Kulturë

“Pas Hitlerit” me eksponatet e tmerrit si thirrje kundër nacionalizmit

Hitleri

Historia e bustit të Hitlerit të Hedwig Maria Leyt është një tipar i ekspozitës që gjurmon ndryshimin e qëndrimeve ndaj nazizmit gjatë afro 80 vjetëve. Ajo ilustron se si disa gjermanë ende adhuronin një udhëheqës tiranik që nxiti tmerret e Holokaustit

Pas Luftës së Dytë Botërore shumë gjermanë donin të fshinin kujtimin për ish-diktatorin, duke përfshirë riemërtimin e rrugëve e të tjera. Ndërsa brezi i rritur që i mbijetoi luftës ishte i zënë me rindërtimin e jetës në një Gjermani të shkatërruar të pasluftës, shumë nuk folën për rolin e tyre në Rajhun e Tretë

Në vitin 1932, skulptorja Hedwig Maria Ley, një simpatizante e nazistëve, krijoi imazhin e parë të autorizuar të diktatorit të ardhshëm gjerman Adolf Hitler.

Partia naziste e bëri bustin e saj model për portretizimin e liderit gjatë gjithë sundimit të tij famëkeq. Megjithatë, pas vdekjes së Hitlerit nga vetëvrasja dhe humbjes së Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore, Ley e varrosi bustin në kopshtin e saj.

Njëzet vjet më vonë, një i afërm i kopshtarit të saj gërmoi skulpturën dhe e vendosi me krenari në oxhakun e dhomës së tij të ndenjës - ku qëndroi deri në vitet 1980.

Një nderim i tillë i vazhdueshëm për liderin famëkeq nazist ishte në kontrast të plotë me të rinjtë që donin të shkëputeshin nga brezat e vjetër që shpesh kishin përqafuar fashizmin gjerman.

Kjo ndarje brezash është baza për një ekspozitë të re, “Pas Hitlerit: llogaritë e Gjermanisë me të kaluarën naziste”, tani e ekspozuar në Haus der Geschichte (Shtëpia e Historisë) në ish-kryeqytetin gjerman Bonn.

Historia e bustit të Hitlerit të Hedwig Maria Leyt është një tipar i ekspozitës që gjurmon ndryshimin e qëndrimeve ndaj nazizmit gjatë afro 80 vjetëve. Ajo ilustron se si disa gjermanë ende adhuronin një udhëheqës tiranik që nxiti tmerret e Holokaustit.

Ndërsa brezi vijues i protestës “68-vjeçarët” dënoi simpatitë naziste të prindërve të tyre, “Pas Hitlerit” tregon se sa partitë politike të ekstremit të djathtë si Alternativa për Gjermaninë (AfD) janë përsëri në rritje në Gjermani.

Pas Luftës së Dytë Botërore shumë gjermanë donin të fshinin kujtimin për ish-diktatorin, duke përfshirë riemërtimin e rrugëve e të tjera.

Ndërsa brezi i rritur që i mbijetoi luftës ishte i zënë me rindërtimin e jetës së tyre në një Gjermani të shkatërruar të pasluftës, shumë nuk folën për rolin e tyre në Rajhun e Tretë.

Ata hezituan të plotësonin pyetësorët e denazifikimit dhe u shfajësuan nga përgjegjësia duke fajësuar Hitlerin dhe komandantët e tij si Joseph Goebbels dhe Hermann Göring për krime lufte.

Pushtuesit aleatë që akuzuan nazistët për këto krime i konsideruan shumë gjermanë si “bashkudhëtarë” që punonin me dëshirë për regjimin nazist - megjithatë shumë prej tyre i mbanin ende punët e tyre në Republikën e pasluftës - duke përfshirë kryeqytetin e ri Bonn.

Filmat që zbulonin kampet naziste të përqendrimit dhe shfarosjes u bënë shfaqje të detyrueshme për gjermanoperëndimorët, por ishte ndryshe në Republikën Demokratike Gjermane të sapoformuar në Lindje.

Atje, Partia Socialiste e Unitetit e Gjermanisë propagandoi mitin themelues antifashist se ish-nazistët ekzistonin vetëm në Perëndim. Kushdo që përqafonte shtetin socialist çlirohej nga faji.

Ekspozita “Pas Hitlerit” në Bon eksploron kontekstin politik dhe social të katër brezave të gjermanëve që janë përpjekur të përpunojnë të kaluarën naziste në mënyra të ndryshme.

Ndër materialet arkivore të ekspozuara janë pamjet e një reporteri televiziv, i cili në vitin 1962 pyet kalimtarët në rrugë për hebrenjtë. Disa i thonë hapur gazetarit se hebrenjtë nuk duhet të lejohen të punojnë në qeverinë federale, ose se “ka shumë prej tyre”, apo edhe se “ata u persekutuan me të drejtë”.

Këto deklarata raciste dolën nga një brez i autorëve të pushtetit dhe krimeve naziste.

Menjëherë pas kësaj, në vitin 1965, disa varre në varrezat hebraike të qytetit bavarez të Bambergut u përdhosën. Pesë vjet më vonë një sulm me zjarr u krye në një shtëpi të të moshuarve që i përkiste komunitetit hebre në Munich, duke vrarë shtatë banorë të mbijetuar të Holokaustit. Këto ishin ndër qindra sulme antisemite në atë kohë.

Në të njëjtën kohë, një pjesë e ekspozitës përshkruan brezin e fëmijëve që formësuan jetën shoqërore nga vitet ‘60 dhe pyetën në mënyrë kritike prindërit e tyre për rolin e tyre në Rajhun e Tretë.

Kërkimi i së vërtetës për epokën naziste po bëhej gjithashtu pjesë e kulturës popullore. Në vitin 1979, 20 milionë gjermanë të moshës 14 vjeç e lart ndoqën miniserialin amerikan të vlerësuar me çmime, “Holocaust”. Dhjetëra mijëra e thirrën studion pas transmetimit të filmit, shumica prej të cilëve thanë se filmi ua kishte hapur sytë.

Shumë prej tyre ishin pjesë e brezit të ardhshëm – nipat e brezit nacional socialist – të cilët u rritën në vitet ‘80 dhe ‘90, në një kohë krize, por edhe ribashkimi dhe ngritjeje të lëvizjes mjedisore.

Ekspozita “Pas Hitlerit” i kushton gjithashtu hapësirë të konsiderueshme jehonës së pasluftës të atyre që vuajtën nën nazizmin.

Midis ekspozimit të rreth 500 eksponateve është një biletë e pazakontë, e vogël ngjyrë kafe e transportit publik. Ajo i përkiste Erna Meintrup, e cila i mbijetoi getos Theresienstadt – që shërbeu si një kamp grumbullimi dhe transiti në sistemin e kampit nazist të përqendrimit - përpara se të kthehej në qytetin e saj të lindjes, Münster.

Por si shumë të përndjekur, edhe Meintrup nuk foli për burgosjen e saj.

Gjithashtu në Haus der Geschichte është paraqitur një biçikletë që i përket një djali hebraik, i cili ia kishte dhënë për ta ruajtur një shokut të tij. Vetëm në vitin 2007 ky mik, tashmë i moshuar, ia dha biçikletën një librarie të vjetër që shet antikuar. Ai kishte pritur më kot për dekada që shoku i tij të kthehej.

Pranë biçikletës është një valixhe plot me dokumente dhe kujtime. Kjo është gjithçka që ka mbetur nga një familje hebraike e dërguar në kampin e përqendrimit në Regensburg në Bavari. Një punonjës i familjes e mbajti valixhen dhe në të vendosi letrat që familja kishte shkruar nga kampi para se të vriteshin.

Organizatorët e ekspozitës i qasen temës më pak nga një këndvështrim politik dhe më shumë “përmes eksponateve që tregojnë shumë histori personale”, thotë Hanno Sowade, kurator i ekspozitës “Pas Hilterit”.

Anëtarët e brezit të katërt, të cilëve u është dashur të pajtohen me epokën naziste, kanë lindur pas ribashkimit në vitin 1990. Shumë prej tyre vijnë nga familje emigrantësh dhe nuk kanë lidhje familjare me nacionalsocializmin.

Megjithatë, të rinjtë gjithnjë e më shumë “e kuptojnë historinë e nacionalsocializmit si një paralajmërim për të tashmen”, thonë organizatorët e ekspozitës. “Ata demonstrojnë kundër populizmit të krahut të djathtë dhe përkujtojnë viktimat e dhunës ekstremiste të krahut të djathtë”.

Megjithatë, shumë të rinj kanë mundësi të angazhohen me ideologjinë neonaziste të ekstremit të djathtë, veçanërisht përmes mediave sociale.

Në verën e vitit 2023, një ekstremist i krahut të djathtë ia vuri zjarrin një kutie telefonike të konvertuar që përmbante literaturë mbi nacionalsocializmin, si dhe një stacion audio me fragmente nga ditari i viktimës së Holokaustit, Anne Frank, dhe këngë hebraike.

Kutia ndodhej pranë memorialit “Gleis 17” në distriktin perëndimor të Berlinit, një platformë treni nga ku mijëra hebrenj u dëbuan në kampet e shfarosjes.

Pothuajse 80 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ekspozita e bën të qartë se konfrontimi gjerman me të kaluarën naziste mbetet jetik në mes të rritjes së shpejtë të partive ekstremiste të krahut të djathtë si AfD.

Hitleri mund të jetë zhdukur, por trashëgimia e tij fashiste vazhdon.

“Pas Hitlerit: Llogaritë e Gjermanisë me të kaluarën naziste” vazhdon të jetë e hapur deri më 26 janar 2025 në Haus der Geschichte në Bonn.