Kulturë

“Pasión y Tango” shkrin ngjyrat e ritmet e muzikës spanjolle e franceze

Ramë Lahaj

Dyshja me këngëtarin francez Pierre Sabaté dhe kitaristin maroken M’hamed El Menjra kanë qenë protagonistët e një tjetër organizimi me të cilin fondacioni që mban emrin e tenorit të shquar nga Kosova synon të shënjestrojë jo vetëm publikun admirues të operës, por edhe të zhanreve të tjera. Organizatorët kanë premtuar se koncerti “Pasión y Tango” është veç fillimi i këtij rrugëtimi

Nga një festival dedikuar operës që kulmon me yje botërore, fondacioni “Ramë Lahaj” kësaj here ka sjellë tango, flamengo e këngë franceze. Është traditë e stil krejt tjetër muzikor. Dyshja me këngëtarin francez Pierre Sabaté dhe kitaristin maroken M’hamed El Menjra kanë qenë protagonistët e një tjetër organizimi me të cilin fondacioni që mban emrin e tenorit të shquar nga Kosova synon të shënjestrojë jo vetëm publikun admirues të operës, por edhe të zhanreve të tjera. Organizatorët kanë premtuar se koncerti “Pasión y Tango” është veç fillimi i këtij rrugëtimi.

Në një kafene të lezetshme në Prishtinë me plot shenja të kulturës shqiptare është zbërthyer pasioni midis ritmesh e vargjesh të zhanreve që, sado të popullarizuara në botë e të njohura në vend, duhen raste të veçanta për t’u dëgjuar. Ashtu sikur qe organizimi i performancës së dyshes Sabaté dhe El Menjra.

Hapësira është adaptuar për atë që jo fort ngjan në një koncert, por më shumë në një ndejë që organizohet mbrëmjeve nëpër ‘pubet’ e kryeqytetit. Midis pjesë-këngësh dëgjohej zhurma e shkëmbimit të parave e ajo e përgatitjes së pijeve.

Por sigurisht se muzika që shpaloset është krejtësisht tjetër. Karriget janë renditur në dy anë të hapësirës duke krijuar një lloj korridori për performancën e dyshes. Kitaristi me këngëtarin kanë qenë përballë njëri-tjetrit në këtë hapësirë. Ndriçimi i lehtë e ka bërë më intime proformancën e tyre. Por një numër i madh i njerëzve kanë mbetur në këmbë shkaku i ulëseve të limituara të cilat kanë qenë të gjitha me rezervime.

Të pranishëm kanë qenë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e tenori Ramë Lahaj.

Eksplorimin e programit e ka nisur kitaristi maroken M’hamed El Menjra me një instrumental me të cilin e njofton publikun për këngët në ardhje. Kanë qenë ritme flamengoje me tinguj të lehtë të kitarës, tejet romantikë.

Dyshja ka interpretuar këngët “La cumparsita” të Carlos Gardel, “Sabor a mi” të Alvaro Carillo, “Lagrimas negras” të Bebo Valdes dhe Compy Segundo, “         Como fue” të Benny More e “Veinte Años” të José Alfredo Jiménez.

“Quizás, Quizás, Quizás” e kubanit Osvaldo Farrés pos si këngë tejet e bukur, ka qenë hapësira për të zbuluar edhe një talent të këngëtarit Pierre Sabaté. E ka bërë publikun të shikojë rrotull hapësirën se kush po luan në trumbetë. Por ka qenë ai duke e imituar instrumentin. Tingulli është identik me instrumentin, ai ka improvizuar me të duke e përfshirë praktikisht edhe një tjetër instrument në instrumentalin e këngëve të cilave u ka dhënë zë.

Flamengon me rumba, salsa e pop e kanë shkrirë me këngët e bendit të njohur “Gipsy Kings”. Kanë sjellë këngët “Un amor” dhe “Hablame”. Më pas ka kënduar edhe “Dos Gardenias” të “Buena Vista Social Club” dhe “La puerta” të Luis Miguel dhe “La rua madureira” të Nino Ferrer.

Frymën e tangos e ka sjellë me “Por una cabezza”, “Historia de un amor” të Luz Casal, “Aunque Tu” të Diego El Cigala”, “Chan chan” të Compay Segundo e “Volver” të Estrella Morente.

Këngën ikonike franceze “La Boheme” të Charles Aznavour e kanë sjellë të aranzhuar në frymën e tangos. E më pas nga ky kapitull ka kënduar edhe “Jardin d’Hiver”. Programin dyshja e ka mbyllur me “Rosa Maria” të Camaron de la Isla, por nga publiku dyshes i është kërkuar edhe një tjetër  këngë.

Kështu ka interpretuar një tjetër këngë ikonike, por kësaj here “Volare” të italianit Domenico Modugno, këngën në version spanjoll me të cilën e ka bërë publikun të këndojë njëzëri.

Dy këngë më moderne në gjuhën spanjolle i ka sjellë këngëtarja Andrra Rexhepi. E bashkë me Pierre Sabaté kanë kënduar “Besame Mucho” të Consuelo Velazquez.

Sabaté ka thënë se me programin të cilin e kanë prezantuar të shtunën mbrëma kanë sjellë laramani kulturash muzikore.

“Ishte program i përzier midis kulturës sime gjysmë franceze gjysmë spanjolle, ne këndojmë atë që na pëlqen, kështu që kishte pak tango, pak flamengo, pak këngë franceze. Mendoj se ishte mirë, të paktën për mua. Më kanë pëlqyer njerëzit këtu, ishte hera e parë në Prishtinë”, ka thënë ai.

Zëri i tij ka qenë shumëngjyrësh. Ai i është përshtatur secilës natyrë me këngë duke përzier edhe ritme moderne. 

“Mund të këndoj në forma të ndryshme. Nganjëherë është e komplikuar pasi duhet të gjesh stilin tënd, sepse në të njëjtën kohë unë bëj ‘raggea’, flamengo, këngë franceze, por më pëlqen kjo gjë”, ka thënë këngëtari francez Pierre Sabaté.

Ai është i njohur për stilin unik dhe performacat e tij të jashtëzakonshme në interpretimin e veçantë të muzikës tango, vjen në Prishtinë për të sjellë një mbrëmje magjike, të mbushur me pasion dhe emocion. Sabaté ka një karrierë të gjatë e është i njohur për performancat e tij pasionuese dhe lidhjen e thellë emocionale me muzikën.

Vija muzikore e koncertit “Pasión y Tango” ka qenë kitaristi M’hamed El Menjra.

Kitaristi El Menjra është shprehur i lumtur që ka prezantuar lojën e tij para publikut në Prishtinë. Ka thënë se instrumenti të cilin e zotëron është esencial në interpretimin e zhanreve që kanë prezantuar.

“Kemi luajtur repertorin me tango bashkë me flamengo klasike kubane gjithashtu edhe muzikë braziliane. Në shumicën e këtyre veprave kërkohet kitara, kështu që këtë instrument e luajta unë sonte. Me Pierre luajmë së bashku për një kohë të gjatë dhe ne vërtet përshtatemi mirë për nga muzika dhe mendoj se njerëzit e kanë pëlqyer. Jam shumë i lumtur që isha sonte për të interpretuar për ju këtu”, ka thënë ai.

I lindur dhe rritur në Marok, ai ka një ndjeshmëri të thellë për muzikën tradicionale marokene dhe atë mesdhetare. Karriera e tij është e mbushur me bashkëpunime me artistë të njohur ndërkombëtarë, duke përfshirë projekte që përqendrohen në ndërthurjen e kulturave dhe një game të gjerë stilesh muzikore, duke përfshirë jazz-in, tangon dhe muzikën klasike.

Paraprakisht fondacioni “Ramë Lahaj” nga 15 deri më 20 shtator organizoi programin për fëmijë “Opera në rrota” duke e prezantuar operën te fëmijët. Ndërsa festivali “Ramë Lahaj International Opera Festival” e mbajti edicionin e katër nga 21 korrik deri më 2 gusht.

Koordinatori për media, Besmir Vokopola, ka thënë se fondacioni po synon zgjerimin e njohjes së zhanreve të ndryshme muzikore te publiku.

“Për fondacionin ‘Ramë Lahaj’ është e rëndësishme që përpos zhvillimit dhe njohjes së kulturës dhe zhanrit operistik dhe muzikës klasike ne po përpiqemi të afrojmë gjithë audiencat. Kemi nisur me fëmijët duke ua prezantuar muzikën klasike, ndërsa sot ishim në një ambient më familjar, më miqësor, më afër me të rinjtë, duke synuar të krijojmë një gjuhë komunikimi edhe me zhanret e tjera muzikore. Kjo ishte një gjuhë dedikuar tangos, flamengos, muzikës romantike franceze. Duke qenë në fundvjeshtë e fillimdimri, janë tinguj që na ngrohin zemrën dhe shpirtin”, ka thënë ai.

Ka thënë se shumë shpejt do të vijnë të tjera aktivitete.

“Nuk nguruan dhe erdhën menjëherë dhe besoj se sollën fragrancat më të bukura të këngëve, nga Argjentina shkuam në Spanjë, nga aty në Francë e deri në Itali. Për ne është e rëndësishme të vazhdojmë me aktivitete, dhe në fakt ky është vetëm fillimi dhe shumë shpejt do të kemi edhe disa aktivitete që do të kenë gjithmonë fokus një target grup të caktuar për të kulmuar më pas me festivalin që është kthyer në traditë”, ka thënë Vokopola.

Tingujt e thellë që nxjerrin në pah bukurinë e çdo note dhe vokali i ngrohtë e pasionues kanë qenë dyshja perfekte në koncertin “Pasión y Tango”.