Qendrës Kinematografike të Kosovës s’po i bën punë as teknologjia. Pas deklaratës se “problemet me e-mail” e lanë Kosovën pa propozim për “Oscar”, tash janë “problemet teknike” të platformës që kanë bërë të shtyhet afati i aplikimit për projekte filmike të metrazhit të gjatë. Për këtë QKK-ja e ka shtyrë afatin e aplikimit edhe për një ditë.
“Për shkak të problemeve teknike që aplikuesit kanë hasur në platformën online gjatë ditës së djeshme, afati për aplikim për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë është shtyrë”, shkruhet në deklaratën e QKK-së nëpërmjet së cilës është bërë e ditur se afati për aplikim është shtyrë për një ditë, deri në orën 23:59 të së hënës.
Përderisa më 2023 nuk kishte hapur konkurs për mbështetje të projekteve kinematografike deri në dhjetor, më 2024 për shumicën e kategorive s’ka pasur fare konkurs. Më 13 dhjetor institucioni më i lartë kinematografik i vendit kishte hapur konkurs për film të metrazhit të gjatë – artistik, mbi 60 minuta.
Për kategoritë e tjera pritet të ketë konkurs sivjet. Kjo bën që viti 2024 të jetë i djegur. Jo vetëm me humbjen e ritmit, por edhe me buxhet. 1.6 milionë euro sa ishte buxheti për 2024, nuk shfrytëzohet për projekte të sivjetme.
“Dy filma të shkurtër ose një të gjatë nga regjisori dhe dy filma të shkurtër ose një të gjatë nga producenti”, janë referencat profesionale që kërkohen nga ata që ia mësyjnë kësaj thirrjeje.
Më 2023 konkursi nuk ishte hapur deri në dhjetor me arsyetimin se rregulloret duheshin përshtatur Ligjit për Kinematografi që e ka zëvendësuar atë të vitit 2004. Asokohe drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, kishte thënë se prej vitit 2024, QKK-ja planifikon të hapë dy konkurse brenda vitit, një në qershor e tjetri në nëntor.
“Është më e lehtë për filmbërësit që të aplikojnë kur kemi dy konkurse në vit. Ideja është që të jetë një konkurs në nëntor, në mënyrë që të mund të përfundojë procesi deri në mars, në mënyrë që filmat që përzgjidhen të mund të kenë kohë për të aplikuar nëpër fonde të tjera për bashkëprodhus. Në mars e në prill hapen konkurset nëpër botë”, kishte thënë Zeqiri.
Por më 2024 institucioni që ajo e udhëheq s’ia ka dalë që as në dhjetor të hapë konkurs të plotë, por vetëm për film të gjatë artistik duke lënë jashtë 10 kategori.
“Në fillim të vitit të ardhshëm do të hapet përsëri thirrja për të gjitha kategoritë. Në janar ose në shkurt më së largu”, kishte thënë Zeqiri në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas saj, tash edhe proceset do të ecin më shpejt, sepse në vitin 2023 ka qenë hera e parë që është punuar me ligj të ri e me rregullore të reja.
“Akoma po punojmë dhe po mundohemi që të arrijmë të hapim konkurse dy herë në vit. Edhe vitin e ardhshëm do të punojmë drejt synimit që të arrijmë të hapim thirrje dy herë në vit”, kishte thënë Zeqiri.
Po në dhjetor të vitit të kaluar, Qendra Kinematografike e Kosovës mbi dy muaj pas huqjes së shansit për të propozuar kandidat për nominim për “Oscar”, e kishte thyer heshtjen për këtë rast. S’ka propozuar, sepse “kishte probleme me e-mail”. Ky ka qenë arsyetimi që ka dhënë drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, në një intervistë të gjatë në emisionin “Nëpër film”, e ku ajo ka folur për ato që i ka listuar si suksese të institucionit që drejton e të filmit, duke dhënë edhe arsyetimin për shkëputjen për të dytin vit të Kosovës drejt çmimit të “Academy Awards”, një traditë e nisur para një dekade.
“Ne kishim një problem me e-maile, po them është problem shumë teknik, i cili na ndodhi ashtu siç ndodhi dhe nuk e kemi pranuar me kohë e-mailin për propozime që vjen nga ‘Oscari’. Momentin kur neve na u kujtua që, ‘pse nuk erdhi ai e-mail?’, dhe kur kemi shikuar pse nuk ka ardhur, veçse ishte shumë vonë. Kemi kërkuar, kemi telefonuar dhe kemi bërë çmos për të na lejuar ta krijojmë komisionin, mirëpo fatkeqësisht nuk ia arritëm”, kishte thënë Zeqiri.
Institucioni më i lartë i kinematografisë vjet nuk kishte ka hapur fare konkurs nëpërmjet të cilit shtëpitë filmike do të propozonin filmat e tyre para komitetit selektues të “Oscar”. Mundësia ishte humbur pasi koha e shpalljes së kandidatëve ka qenë deri më 2 tetor. Më 2023 së paku e hapi thirrjen. Por në fund të shtatorit kishte njoftuar se nuk do të ketë kandidat. Kishte thënë se për një dekadë të tërë Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me Akademinë e Çmimeve “Oscars” dhe komunitetin e tij vlerësues. Por, sipas QKK-së, pas trajtimit të aplikimeve të atij viti, anëtarët e Komitetit Selektues kishin vendosur të mos propozojnë film për edicionin e “Oscars 2024”.
Sa i përket dështimit të 2024-s me kandidatin për nominim për çmimin prestigjioz “Oscar” në QKK nuk kishin dhënë kurrfarë përgjigjeje. KOHA i ishte drejtuar drejtoreshës Blerta Zeqiri, e cila kishte rekomanduar që pyetjet t’i adresohen zyrtarit Lum Çitaku. Por Çitaku nuk ishte përgjigjur fare. KOHA kishte insistuar prapë te drejtoresha Zeqiri, por edhe ajo ka rizgjedhur heshtjen.
Deri tash, kur edhe për “problemin teknik” ka thënë se e merr përgjegjësinë. Ka paragjykuar se edhe sikur të hapej konkursi, mund të mos kishte propozime për nominim.
“Mendoj që sivjet kemi pasur një vit shumë të suksesshëm sa i përket filmit të shkurtër. Filmi i metrazhit të gjatë ka qenë i suksesshëm, por sa kemi pasur informata ne, asnjë nga filmat nuk i ka plotësuar kushtet që duhet t’i kishte, që premierat t’i kenë shënuar në vend dhe në kinema e të tjera e që do të mund të aplikonte. E them me aq informata që kemi pasur. Megjithatë, kjo nuk na shfajëson, sepse ne nuk do të thotë se i dimë të gjitha dhe duhet secilin vit të hapet konkursi. Ka ndodhur një problem teknik shumë banal, i cili më mirë është të mos flitet sesa të flitet, dhe ai ka qenë shkaku, të themi një mosmenaxhim i situatës, barra e së cilës më bie mua në këtë rast si drejtuese e institucionit”, ka thënë Zeqiri.