhi” në Prizren.
Imazhet e luftës janë krejt në fillim. Derisa një fëmijë udhëton me autobus rrëfen se rutina e tij e përditshme është shitja e cigareve pas përfundimit të orarit të shkollës. Kështu ai mbledh para dhe mund të sigurojë ushqim për familje. Narrativa e tij duke pëshpëritur flet shumë. Ai vë para në çantën e nënës së saj duke mos dashur që ajo ta dijë. Babai i tyre është i paralizuar. Në një shëtitje nëpër lagjen “Dardania” në Prishtinë njëri prej të rinjve rrëfen momentet e kthimit aty paslufte. Nuk kishin më shtëpi.
Ata përshkojnë gjithë rrugët e Prishtinës, çdo dyqan kafeje ku njerëzit frekuentojnë me shpresë për të hasur në ndonjë duhanpirës që i kanë përfunduar cigaret.
Një tjetër personazh është ai që shet kikirikë në rrugë. Dëshirat e një fëmije janë ato për një jetë në paqe e në raporte të mira me njëri-tjetrin. Ëndrra dhe synimet për një jetë më të mirë i çon drejt mendimeve për zgjidhje të pazakonta për të siguruar para.
Një fëmijë tjetër shet kartela telefoni. Shpreson që rrëfimi i tij të dëgjohet e të besohet.
Filmi ndahet në lloj kapitujsh. Kjo është “E shkuara” e rrëfimit.
Në të sotmen, njëri prej tyre, tashmë i rritur thotë se e kaluara është e dhimbshme, porse mbase duke e treguar atë mund të shpresojnë për një të ardhme të lumtur. Mënyra se si janë ndërtuar imazhet i bën skenat të komunikojnë protagonistët me veten.
Një pjesë e skenave që shfaq kryeqytetin me pamjet e monumentit “NEWBORN” bën të ditur se dokumentari ka nisur xhirimet në periudhën pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. E rikrijon rrëfimin e tre të rinjve në formë artistike.
Edhe e tashmja i gjen ata duke shitur rrugëve prapë. Vajza tregon se gjithë natën shitnin kikirikë dhe kartela telefoni. Kur natën i vinte gjumi, tualeti ishte vendi për pushim.
E tashmja ka bllokuar të kaluarën. Fëmijëve të tyre u premtojnë jetë më të mirë se të tyre. Ata gjejnë frymëzim për të krijuar gjëra të reja nga e kaluara e vështirë. Filmi përfundon me shpresën se një ditë do të përfundojë lufta e tyre.
Regjisorja daneze Birgitte Staermose në fund të filmit ka thënë se po të bëhej film i shkurtër, siç kishte nisur, nuk do të ishin në skenën e “DokuFestit”. Ka thënë se filmi shfaq jetën dhe fatin e vështirë.
“Disa prej nesh jemi prekur ndër vite. Disa njerëz në film dhe njerëz në media sociale ishin kuriozë se çfarë po ndodhte. Ishte një moment kur u takuam me gjëra të vështira, por në fakt është i vështirë si fat dhe jetë. Mendova se është momenti të tregoj diçka të rëndësishme për të”, ka thënë ajo.
E ardhmja është e paprekshme në të tashmen. Staermose e bën këtë në pjesën e fundit të filmit.
“E ardhmja është ndërtuar duke intervistuar këta të rinj se çfarë mendojnë për të ardhmen, krejt kjo ka ardhur nga hulumtimi. Mendova se kur t’i takoj ata jam impresionuar nga jeta e tyre. I takon si fëmijë, por ishte moment i madh për mua që të kthehem të shoh se çfarë ka ndodhur”, ka thënë regjisorja daneze.
Stærmose është regjisore e skenariste e filmave të gjatë e të shkurtër, e vlerësuar ndërkombëtarisht. Filmi i saj i shkurtër, “Out of Love” (2009) është pararendës i “Afterwar”. Ishte dhënë premierë më 2009 dhe ishte vlerësuar me shumë çmime.
Gjatë pesë vjetëve të fundit Stærmose ka punuar në skenë ndërkombëtare si kryeregjisore në seri dramash për HBO-në, “Starz” e “Netflix”. Filmi i saj i gjatë më i ri, “Camino”, e pati premierën si film përmbyllës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Gjenevë edicionin e vitit të kaluar.
“Afterwar e ka shënuar premierën botërore në edicionin e 74-t të festivalit ndërkombëtar të filmit në Berlin “Berlinale”, në kuadër të programit “Panorama”.
Bashkëproducenti Gazmend Bajri ka thënë se realizimi i këtij projekti i ka bërë të rriten bashkë.
“Ka qenë projekt shumë special për mua që ka zgjatur për 15 vjet, më duket se jemi rritur të gjithë bashkë”, ka thënë ai.
Gëzim Kelmendi, Xhevahire Abdullahu, Shpresim Azemi dhe Besnik Hyseni janë në qendër të filmit. Kasta përfshin edhe Luan Jahën, Leotrim, Shpëtim, Shkëlqim e Florim Krasniqin, Valon Selimin, Molika Maxhunin, Afrim Muçajn, Sadije e Lirije Abdullahun, Avni Berishën, Elana Gavazin, Elsa Kamberin, Arian Kelmendin e Vigjilencë Islamin.
Gëzim Kelmendi, protagonist në film, ka thënë shkurt se është i lumtur me shfaqjen e filmit në Prizren,
“Faleminderit shumë të gjithëve! Jam shumë i kënaqur që është shfaqur filmi në qytetin ku me vite jam rritur”, ka thënë ai.
Edhe për Shpresim Azemin ka qenë emocion i veçantë.
“Shpresoj se ju ka pëlqyer, është eksperiencë e mrekullueshme ta shfaqim në Kosovë, sidomos në Prizren”, ka thënë ai në skenën e “Kino Lumbardhit”.
Kishte nisur si film i shkurtër 15 vjet më parë. Materialet e mëtutjeshme e kanë çuar filmin në një orë e 24 minutash. Ai është një lloj “çerdhe” e dëshirave që, të paktën në kapitullin e së tashmes, vështirë realizohen. Vijnë prej një këndi ëndrrash që frymëzohen në momente dëshpërimi. Duke shushuritur i flasin ato në fakt nga frika se mund të tingëllojnë absurde po u nxor zë për to.
Dëshpërimet e së tashmes u vijnë varg. Por morali është krejt çfarë kanë dhe mundohen ta ruajnë. Sikurse edhe dinjitetin. Thonë se pa të njeriu është i humbur. Për ta lufta nuk ka mbaruar tamam, simptomat sipas tyre sot janë fenomenet e dëmshme.
Kapitulli për të ardhmen është një udhëtim që nuk ka shkuar sipas planit nëpër shtetet e Evropës.
Në përgjithësi, “Afterwar” është pikëpamje ndryshe për jetën, nga një tjetër perspektivë. Ndonëse ngjan se ana artistike mbulohet në pjesën më të madhe dhe ana dokumentare është më e mangët.
Në “Kino Lumi” të dielën mbrëma janë shfaqur dy filma nga kategoria “Balkan Dox”. Në kinemanë e improvizuar tejet atraktive ku atmosfera e qytetit përzihet me pamjet dokumentare, publikut i janë shfaqur imazhet e narrativa të torturës dhe kronologjia e prishjes së një miqësie të kahershme.
I pari film ka qenë ai i metrazhit të shkurtër i regjisores Aylin Gökmen, artiste, producente dhe aktiviste zvicerano-turke.
“Filmat e saj kombinojnë qasje dokumentare dhe fiktive, shpesh duke u rrotulluar rreth temave të kujtesës, imagjinatës dhe peizazhit”, shkruan festivali për krijimtarinë e saj.
Derisa pamjet shfaqin fushat e pambukut, vijon rrëfimi i Vakif, një 60-vjeçar nga një fis kurd. Fillimisht rrëfen për jetën e tij që nga fëmijëria e deri në burgosjen dhe torturat nga forcat turke. Ai flet për të kaluarën e hidhur, nënën e tij e dashurinë e parë që e kishte gjetur në një fushë pambuku.
Vajza me emrin Aso derisa kalonte kohë me të, ishte qëlluar me një plumb. Vakif u la fajtor. U mor në pyetje, u rrah e u poshtërua. Derisa rrëfen torturën, thotë se pjesa më e rëndë është përulja e dinjitetit. Se trupi reziston, por dhimbja më e madhe është brenda.
Kapitulli i radhës, po aq emocionues, por më i shtjelluar dhe rrugëtim më i gjatë i jetës së personazheve ka qenë filmi “Edhe një ditë” i Eneos Çarka. Duke i përcjellë dy të rinj që interpretojnë së bashku për shumë vite, raportet e tyre vëllazërore përçahen dhe sot çdo gjë që kanë ndërtuar bashkë është e shkatërruar.
Me performancën e dyshes Besmir Sula dhe Rafael Hoxhaj në rrugët e Italisë nis rrugëtimi nëpër jetën e tyre brenda 84 minutash. Performanca e tyre përfshin kryesisht lëvizje akrobatike me veshjet e tyre si performues cirku.
Te njerëzit prezantohen me emra si Ping dhe Pong. Kanë performuar gjithandej nëpër qytetet e Italisë ku edhe jetonin duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve me akrobacitë e tyre. Skenat e dokumentarit flasin për një anë tjetër pas performancës, për lodhje e mund dhe mbi të gjitha për një punë që e bëjnë për të siguruar një jetesë modeste larg vendlindjes.
Skenat zhvendosen edhe në Shkodër, në qytetin e tyre nga ata vijnë. Aty bëhet e ditur se Besmiri ka ostegonozën, një sëmundje që nuk lejon forcimin e kockave.
Prezantohet edhe Rafaeli krejt në fillim të dokumentarit. Ai tregon se është malësor dhe se familja e tij ka histori gjakmarrjeje.
Por krejt kjo është në fillim të dokumentarit. Introja është një lloj prezantimi i shkurtër i raportit të tyre tani e më pas gjithçka nis nga pika fillestare ku ata luanin bashkë e te të tjerët prezantoheshin si vëllezër. Deri te pika që sot nuk kanë kurrfarë kontakti.
“Nuk jemi vërtet vëllezër, por jemi vëllezër në jetë. Mendoj se kjo është më e rëndësishme sesa ta kesh vëlla prej gjaku”, i thotë Rafaeli njërit prej turmës që ishte mbledhur për të parë performancën e tyre në qytetin e Milanos. Shpesh performancat e tyre ndalohen nga policia dhe ata thonë se po trajtohen si të ishin kriminelë.
Pas një kohe nisin shenjat e vogla të një krisjeje të madhe midis tyre. Janë grindje të shkurtra për paratë që nisin t’i ftohin raportet e tyre ngadalë. Edhe kur ato ndalojnë vërehet një lloj energjie jo aq e hareshme midis tyre. Ata madje nisin të përformojnë vetëm nëpër sheshe a me të tjera grupe. Kur vjen momenti i diplomimit të Rafaelit për aktrim vërehet një lloj zilie e Besmirit. Ngjan se ndihet inferior. Deri te pamja e fundit që i shfaq ata tek vazhdojnë larg njëri-tjetrit.
Regjisori Çarka pas filmit ka thënë se protagonistët i ka njohur prej kohësh dhe se nuk kishte menduar që shuarja e raporteve midis tyre të ishte rezultati. Se dokumentari kishte marrë kahe tjera gjatë zhvillimit.
“E kam njohur një prej protagonistëve para se të fillojmë xhirimet kështu që ndërtuam shoqëri dhe ai tha: Unë jetoj në këtë botë paralele e cila është jeta që sheh në film. Dhe sidomos pjesa ku ata janë duke udhëtuar, duke performuar. Në atë kohë nuk kisha para pasi që isha student dhe dy vjet pasi punoja si fotograf, mora një bursë të shkoja të studioja, ruajta disa para dhe fillova të xhiroj. Kështu filluam. Na u deshën pesë vjet për ta përfunduar, kështu që kalova shumë kohë me ta duke xhiruar, ndoshta dy vjet. Më pas goditi pandemia dhe kështu”, ka thënë ai.
Është shprehur se nuk kishte pritur se midis tyre do të kishte tensione e konflikt.
“E gjithë ideja në fillim ishte të ndjekja ëndrrën e tyre tek punojnë në rrugë drejt synimit për të mbërritur teatrin, studimet. Dhe vetëm kur zbulova se filmi në fakt do të rezultonte me konfliktin e tyre që rritet përherë. Është më i thellë dhe i vështirë të gjesh shkakun i cili bëri që ata të ndahen. Ata nuk komunikojnë më me njëri-tjetrin. Gjithçka që kanë ndërtuar dhe çfarë mundohemi të portretizojmë ka rënë në ujë dhe e kaluara midis tyre është kapitull i mbyllur. Dhe ky film e shfaq këtë gjë”, ka thënë regjisori Çarka.
Në filmin dokumentar në fakt lihet paksa e paqartë nëse ata kanë ndarë rrugët përfundimisht pasi skenat nuk shfaqin konflikte të mëdha të tyre, thjesht grindje e mosmarrëveshje.
Regjisori ka thënë se jo gjithçka ka shfaqur, porse është kursyer nga disa pamje.
“Janë të paktën dy pjesë kur unë duhej të ndaloja xhirimin, por edhe nëse nuk do ta ndalja, prapë nuk do ta shfaqja. Janë disa kufij që kam vendosur pasi ata kanë pasur shumë besim në mua dhe më duhej t’ua ktheja atë. Të isha i përgjegjshëm dhe të kujdesesha për dinjitetin e tyre në ekran pasi është diçka që ne filmbërësit duhet të mendojmë, jo vetëm të shfaqm gjithçka për të dalë storja më e mirë”, ka thënë Eneos Çarka, regjisor, artist mediatik dhe studiues nga Tirana. Filmat e tij janë shfaqur në shumë festivale, galeri dhe ngjarje kulturore.